e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Ne 27 nentor perurohet segmenti i dyte i autostrades se kombit

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Ne 27 nentor perurohet segmenti i dyte i autostrades se kombit
Përfundon asfaltimi i segmentit të dytë të autostradës së kombit “Ibrahim Rugova”. Kjo pjesë përurohet të mërkurën, me rastin e shënimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në pjesën prej 61 kilometrash e autostradës në Kosovës, nga Vërmica në Gjurgjicë të Malishevës, në datën 27 do të mund të qarkullohet dhe do të jetë e kalueshme për të gjithë qytetarët që duan të marrin pjesë në Festën e Flamurit në Shqipëri.

Qeveria e Kosovës ishte zotuar se ky segment do të përfundonte dhe do të lëshohej në qarkullim para festës së pavarësisë së Shqipërisë. Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, thotë për "Radio Kosovën" se po e mbajnë premtimin e dhënë.

“Ka qenë objektiv i përbashkët i qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompanisë që kreu punimet, Bechtel & Enka, që në 27 nëntor të bëjmë përurimin e segmentit të ri, përkatësisht të përmbushim 60.4 kilometrat e rrugës së kombit në ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit. Jemi të gjithë të kënaqur që këtë objektiv e kemi arritur, në saje të një pune të përbashkët”, theksoi ai.