Ndeshkohet Tirana dhe Vllaznia
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Klubi i Tiranës do të luajë 15 ndeshje pa tifozë prezentë në stadium, ndërsa ai i Vllaznisë do të luajë 10 ndeshje pa tifozë. Ky është vendimi i marrë nga Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare të Futbollit , në lidhje me skandalin e fundit të përleshjes mes tifozëve në stadiumin “Loro Boriçi”. Gjithashtu KF ka vendosur 1 milion lekë gjobë për Vllazninë, dhe 500 mijë lekë për ekipin e Tiranës. Ky vendim “dënon” tifozët e Tiranës të cilët nuk do të marrin pjesë në asnjë ndeshje deri në fund të sezonit.
Dy ditë më parë tifozët e të dyja skuadrave u përfshinë në një përleshje të dhunshme mes tyre, nga e cila mbeti i plagosur në kokë edhe presidenti i Tiranës, Refik Halili. Policia e Shkodrës arrestoi ditën e djeshme 13 persona, ndërkohë që 41 të tjerë po ndiqen të lirë. Për të gjithë të ndaluarit janë siguruar provat, kryesisht pamje filmike të regjistruara gjatë dhunës në ndeshjen e Vllaznisë me Tiranën. Gjatë ndërhyrjes së forcave të policisë kanë pësuar dëmtime 5 punonjës policie të Komisariatit në Shkodër. Po ashtu janë lënduar dhe 12 persona, mes tyre edhe fëmijë, të cilët pas marrjes së mjekimit janë larguar nga spitali pa probleme.
Vendimet:
1. KF “Vllaznia”për dështim në përmbushje të përgjegjësive për organizimin e një ndeshje futbolli, përgjegjësi për sjelljen e gabuar të spektatorëve me pasojë hedhjen e sendeve të forta në fushën e lojës duke shkaktuar akte të dhunës dhe ndërprerje të përkohshme të lojës dënohet me : zhvillimin e 10 (dhjetë) ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin përkatës si dhe 1.000.000 (një milion) lekë gjobë bazuar në nenet 65/1, 65/2, 66/1, dhe 66.3/b të KDS.
2. KF “Tirana” për përgjegjësi në sjelljen e gabuar të spektatorëve të saj, me pasojë hedhjen e sendeve të forta në fushën e lojës duke shkaktuar akte të dhunës dhe ndërprerje të përkohshme të lojës, si dhe duke pasur akte të ngjashme të përsëritura dënohet me : zhvillimin e 15 (pesëmbëdhjete) ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin e saj si dhe 500.000 lekë gjobe bazuar në nenet 66/2, dhe 66.3/b të KDS.
3. Grupimi i tifozëve “Tirana Fanatiks” për sjellje të dhunshme të përsëritura në stadiume dënohen me mospjesëmarrje në të gjitha aktivitetet futbollistike për sezonin 2014-2015,bazuar në nenet 21,22, dhe 65/4 të KDS.
4. KF ”Partizani”për sjellje të gabuar të tifozërisë së saj dhe hedhje të fishekzjarrëve në fushë, dënohet me 50.000 lekë gjobë, bazuar në nenin 66/1 te KDS”