e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Ndeshkohen Daiu e Dede, Roshi i paster

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ndeshkohen Daiu e Dede, Roshi i paster
Disiplina ndëshkon Përparim Daiun, Nevil Deden, Besën e Gramshin, por harron Elvis Roshin. Komisioni juridik i mbledhur dje në FSHF ka dënuar të gjithë, duke filluar nga Nevil Dede e deri tek Cikalleshi. Me dorë të rëndë ai ka ndëshkuar të gjithë aktorët e ndeshjes Besa-Tirana, por ka harruar kryesorin Elvis Roshin. Ashtu siç pritej komisioni ka qenë i pamëshirshëm me trajnerin e kavajasve, Përparim Daiun.

“Daja” siç i thërrasin është dënuar katër javë. Shkak sjellja jo sportive e tij ndaj lojtarit të bardhebluve, Gentian Muça. Ai që e ka pësuar më shumë nga vorbulla e ndeshjes së Kavajës ka qenë Nevil Dede. Trajneri i Tiranës që u vu në qendër të vëmendjes për ankimin në polici ndaj kryebashkiakut Elvis Roshi, është ndëshkuar ndërsa qytetari i parë kavajas ka dalë pa iu prekur asnjë fije floku. Për gjestin, duke nderuar me grusht Dede është dënuar dy javë. Një dënim që ka habitur disa që prisnin që të ishte Roshi i dënuari i madh nga Disiplina.

Por komisioni juridik e ka parë ndryshe ngjarjen dhe ka nxjerrë të pafajshëm kryebashkiakun, ose të paktën nuk ka marrë ndonjë vendim për të dhe ka fajësuar Deden që kështu bëhet dy herë viktimë. Një vendim që godet rëndë ish-kapitenin e bardhebluve. Nevil Dede dhe Përparim Daiu nuk kanë qenë të vetmit që kanë dënuar nga kjo ndeshje. Sokol Cikalleshi është ndëshkuar një takim për bluzën me mbishkrim politik. KF “Besa“ për dështim në përmbushjen e përgjegjësive dënohet me zhvillimin e 1 ndeshjeje pa spektatorë dhe me 200.000 lekë gjobë. Kujtojmë që kjo skuadër sapo kishte mbyllur me pagesa dënimin gjashtëjavor.

Ashtu siç mund të kuptohet, Elvis Roshi ka shpëtuar pa u ndëshkuar. Nuk dihet arsyeja e saktë, por një fakt ekziston. Zyrtarët e ndeshjes nuk kanë shkruar gjë në protokollin e ndeshjes dhe kështu bashkiaku Roshi ka shpëtuar dhe si dënim ka marrë vetëm dy ditët e shoqërimit në polici. Në fund KF “Gramshi“ për dështim në përmbushjen e përgjegjësive dënohet me zhvillimin e ndeshjeve të mbetura të këtij sezoni në fushë asnjanëse. Për bashkiakun Dritan Bici nuk ka ndonjë vendim edhe pse ai më parë ka qenë i dënuar me një vit jashtë fushave të futbollit. Edhe një herë disiplina ka treguar dhëmbët, ndonëse këtë herë nuk ka ndëshkuar të gjithë mëkatarët që ishin protagonistët për keq në fundjavë.

Vendimet e Komisionit të Disiplinës

1. Trajneri i KF “Besa“, Përparim Daiu, për sjellje josportive ndaj lojtarit kundërshtar dënohet me 4 ndeshje pezullim nga aktiviteti.

2. Trajneri i KF “Tirana“, Nevil Dede, për provokim të publikut dënohet me 2 ndeshje pezullim nga aktiviteti.

3. KF “Besa“ për dështim në përmbushjen e përgjegjësive dënohet me zhvillimin e 1 ndeshjeje pa spektatorë dhe me 200.000 lekë gjobë.

4. Lojtari i KF “Besa“, Sokol Cikalleshi, për sjellje josportive dënohet me 1 ndeshje pezullim.

5. Lojtari i KF “Tërbuni”, Klodian Sulollari, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes dënohet me 4 ndeshje pezullim.

6. Lojtari i KF “Lushnja“, Erdis Metushi, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit dënohet me 1 ndeshje pezullim nga aktiviteti.

7. KF “Gramshi“ për dështim në përmbushjen e përgjegjësive dënohet me zhvillimin e ndeshjeve të mbetura të këtij sezoni në fushë asnjanëse.

8. Lojtari i KF “Korabi “, Besfor Laçi, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes dënohet me 4 ndeshje pezullim.

9. Lojtari i KF “Skrapari“, Denis Musai, për goditje me grusht të lojtarit kundërshtar dënohet me 6 ndeshje pezullim nga aktiviteti.

10. Për problemet e ndodhura në ndeshjet Naftëtari- Iliria, Kategoria e I dhe Kat III, komisioni do të shprehet mbledhjen e ardhshme, pasi të kryhen verifikimet nga sekretariati i FSHF-së. 

Tirana: Mbështesim trajnerin, Disiplina mbrojti dhunuesit

Ka reaguar klubi Tirana për vendimin e Komisionit të Disiplinës, në emër të Nevil Dedes. Me anë të një deklarate për shtyp bardheblutë shprehen se do të kërkojnë të drejtën ta çojnë në vend dhe vendimin e djeshëm e konsiderojnë jashtë normales. “Klubi i Futbollit Tirana nuk kërkon të ripërsërisë faktet tashmë të përbotësuara, por, sqaron opinionin publik se, në Vendimin e KD-së evidentohen probleme madhore të cilat vijnë si produkt, fillimisht i parashikimeve jologjike të korpusit ligjor sanksionues i kundravajtjeve disiplinore, duke përfunduar në inkoherencën vendimmarrëse të këtij organi juridik, i cili ndëshkon viktimën për pësimin e dhunës dhe komplimenton agresorin për gjestin “civil” të kryer. Kjo, në terma të Kodit të (In) Disiplinës Sportive të miratuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, përkufizohet: nxitje e urrejtjes dhe akteve të dhunës ( Neni 52 ).

Duke vazhduar në analizë të Proces – Verbalit të lartpërmendur, në Pikën 8, KDja është shprehur me vendim se, K.F. Besa për dështim në përmbushjen e përgjegjësive dënohet me zhvillimin e 1 (një) ndeshje pa spektatorë dhe 200.000 lekë gjobë në baze të neneve 65.1 dhe 65.3/a të Kodit të Disiplinës Sportive. Janë të ftuar të gjithë të interesuarit që të lexojnë përmbajtjen e Nenit 65.3/a, si vijon: “Në rastin e hyrjes brenda pjesës së rrethuar të fushës së lojës të ndonjë personi, pa shkaktuar akte të dhunës apo ndërprerje të lojës, ekipi përgjegjës për sigurinë në stadium do të penalizohet me zhvillimin e 1 (një) ndeshje pa spektatorë”. Referimi i kryer ndaj kësaj dispozite, jo-vetëm që nuk ka të bëjë me rastin konkret, por mohon edhe vetë deklarimet e kryera publikisht nga Vëzhguesi i FSHF – së për rrethanat e ngjarjes. Ndëshkueshmëria penale e këtij akti është jashtë juridiksionit, kompetencave por edhe vullnetit të organit të qeverisjes sportive dhe për këtë, K.F. Tirana nuk paraqet asnjë kundërshti. Por, pohimi mohues rëndohet edhe më tej kur kryhet nga vetë institucioni përgjegjës për garantimin e vërtetësisë në futboll.

Ndaj Trajnerit, Z. Nevil Dede dhe rrjedhimisht, Klubit të Futbollit Tirana në intervalin famëkeq në pushimin e ndeshjes së datës 10.03.2013, janë konsumuar shkelje të rënda të cilat, do të pas sillnin ndëshkimin e rëndë të K.F. Besës, në cilësinë e skuadrës pritëse. Është e kuptueshme që klubi ynë nuk gëzon pozicionin e prokurorit apo gjyqtarit dhe as manifeston vullnetin dhe dashakeqësinë për ndëshkimin e homologëve, por nuk mund të pranojë assesi përçudnimin e së vërtetës. Shkelje të tilla si : Kërcënimi ( Neni 58 ), Dështimi në përmbushjen e përgjegjësive ( Neni 65.1, 65.2, 65.3/b ), pa përmendur Sjelljet ofenduese ( Neni 56 ) ndëshkohen/mund të ndëshkohen me masën e humbjes së ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3:0.

Këto ndëshkime, nuk janë kërkuar nga ne për të vetmin motiv: Më datë 10.03.2013 u luajt futboll i vërtetë, aq sa i vërtetë ishte akti i dhunës ndaj Trajnerit tonë, i ndëshkuar në cilësinë e viktimës. Një agresor i identifikuar, i cili ushtron funksionin e përfaqësuesit të aksionarit, konsumon kundravajtjen e parashikuar në Nenin 48.2/b, si sjellje e keqe ndaj kundërshtarëve, mbetet i pandëshkuar nga drejtësia sportive, ndërsa një subjekt i dhunuar dhe i kërcënuar ndëshkohet për një gjest të ashtuquajtur... provokues.

Nëse Komisioni i Disiplinës merr atributet e amenduesit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ne do t’i përulemi solemnisht sot e kurdoherë. Klubi i Futbollit Tirana mbështet Trajnerin e saj në çdo vepër dhe deklaron se, do t’i sigurojë të gjithë asistencën e nevojshme për garantimin e të drejtave të cënuara drejtpërdrejtë nga “rojtarët” e Fair Play – it”, thuhej në deklaratën bardhebluve.