e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

'Ndaj Shqiperise vlen vetem kolektiviteti'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
'Ndaj Shqiperise vlen vetem kolektiviteti'
Trajneri Loren Blank e komenton kështu pragndeshjen me kuqezinjtë e Josip Kuzhesë

Trajneri i Francës, Loran Blank, u shpreh menjëherë pasi shpalli listën e lojtarëve për ndeshjet ndaj Shqipërisë dhe Rumanisë se do të mbështetet vetëm te loja e grupit. “Për të përballuar me sukses Shqipërinë dhe Rumaninë vlen vetëm logjika e grupit”, tha trajneri francez, cituar nga “L’Ekip”. Blank vendosi të merrte në ekip sulmuesin e Paris SG, Gijom Horo, i cili nuk po kalon një moment të mirë në ekipin e tij dhe të linte në shtëpi Gomisin e Lionit, që ka treguar formë të mirë në këtë kampionat dhe në Champions. “Horo po has vështirësi dhe shpresoj që këto të mos ndikojnë, tha trajneri. Gomis është një lojtar shumë i mirë, i veçantë dhe sistemi i ri i lojës në Lion po e ndihmon, por unë bazohem te logjika e grupit”.

Të rikthyerit e mëdhenj

Plusi më i madh për Francën është kthimi i Frank Riberisë pas një mungese relative, ndërsa bashkë me të do të jetë talenti i Marsejës, Matjë Valbuena. “Është gjithnjë shumë mirë të kesh forca sulmuese të mjaftueshme, tha Blank, sidomos kur ke të bësh me dy ndeshje”. “Shqiptarët dhe rumunët do të na testojnë fort me lojën e tyre në mbrojtje, do të ketë shumë duele, shumë dyluftime dhe do të na duhen lojtarë sulmues që të krijojnë raste, vazhdoi ai. Na duhet të krijojmë raste për të shënuar golat. Matjë (Valbuena) është duke luajtur shumë mirë në ekipin e tij, por ka qenë shumë i mirë edhe në ndeshjen që kemi luajtur në Bosnjë. Sa për Frankun, për fat ai është në nivelin e tij më të mirë. Bëhet fjalë për një lojtar tepër të rëndësishëm”.

Problemet në mbrojtje

Franca nuk do të vijë në Shqipëri me mundësitë më të mira mbrojtëse. Adil Rami do të jetë i pezulluar për ndeshjen ndaj kuqezinjve, ndonëse është grumbulluar për të luajtur ndaj rumunëve. Po ashtu, janë edhe 3 dëmtime me rëndësi si Mekses apo Sakho. Blank nuk ka thirrur Gael Klishinë e Sitit, ndërsa do t’i besojë qendrën e mbrojtjes në “Qemal Stafa” dyshes Junes Kabul (Totenham)-Erik Abidal (Barcelona). Abidal do të luajë sërish si mbrojtës qendre edhe ndaj Portos në ndeshjen e sotme të Superkupës, për shkak të dëmtimit të dy qendërmbrojtësve titullarë të Barçës, Pujol e Pike.

Nasri, te Siti

Blank u pyet domosdo për kalimin e Samir Nasrisë te Mançester Siti, ndërsa francezi u largua nga Arsenali. “Nasri shkon te Siti për të luajtur futboll, ai dëshiron që të fitojë tituj dhe unë e kuptoj veprimin e tij, tha Blank. Ai di të luajë mirë, është një lojtar që luan në 3 pozicione të ndryshme në fushë. Shpresoj që t’i përgjigjet si duhet asaj që do të kërkojë dhe që pret Mançini, pasi kështu do të përfitojë edhe ekipi i Francës”. Trajneri i “gjelave” thotë se kjo do të jetë një sfidë e re për Nasrinë, ndërsa thekson se ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për Francën.