Nate magjike, por Skenderbeu nuk ia del para Dinamos
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Skënderbeu humbet dhe ndonëse duhet të luajë edhe 90 minuta të tjera në Zagreb, e sheh veten, me një këmbë jashtë Champions. Perla e Shkëmbit nuk ka mjaftuar për të prekur ëndrrën dhe për të hedhur një hap drejt kualifikimit në Champions. Skuadra korçare nuk ia ka dalë, ndoshta për fat të keq të fitojë, e në ndeshjen e parë është mundur me rezultatin 2-1 me një gol në shtesën e lojës.
Minutat e para kanë qenë të barabarta për të dyja skuadrat me Shehin që në disa raste ka shpëtuar portën. Por pikërisht në minutën e 37-të, vjen mrekullia Bledi Shkëmbi. Aksion i shpejtë i Skënderbeut me Radas që lë mbrojtjen dhe del në ndihmë të sulmit. Mbrojtësi kombinon me Salihin dhe i afrohet zonës, por pengohet në limite dhe ka faull. Për gjyqtarin rus goditje dënimi.
Goditjen e merr përsipër Bledi Shkëmbi që godet në mënyrë perfekte me të majtën dhe e dërgon topin në rrjetë. Korçarët në avantazh dhe stadiumi në flakë. Një pjesë e parë e mbushur me ankth dhe emocione por që mbyllet me avantazhin e Skënderbeut. Një kryevepër e Bledi Shkëmbit i jep avantazhin korçarëve. Gjithsesi 45 minutat e para mbyllen me avantazhin e Skënderbeut. Duhet thënë se Skënderbeu nuk ishte në nivelin e tij më të mirë dhe vuajti mjaft presionin psikologjik të ndeshjes. Veçanërisht la për të dëshiruar loja në krahun e majtë ku vepronte Eskuerdinja, duke krijuar mjaft hapësira për kroatët që kalonin me lehtësi dhe kërcënuar seriozisht portën e Shehit. Pjesa e dytë nis në sulm për tanët.
Në minutën e 47-të, aksion i shpejtë i korçarëve me Berishën në krahun e majtë, mesfushori hedh topin drejt qendrës, por Nimaga nuk arrin dot për ta shtyrë drejt rrjetës. Pesë minuta më pas sërish një rast i mirë për Skënderbeun. Shkëmbi shërben për Latifin në të djathtë, ky i fundit godet fuqishëm drejt portës, por portieri e devijon në goditje këndi. Një minutë më vonë, Salihi humbet rastin më të madh që mund të kishte vulosur fitoren e korçarëve dhe rezultati, mund të kishte qenë ndryshe në fund të lojës. Sulmuesi gjendet krejtësisht i lirë përballë portierit, por nxitohet dhe godet keq, duke e nxjerrë topin jashtë. Dhe atë që nuk e bën Salihi, e konkretizojnë kroatët. Është Soudani që barazon lojën. Kombinime të bukura të kroatëve në zonë dhe pasimi i fundit nxjerr krejtësisht të lirë Souidanin, i cili i vetëm përballë portës e shtyn topin drejt rrjetës. Skënderbeu bllokohet nga goli i barazimit dhe lojën e merr nën kontroll Dinamo.
Në minutën e 83-të shpëton sërish me fat porta korçare, krosim nga e majta dhe Çoriç gjuan drejt portës, por topi prek shtyllën dhe më pas përfundon jashtë. Pjaca depërton bukur nga e majta dhe futet brenda zonës, godet, por topi kalon mbi traun e portës. Dhe kur të gjithë mendonin se ndeshja do të mbyllej në barazim vjen goditja gjunjëzuese për korçarët pikërisht në minutën e 93-të. Dinamo, shënon me Pivariç. Mesfushori gjen hapësirën dhe godet në mënyrë perfekte topin në këndin ku Orges Shehi nuk mund ta mbërrijë. Kroatët në avantazh dhe kështu ata arrijnë hipotetikisht të jenë me një këmbë të kualifikuar në fazën e grupeve të Champions. Korçarët zhvillojnë një ndeshje perfekte për 66 minuta, por më pas nuk ia dalin të mbajnë rezultatin. Humbasin me një gol në shtesë, por që do të thotë, ndonëse jo matematikisht, eliminim nga “play-off”-i i Champions. Gjithsesi, janë ende edhe 90 minuta për t’u luajtur, por shpresat janë pothuajse minimale që Skënderbeu të prekë ëndrrën dhe të shkojë në fazën e grupeve.
1-2 është rezultati i ndeshjes. Golat janë shënuar nga Shehi, Soudani e Pivariç, ky i fundit në shtesë
SKËNDERBEU - DINAMO ZAGREB 1-2
Shënues: Shkëmbi 37', Soudani 66', Pivarić 93'
Skënderbeu: 1. Shehi, 32. Vangjeli, 5. Jashanica, 33. Radaš, 8. Nimaga, 27. Latifi (7. Progni 79'), 30. Esquerdinha, 88. Lilaj, 10. Shkëmbi, 14. Salihi, 23. Berisha (11. Abazi 89'). Trajner: M. Josa
Dinamo Zagreb: 34. Eduardo, 6. Ivo Pinto, 22. Sigali, 87. Taravel, 10. Paulo Machado (24. Çoriç 61'), 13. Gonçalo Santos, 19. Pivaric 30. Rog (8. Antolic 70'), 2. Soudani (11. Fernandes 78'), 15. Ar. Hodzhiç, 20. Pjaca. Trajner: Z. Mamiç.
Gjyqtarë: Sergei Karasev, Anton Averianov, Tikhon Kalugin, Sergei Lapochkin, Mikhail Vilkov (RUS)
Kartonë të verdhe: Mashado 35', Pjaca 43'/ Vangjeli 48'