e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Nafta, rritja misterioze e cmimeve

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Nafta, rritja misterioze e cmimeve
Rritja e fortë e muajve të fundit të çmimit të naftës së papërpunuar në tregjet ndërkombëtare ka dhënë efektet edhe në Shqipëri, ndonëse të shproporcionuara. Çmimet në vend janë rritur sa në vitin 2008, kur një fuçi tregtohej me rreth 150 dollarë në bursat ndërkombëtare. Por ky shpërpjesëtim çmimesh duket se nuk prek vetëm Shqipërinë, por edhe disa vende të rajonit. Cila është historia pas historisë...

Gjatë pak muajve të fundit, çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë shënuar një rritje thuajse të pandalshme, përjashto ndonjë luhatje afatshkurtër që mund të jetë keqinterpretuar si ulje. Kështu në shtator, çmimi i një fuçie naftë të papërpunuar llogaritej në rreth 75 dollarë, ndërsa aktualisht, në 10-ditëshin e fundit të janarit, çmimi luhatet në rreth 92 dollarë. E gjithë kjo flet për një rritje prej 18.5 për qind në harkun e katër muajve.

Kjo rritje është pasqyruar edhe në Shqipëri, në tregun vendas të karburanteve. Në muajin shtator, çmimi i naftës në vend luhatej në rreth 145 lekë për litër, ndërsa aktualisht çmimi i saj është rritur në rreth 157 lekë. Një rritje kjo, që përkthehet diku te 7.5 për qind. Ndërsa benzina, shkoi nga 150 lekë për litër në 167 lekë për litër, me një rritje prej 10 për qind.

Argumentimi tradicional popullor, por me raste i shprehur edhe nga media, sa herë që ka rritje çmimesh të karburanteve është se tregtuesit e karburanteve në vend po zbatojnë edhe në këtë rast të njëjtën skemë misterioze monopoli që kanë zbatuar edhe në rastet e tjera.

Në fakt ekziston një logjikë e tillë. Para dy vjetësh, çmimi i naftës në vend ka qenë në nivelet aktuale, ndërsa çmimi i saj në bursa regjistroi një çmim mesatar në nivelin e 150 dollarëve për fuçi. Kjo do të thotë se rritja aktuale është në mospërputhje me konjukturën e çmimeve ndërkombëtare. Por, të flitet për monopol kombëtar bëhet disi e vështirë nëse situata krahasohet me vendet fqinje.

Në Maqedoni, për shembull, nafta e cilësisë eurodiesel që tregtohet në pikat e karburanteve kushton 62 denarë për litër, ose 140.7 lekë. Por, tregu i naftës në këtë vend nuk është i liberalizuar dhe ekziston një institucion shtetëror që përcakton çmimet, sipas llojit të karburantit. Në Kosovë, nga ana tjetër, çmimi i një litri naftë luhatet në kufirin e 1.18 euro për litër, apo gati 165 lekë.
E vërteta është se kohët e pehlivanllëqeve kur grosistët shqiptarë mblidheshin dhe i caktonin çmimet në union, ka kaluar. Hapja e kufijve dhe intensifikimi i fluksit të njerëzve, mallrave e shërbimeve me vendet e rajonit, ka bërë që Shqipëria të mos jetë më një ishull i vetmuar, ku njerëzit që disponojnë pozita kyç në disa sektorë biznesi ta shkundin tregun si i vjen për mbarë.

Por, ajo që ka gjasa të ndodhë lidhet me një manipulim rajonal, ku përfshihen Shqipëri, Kosovë, Mal i Zi e ndonjë vend tjetër. Kamionët që bëjnë rrugë ndërkufitare për shembull, mund të furnizohen fare mirë në Maqedoni apo në Mal të Zi, nëse çmimet atje janë më të leverdishme se në Shqipëri. Por, diçka e tillë nuk ndodh sepse operatorët e tregut të karburanteve në vend marrin informata në vendet fqinje jo thjesht për nivelin e çmimeve në tregun me pakicë, por edhe për prirjet e afërta të luhatjes së çmimeve. Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një konjukturë tregu rajonale, e cila në rastin e konfliktit në Gjeorgji, solli që rritja e çmimeve në rajon të ishte më e lartë se në Perëndim, duke qenë se konjukturat rajonale të tregut janë më të lidhura me Lindjen se me Perëndimin.

Pasoja ‘rajonale’

Operatorët rajonalë, në fakt trajtojnë me shitës dytësorë, duke qenë se operojnë me sasi relativisht të vogla. Rrjedhimisht, flukset e karburantit në rajon nuk orientohen direkt nga tregjet ndërkombëtare, sepse importuesit rajonalë, ku përfshihen edhe ata shqiptarë nuk mund të blejnë direkt në bursë, por u drejtohen shitësve të tjerë.

Një arsye tjetër me të cilën shpjegohen këto luhatje në çmimin e karburanteve ka të bëjë me forcimin e monedhës vendase kundrejt dollarit amerikan. Gjatë javëve të fundit, leku shqiptar e ka forcuar revanshin ndaj monedhës së gjelbër, duke arritur në kuotën aktuale, ku monedha amerikane blihet me 97.5 lekë dhe shitet me 98 lekë. Por tregu shqiptar i karburanteve operon me euro dhe gjeografikisht me Europën Lindore, ndaj ndikimi i kursit të këmbimit ka pak gjasa të japë efekte në Shqipëri.
Kjo rritje e çmimit të naftës në tregun vendas ndikon direkt në rritjen e kostos së prodhimit për shumë produkte, ndaj nuk përjashtohet mundësia që të ketë një efekt zinxhir në rritjen e çmimeve në një të ardhme jo të largët. Ndër sektorët që goditen është bujqësia. Çmimet e naftës, të drithërave dhe të produkteve të tjera ushqimore në tregjet ndërkombëtare mund të luhaten, duke sjellë presione destabilizuese për çmimet në vend. Kjo sepse, Shqipëria importon një pjesë shumë të madhe të produkteve të konsumit nga vendet e BE-së, dhe një pjesë nga vendet e rajonit. Fenomeni i rritjes së çmimeve është i pashmangshëm në kushtet e një varësie kaq të madhe ndaj importit dhe në mungesën e politikave proteksioniste për prodhimin vendas.

Rezervat shqiptare?

Që nga privatizimi i ARMO-s nga Taci Oil, situata e tregut të naftës në vend ka ndryshuar. Para privatizimit, kompania prodhonte më shumë se 1/3 e karburantit që konsumohej çdo vit në Shqipëri, shumica e këtij prodhimi shkonte jashtë vendit për shkak të cilësisë së keqe të naftës dhe sasitë e larta të squfurit, kombinuar me kapacitetet shumë të dobëta përpunuese të kompanisë.

Tani thuhet se një pjesë më e madhe e këtij prodhimi përfundon në tregun vendas, por nga ana tjetër, nuk ka të dhëna konkrete sesi ka ndryshuar tregu i ARMO-s nga para pas privatizimit. Sipas portalit karburante.com, një shkak për rritjen e çmimeve në vend është “mosrafinimi i mjaftueshëm i naftës nga rafineritë vendase... këto të fundit shërbenin si amortizator në kohet e rritjes së çmimit të naftës në botë”.

Ndërkaq rezervat e provuara të naftës në vend, para zyrtarizimit të zbulimit të fundit, llogariten në rreth 198 milionë fuçi. Por, vendi rezulton të ketë rezerva nafte ende të papërdorura, por që ka gjasa të nxirren me leverdi ekonomike, vetëm në rastin kur çmimi naftës në tregjet ndërkombëtare të fiksohet në shifra shumë më të larta se 100 dollarët për fuçi.

Në fund të vitit 2007, Manas Petroleum, një kompani kanadeze raportoi një zbulim në Shqipërinë e Mesme dhe Veriore, prej 3 miliardë fuçish, nga të cilat 1.4 miliard raportohen si të arritshme. Rezervat ndodhen rreth 5 100 metra, ndërsa në Arabinë Saudite, për shembull, thellësia e rezervave të naftës është rreth 500 metra. Kjo shpjegon se përse për këto rezerva shqiptare nuk ka ende investime konkrete për t’i nxjerrë.

Arabët, amerikanët & të tjerët

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë – e cila ka rol këshillues për vendet – tha më 18 janar se “çmimet treshifrore të naftës ka rrezik të dëmtojnë përtëritjen ekonomike në botë”, duke dhënë nga ana tjetër një sinjal të fortë se Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) duhet të rrisë prodhimin. OPEC u përgjigj thatë duke thënë se sasitë e shpërndara në botë janë të mjaftueshme për t’i bërë ballë kërkesës.

“Ndërkohë që disa vende aziatike po e llogarisin naftën bruto mbi 100 dollarë fuçia, rreziqet e veprimeve të OPEC mund të jenë edhe më të larta”, deklaroi këtë javë një nga ekspertët e JPMorgan Chase & Co. “Nuk do të çuditeshim që të dëgjonim retorika publike nga vendet konsumatore gjatë ditëve që vijnë. Pas kuintave, nuk ka dyshim se edhe presioni do të rritet paralelisht”, vijoi analisti.

Një tjetër analist tha se nga ana tjetër ekziston edhe rreziku i rritjes së paparalajmëruar të prodhimit nga OPEC: “Ekziston një rrezik në rritje se duke mbërritur në zyrë një të hënë, mund të mësosh që OPEC ka rritur prodhimin në nivele dramatike”.

Prodhuesit e naftës, por dhe konsumatorët mund të vuajnë nëse çmimi naftës së papërpunuar qëndron ënn nivelin 95-100 dollarë për fuçi, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë. Nga ana tjetër, rezervat e mbajtura nga kompanitë në vendet më të zhvilluara, llogariten në 2.74 miliardë fuçi, shumë pranë pikut të pesëvjeçarit të fundit.

OPEC, i cili është përgjegjës për 40 për qind të furnizimit botëror, lëshoi një deklaratë në faqen e tij të internetit, duke thënë se në treg ka më shumë naftë nga ç’nevojitet, si dhe premtoi se do të vepronte në rast se vërtet vëreheshin mungesa në treg. Grupi ka planifikuar të rishikojë kuotat e prodhimit në qershor.

“Çdo supozim se ka shtrëngime në treg është jokorrekt”, deklaroi Sekretari i përgjithshëm i OPEC, Abdalla El-Badri. “Në të vërtetë, stoku tregtar qëndron shumë lart mbi mesataren e pesë viteve të fundit, duke arritur të mbulojë nevojat e së ardhmes për rreth 60 ditë. Ka me bollëk naftë në treg”, theksoi ai.

Zyrtarë të OPEC, përfshi El-Badri-n dhe ministrin iranian të Naftës, Masoud Mir-Kazemi, janë të mendimit se fuçitë 100 dollarëshe nuk është e thënë të frenojnë rritjen ekonomike.

“Rritja e çmimeve të naftës drejt 100 dollarëve nuk është aq shqetësuese sa për të bërë një mbledhje urgjente”, tha Mir-Kazemi, duke shtuar se asnjë prej anëtarëve të OPEC nuk e konsideron këtë shifër si të paarsyeshme. Në vend që të reagojë sipas kërkesave të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, OPEC ka të ngjarë të presë për prova të qarta që konsumatorët kërkojnë vërtet fuçi shtesë, sipas një brokeri londinez, pjesëtar i PVM Oil Associates Ltd.