e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

E Premtja e Zeze

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
E Premtja e Zeze
Dita dhe nata që vrau dhe ndryshoi Shqipërinë. Demonstrimi i opozitës përfundon me tre të vrarë dhe një të katërt në rrezik të rëndë për jetën. Dhjetra të plagosur nga qytetarët dhe forcat e policisë. Nga lufta e plumbave, gazit lotsjellës dhe gurëve në Bulevard, në betejën e ekraneve.

Mbrëmja kishte rënë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Shumë punonjës policie të veshur me pajisje speciale, mburoja plastike, shkopinj gome, skafandra dhe armatim personal ishin bërë më së fundi “zotër” të bulevardit. Dy blinde të policisë dhe disa furgonë filluan një xhiro rrethore në shesh, niseshin nga skaji fundor i kryeministrisë nga ana e Hotel Rognerit dhe ktheheshin tek fundi i dy kullave, në një demonstrim force. Në hapësirën që ato qarkonin, ndodheshin demonstrues të vetmuar dhe kalimtarë kureshtarë. Por kjo nuk bënte dallim: policia u sul ndaj tyre me shkopinj gome duke qëlluar egërsisht, disa nga ta hipeshin në furgonat e policisë, disa të tjerë thjesht rriheshin. Një shfrim i pabesueshëm “adrenaline” nga njerëzit e veshur me pushtetin e uniformës dhe të ligjit që shoqëroi orë të tëra tensioni. Në hyrje të njërës nga Kullat, deputeti socialist Fatmir Xhafaj goditet nga pas dhe me gjakftohtësi nga një polic në këmbë. Polici e njohu që ishte deputet i opozitës dhe pikërisht për këtë arsye edhe e goditi.

Gjak në Bulevard

Më pak se dy orë më parë, kishte ndodhur edhe e pabesueshmja: tre demonstrantë ishin goditur me armë zjarri duke humbur jetën pa mundur as të mbërrijnë gjallë në spital, demonstrues dhe policë ishin plagosur. Shumë nga të parët me armë zjarri, të dytët me mjete të forta. Të paktën dy nga vrasjet ndodhen, sipas dëshmitarëve lokalë, në një nga momentet pezull të demonstrimit: kur mes qytetarëve dhe policisë kishte një distancë të vogël dhe “palët” dukej se nuk kërcënoheshin nga njëra-tjetra. Vrasja e tretë, fillimisht sipas dëshmitarëve okularë dhe më pas, edhe nga një video që u shpërnda me shpejtësi në Youtube, ka ndodhur nga ndodhur në drejtimin Kryeministri-Bulevard. Në pamje dallohet qartë një armë automatike që qëllon nga dritarja e dytë, në katin përdhes të fasadës anësore të godinës në drejtim të një qytetari të veshur me xhakavento të zezë, që ndodhej në krahun e majtë të hyrjes për në godinë. Viktima ndodhej në krah të një burri të moshuar të thinjur dhe bie në anën e djathtë. Më vonë u mësua se ai ishte një nga viktimat e ngjarjes. Përpara tij, një djali i ri me kostum sportiv që qëllonte me gurë u largua, pa kuptuar se ndoshta mosha e re e kishte kursyer momentin fatal për të, ashtu siç duket se mosha, e bëri shënjestër të parazgjedhur viktimën e armës së zjarrit.

Ndërmjet gjithë këtyre episodeve, në Bulevardin Dëshmorët e kombit kishte ndodhur gjithçka. ajo çfarë kishte nisur me tension, kishte vazhduar me tension dhe ndryshoi gjithë Shqipërinë. I dha asaj të vdekurit e panevojshëm të një demonstrimi që nisi paqësisht, që u provokua me gjaknxehtësi nga policia ende pa nisur mirë. Që pa un mbledhur mirë të gjithë demonstruesit, policia ndërhyri me makina që hidhnin ujë me presion mbi turmën dhe me gaz lotsjellës. Nuk u kursyen as gazetarët që ndiqnin direkt ngjarjet në Bulevard, mbi ta, në një nga tarracat e dy Kullave u hedhën tre bomba me gaz lotësjellës. Më pas, skenari vazhdoi sërish rëndë: ai u shoqërua nga dhjetra ndalime të qytetarëve. Shumica e tyre nga rrethet, të cilët u pritën nga forcat e policisë në stacionet ku kishin ndaluar autobuzët e tyre që do t´i kthenin sërish nga kishin ardhur. Nuk ka një bilanc të qartë të asaj çfarë ndodhi në mbrëmjen e të premtes në Tiranë dhe rrethina dhe shumë episode të saj do të mbeten të panjohur për një fakt të thjeshtë: janë shumë të tillë dramatikë.

Beteja e ekraneve

Rrugët u shkretuan me ardhjen e mbrëmjes. Lajme me burim policinë se në dy raste kishte pasur tentativa për grabitje të pronës private megjithatë bënë një efekt domethënës. Qytetarët tashmë ishin kthyer në banesat e tyre për të dëgjuar deklarimet e politikës.

Deri në orën 19.00, drejtuesi i opozitës së bashkuar Edi Rama kishte dalë në tre komunikime të njëpasnjëshme për median. Dënonte përdorimin e dhunës, denonconte përgjigjen e shproporcionuar të policisë dhe bënte thirrje për një zgjidhje politike. Kryeministri Berisha e kishte paralajmëruar daljen e tij vetëm në orën 19.30. Shenjat e para ishin se ai kishte zgjedhur rrugën e ashpër. Dhe shenjat nuk gënjyen. Me fjalorin e tij të zakonshëm, kryeministri sulmoi Ramën, Ruçin dhe Gjinushin, tha se të dhënat paraprake flisnin për vrasjen e viktimave nga distancë e afërt dhe me armë që nuk disponohen nga policia. Zoti Berisha foli se kundërshtarët e tij kishin zgjedhur skenarin tunizian.

Reagimi ndërkombëtar ishte i menjëhershëm, një deklaratë e përbashkët e ambasadës amerikanë në Tiranë, BE-së dhe OSBE-së dënuan dhunën dhe kërkuan rikthimin e normalitetit. Më pas edhe Departamenti Amerikan i Shtetit ndërhyri me një deklarim të zëdhënësit të vet. Presidenti i Republikës Bamir Topi ishte në të njëjtën linjë: të rikthehet stabiliteti.

Më tej në mbrëmje, të gjithë televizionet shqiptare që transmetonin direkt që nga mesdita, nisën një maratonë bisedash televizive, me analistë dhe figura politike. Ministra të qeverisë Berisha aty folën edhe për një makinë tip Benz të ngarkuar me dinamit që u përplas në hyrjen e kryeministrisë. “Ishte fat që nuk shpërtheu”, u tha. Në fakt, makina u shty në atë drejtim nga një grup protestuesish dhe nuk ka asnjë mundësi praktike dhe teorike që ajo, në bagazh apo në brendësi të saj, të kishte ngarkesë dinamiti. Ky lloj eksplozivi shpërthen vetëm në kushte specifike, me fitil me kapsollë denonatore ose në kushtet kur arrin një nxehtësi shumë të lartë. Por në këtë rast të dytë, vetëm digjet.

Në mbrëmje kishin filluar punën grupet hetimore të prokurorisë. Në një nga hetimet më delikate që janë kryer ndonjëherë në Shqipëri. Që kanë precedent vetëm 2 prillin e vitit 1991 në Shkodër kur u vranë katër protestues dhe sulmin mbi kryeministri në 14 shtator 1998, kur godina u godit deri dhe me antitank. Në rastin e parë, komunistët e partisë së punës u detyruan që brenda një viti të dorëzojnë pushtetin me zgjedhje të parakohshme, në të dytin, ish-kryeministri Fatos Nano dha dorëheqjen për t´i hapur rrugë një zgjidhjeje politike. E premtja e zezë e 21 janarit 2011 është e treta në rradhë. Normalisht, edhe kjo e Premte kërkon një zgjidhje politike, si e vetmja rrugë drejt stabilitetit të përgjakur të vendit.