Na nderon Shqiperia U-17-ta, kualifikohemi ne EURO 2014
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Përundon gjithcka, mes emocionesh të shumta dhe një loje të mirë të tanëve, në barazimin e bardhë 0-0. E vecanta e kësaj sfide ka qenë përcjellja nga afër e gjithckaje prej trajnerit të kombëtares së madhe, De Biazi, i pranishëm në tribunën VIP, duke mbajtur edhe shënime madje. Falë edhe fitores 2-0 të Rumanisë ndaj Bjellorusisë në Pogradec, ndeshje e luajtur në të njëjtën orë, kuqezinjtë tanë, të drejtuar nga Xhemal Mustedanagic, kualifikohen për në raundin tjetër, atë elitar (elite round), të këtij kompeticioni. Një sukses i merituar dhe që nxjerr në pah punën e mirë të bërë nga boshnjaku Mustedanagic, një njohës mjaft i mirë i futbollit të moshave, por edhe i elementëve cilësorë që ka afruar në kombëtaren U-17 të Shqipërisë.
SHQIPERI-FINALNDE 0-0
SHQIPERIA: Kastrati, Toli, Bregasi, Ivani, Ranxha (Ranxha 61′), Zenuni, Deliu, Bare, Hyseni, Kushta (Bakalli 46′), Zoizi (Gjini 50′). Trajner: Xh.Mustedanagic
FINALNDE: Marttinen, Mäkinen, Böckerman, Ruuskanen, Kalermo, Malolo, Riikonen (Jensen 46′), Niskanen, Ala-Myllymäki, Haglund, Jakonen. Trajner: I.Mäkelä
Gjyqtarë: C.Reisch, C.De Carolis (Luksemburg), L.Todria (Gjeorgji)
Kartonë të verdhë: Bakalli 50′, Kastrati 70′, Gurma 75′ / Ruuskanen 46′
Shqipëria U-17 kualifikohet për në “elite raund”, në kualifikimet për Europianin e radhës. Ka mjaftuar një barazim i bardhë në Korçë ndaj Finlandës, si dhe fitorja e Rumanisë në Pogradec 2-0 ndaj Bjellorusisë, që kuqezinjtë të kalonin më tej si skuadra e dytë e grupit. Përgjithësisht, loja ka qenë e organizuar dhe me një qartësi të admirueshme tekniko-taktike.
Takimi - Ndeshja nis me vrull, dëshirë e grintë për tanët, që e spostojnë lojën shpejt në gjysmëfushën finlandeze. Këta të fundit bien pre e presingut kuqezi, tërhiqen në thellësi dhe tentojnë të rrezikojnë përmes kundërsulmit. Sa u takon rasteve, Zenuni godet nga distanca në minutën e 20-të, duke finalizuar një aksion të bukur nga e majta e kuqezinjve. Më herët kishte rrezikuar Kushta dhe Deliu, që në dyluftime me mbrojtësit kundërshtarë fituan goditjet e para nga këndi. Sakaq, Bare tenton nga distanca në minutën e 27-të, por topi nuk ka forcën e duhur. Një minutë më vonë është Kushta që do shënojë, por goli është i pavlefshëm, pasi anësori jep pozicion jashtë loje.
Kualifikimi - Edhe fraksioni i dytë i lojës është pak a shumë i njëjtë: me kuqezinjtë që tentojnë të shënojnë për të qenë më të qetë dhe me miqtë që mbrohen me forca të shumta, në kërkim të pikës së nderit. Për të forcuar repartin ofensiv, trajneri Mustedanagiç hedh në lojë në minutën e 50- të edhe Gjinin në vend të Zoizi. Po ashtu, Gurma zë vendin e Ranxhës, duke e freskuar skuadrën kuqezi, që tashmë ndeshet me një reagim të finlandezëve, të cilët shtojnë edhe ata forcën sulmuese drejt gjysmëfushës sonë. Ajo çka bie në sy ka të bëjë me mungesën e finalizimit në të dyja kampet respektive, sepse lojtarët angazhohen më shumë në goditje personale nga distanca. Gjithsesi, rrjetat e të dyja portave mbeten të paprekura deri në fund dhe Shqipëria e drejtuar nga Mustedanagiç, ashtu sikundër para dy vitesh, realizon sërish një kualifikim mes më të mirave të Europës. Me një fitore, një barazim dhe një humbje, Shqipëria U-17 e mbyll në vendin e dytë këtë raund eliminator të Europianit të kësaj grupmoshe, finalet e të cilit (elite raund) do të luhen vitin tjetër në Maltë. Sipas formatit në këtë raund marrin pjesë 28 ekipe nga ku më pas kualifikohen 7 (fitueset e 7 grupeve), të cilave do t’u shtohet edhe vendi pritës, Bullgaria, për fazë finale të EURO 2015.
“Kemi të ardhme, bëjmë mirë edhe në Europian”
Trajneri i U-17 të Shqipërisë, Xhemal Mustedanagiç, e ka vlerësuar lojën e skuadrës së tij, duke premtuar se ky grup mund të bëjë mirë edhe në ndeshjet e EURO 2014 në Maltë. “Shumë njerëz nuk besonin te kjo kombëtare, por ja që ne tani jemi në “elite raund” dhe kjo sigurisht që nuk është e paktë. Është meritë e të gjithë këtij grupi dhe mund të deklaroj me bindje se, si shqiptarët nëpër botë që luajnë për fanellën kuqezi nuk kam parë në asnjë vend. Futbolli shqiptar ka të ardhme të sigurt dhe këtë e them edhe tani që kemi arritur kualifikimin. Çunave të ekipit u them fjalët më të mira, sepse u treguan vërtet heronj në fushë. Na munguan në këto eliminatore plot 6 lojtarë, çka do të thotë se në tri ndeshje ishim me vetëm 11 futbollistë. Tani që jemi në “elitë raund”, të gjitha skuadrat e tjera janë sipër nesh në renditjen e përgjithshme, por ne do të punojmë shumë që edhe atje të tregojmë vlerat tona më të mëdha”.
De Biazi: Arritje e madhe, mungoi goli
Xhani De Biazi e ka vlerësuar lojën e kuqezinjve të vegjël, si dhe kualifikimin për më tej. “Ishte një ndeshje vërtet e bukur dhe tani që jemi kualifikuar ndihem i lumtur. Kam parë një pjesë të parë të bukur për ne, në të cilën na ka munguar vetëm goli. Ndërkohë në pjesën e dytë u ndje lodhja në fushë, por që na mjaftonte barazimi dhe për mua vazhdimësia më tej ka të bëjë shumë. Ky ekip luan pothuajse me skemën që luan edhe ekipi i të rriturve dhe sot (dje) do të veçoja të gjithë grupin e lojtarëve, duke thënë se të gjithë kanë luajtur si heronj”.
GRUPI 1/ KALENDARI
Bjellorusi – Finlandë 1-0
(Vasiliev 67′)
Rumani – Shqipëri 1-0
(Ivan 50′)
Finlandë – Rumani 0-1
(Ivan 76′)
Bjellorusi – Shqipëri 1-2
(Nikulin 37′/ Toli 22′, Bakalli 80+5′)
Rumani – Bjellorusi 2-0
(Stoica 13′, Manea 80+2)
Shqipëri – Finlandë 0-0