e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Mundja, tre sportiste ne olimpiade

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mundja, tre sportiste ne olimpiade
Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Mundjes, Ndriçim Spahiu thotë se Shqipëria mund të përfaqësohet me tre mundës në Olimpiadën, “Londër 2012”. Nëse përfaqësimi me tre mundës në olimpiadë, është bazuar tek dëshira apo tek mundësitë reale të ekipit, Spahiu tha se “mundësitë tona janë reale, pasi sporti i mundjes varet nga rezultatet individuale dhe jo ekipore, pikët nuk ekzistojnë në këtë sport”.

Mundja në Shqipëri nuk po jep rezultate të larta krahasuar me disa vite më parë, kur konsiderohej një nga sportet elitë në vend. Lidhur me këtë fakt, Spahiu thotë se “kohët kanë ndryshuar dhe bashkë me të dhe sporti i mundjes. Tashmë ka ndryshuar mënyra e perceptimit të sportit dhe mënyra e të ndeshurit si në aspektin taktik dhe atë fizik. Në krye të federatës kam ardhur para dy vitesh dhe pas zgjidhjes së një konflikti, puna po ecën mirë dhe në rrugën e duhur”, tha ai. Sa i përket mundësisë së kualifikimit në olimpiadë, skuadra jonë e mundjes do të konkurrojë në tre evenimente, të cilat do të përcaktojnë dhe numrin e sportistëve që do të marrin pjesë në “Londër 2012”.

“Ne do të përfaqësohemi në tre gara deri në fillimin e olimpiadës, si në garën e Londrës.  Bullgarisë dhe Finlandës, në të cilat rezultatet do të përcaktojnë dhe pjesëmarrjen tonë në olimpiadë”, tha Spahiu. Ekipi ynë i mundjes përbëhet nga pesë sportistë, dy në stilin klasik dhe tre në stilin e lirë. Sekretari i FSHM-së tha gjithashtu se sportistët po stërviten intensivisht për të arritur rezultatet e duhura në këto gara, pasi qëllimi i vetëm është arritja e rezultateve që do të na kualifikonin në olimpiadë.

“Kemi planifikuar për t’i stërvitur sportistët në disa vende jashtë Shqipërisë për t’i krijuar atyre kushtet optimale për t’u përfaqësuar me nivel në këto gara të cilat janë me shumë rëndësi”, tha Spahiu. Deri më tani ekipi ynë olimpik përbëhet nga nëntë sportistë, katër nga peshëngritja, një nga sporti i xhudos dhe katër janë vende të lira, të cilat do të plotësohen me dy sportistë nga noti dhe dy nga atletika. Konkurrimi i ekipit të peshëngritjes me katër sportistë përbën risi për Shqipërinë në këtë olimpiadë, pasi në olimpiadat e mëparshme jemi përfaqësuar me dy të tillë.

Sekretari i përgjithshëm i peshëngritjes, Ilir Kraja tha se ekipi i peshëngritjes përveç përfaqësimit me katër sportistë, pretendon edhe një vend të pestë, kësaj radhe për një femër. Sportet individuale me kriter fizik, siç janë mundja dhe peshëngritja kanë qenë vërtetë rezultative në kohë të ndryshme, duke përfaqësuar shumë lart Shqipërinë nëpër kampionate të ndryshme europiane dhe botërore. Janë pikërisht këto sporte ku kemi shpresuar gjithnjë për marrjen e medaljeve, e cila mbetet ende një ëndërr e parealizuar nëpër olimpiada.