Momenti kur Hasi foli shqip, pas trofeut ne Belgjike
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Strategu shqiptar, Besnik Hasi, është votuar si trajneri i vitit në Belgjikë. Trajneri i Anderlechtit ka fituar votimin e fshehtë të trajnerëve të klubeve të elitës belge të futbollit. Ish-mesfushorit të Kombëtares shqiptare çmimi iu dha në një mbrëmje gala, të organizuar të mërkurën, nga liga elite e futbollit belg, e njohur si “Jupiler League”. Gjatë fjalimit, Hasi ka falënderuar klubin në gjuhën vendase, por pa harruar edhe familjen e tij. Trajneri e ka përfunduar në mënyrë emocionuese fjalimin, duke e falënderuar familjen në gjuhën shqipe.
“Fillimisht më duhet të falënderoj klubin që më dha mundësi dhe kohë që të ngritem në detyrë dhe të bëhem trajner i parë i skuadrës. Është një nder i madh. Një dedikim të madh më duhet t’ia bëj edhe familjes sime. Jua dua shumë, pa ju nuk do të isha këtu ku jam”, deklaroi Hasi. Hasi është fituesi i edicionit të 61-të të kësaj lige, duke bërë krenarë të gjithë shqiptarët, pasi ai është i pari trajner shqiptar që korr këtë sukses.