e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Mojes: Januzaj do te behet legjende! Por vazhdon debati per simulimet

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mojes: Januzaj do te behet legjende! Por vazhdon debati per simulimet

David Mojes është i bindur se Adnan Januzaj ka gjithçka që duhet për t’u bërë një legjendë te Mançester Junajtid. Tekniku i “djajve të kuq” nuk ka ngurruar ta deklarojë një gjë të tillë edhe në një prononcim që ka dhënë për BBC rreth 18-vjeçarit, i cili ka shpërthyer në këtë sezon me ekipin e parë, edhe pse kohët e fundit është rrethuar nga polemikat rreth simulimeve.

“Këto fjalë nuk më shqetësojnë aspak. Ai është një futbollist shumë i talentuar. Nuk kam asnjë dyshim se do të bëhet një nga lojtarët më të mirë që do të luajnë në këtë vend dhe me shumë mundësi, ndër më të mirët e historisë së Mançester Junajtid. Më kujtohet kur Ronaldo erdhi këtu, shumë njerëz folën në të njëjtën mënyrë rreth tij. Por mos harroni se djaloshi është 18 vjeç dhe ai do të përmirësohet në të ardhmen. Ai do të mësojë. Ai do ta kuptojë më shumë lojën. Ajo që po bën tani, është të japë një kontribut si futbollist në ndeshjet që luan”, tha Mojes.

Megjithatë, ndeshja kundër Totenhemit i siguroi Januzajt kartonin e tij të tretë të verdhë të dhënë për simulim në 14 ndeshjet që ai ka luajtur në kampionat. Kaq ka mjaftuar që futbollisti shqiptar të fitojë nofkën “simuluesi”, pasi shumëkush mendon se që tani, ai rrëzohet shumë lehtë në tokë. Si statistikë për të mbështetur këtë ide, janë dhënë shifrat e lojtarëve që kanë marrë më shumë kartonë të verdhë për simulime në vitet e fundit. Që nga viti 2008, kur kartoni i verdhë u bë i detyrueshëm për simulimet, Garet Beil mban rekordin në Angli me 7 kartonë të verdhë, ndjekur në vendin e dytë pikërisht nga Januzaj dhe Fernando Torres, të cilët kanë nga tre kartonë të verdhë. Me pak fjalë, Januzaj në vetëm 14 ndeshje, është ndëshkuar më shumë për simulime se ata që cilësohen “specialistë” si Luis Suarez, Eshli Jang, Didier Drogba apo Kristiano Ronaldo. Megjithatë, në mbrojtje të tij ka dalë statistika tjetër, ajo që përcakton se shqiptari pëson mesatarisht 2.9 faulle në ndeshje, më shumë se çdokush tjetër në Angli.