e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Moisiu: Te zbatohet Marreveshja e Ohrit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Moisiu: Te zbatohet Marreveshja e Ohrit

Ish-presidenti reagon ndaj dhunës në Maqedoni: Kujdes, në 2001-n çoi në luftë civile

“Nuk është puna ta pranojnë marrëveshjen me fjalë, por ta zbatojnë në praktikë”

“Diplomacia dhe politika shqiptare duhet të mësojë nga gabimet e së shkuarës”, ishte ky apeli që vjen nga ish-presidenti i vendit, Alfred Moisiu gjatë Konferencës së Ambasadorëve. Në ditën e dytë të kësaj konference, në panelin “Diplomacia në veprim”, Moisiu, duke u ndalur te marrja e statusit nga vendi ynë, theksoi se marrja e statusit të vendit kandidat e bën shtetin shqiptar për herë të parë pas 1913-s, ta ndiejë veten pjesë e bashkësisë perëndimore europiane. “Rëndësi ka sa jemi të përgatitur për sfidat e reja, ne duhet të mësojmë nga gabimet e së kaluarës. A ka nisur për shqiptarët një epokë e re dhe a është integrimi diçka më shumë se një premtim politik? Shqipëria është një prej vendeve që nuk krijon, por konsumon shumë politikë kontinentale. Ajo ka detyrimin kushtetues të merret me problematikën shqiptare kudo që shfaqet, duhet të ketë rol specifik dhe në zhvillimet që ndodhin në shumicën e shteteve fqinje rajonale”, vlerësoi ish-presidenti. Duke marrë shkas nga rasti më i fundit, kur kryeqyteti i Maqedonisë u shndërrua në arenën e dhunimeve dhe protestave, ish-presidenti i apelon shtetit të vendit fqinj për të qenë më i përgjegjshëm dhe për t’i trajtuar me barazi marrëdhëniet mes etnive atje, të cilat në 2001 çuan deri në luftë civile. “Nuk është puna ta pranojnë marrëveshjen me fjalë, por ta zbatojnë në praktikë. Këtë nuk duhet ta kuptojnë vetëm Kryeministri dhe Presidenti, por edhe qytetarët e thjeshtë. Nëse shqiptarët nuk konsiderohen të barabartë me qytetarët e thjeshtë, atëherë nuk dihet sesa do të durojnë. Politika duhet të jetë shumë e kujdesshme”, deklaroi Moisiu. E rëndësishme për vendin tonë, sipas Moisiut, është edhe reagimi i vendit tonë për politikën që po ndiqet nga Serbia kundrejt Kosovës. “Nxitje të strukturave paralele serbe dhe ndërhyrje të vazhdueshme në çështjet e brendshme të Kosovës. Kosova po i tregon botës që është model paqeje dhe stabiliteti në rajon. Qeveria jonë dhe ajo e Kosovës nuk duhet të heshtin më për këtë gjë”, – u shpreh Moisiu.

Deklarata

PD: Konflikti në Maqedoni, i dëmshëm dhe i papranueshëm

Partia Demokratike ka mbajtur një deklaratë në lidhje me zhvillimet e fundit në Maqedoni, duke kërkuar në radhë të parë një dialog mes palëve si dhe shtensionim të situatës. “Partia Demokratike po përcjell me vëmendje dhe me shqetësim zhvillimet e fundit në Maqedoni, ku prej disa ditësh ka një klimë tensioni deri në shpërthim të dhunshëm ndëretnik. PD konsideron se një konflikt i tillë është i dëmshëm për Maqedoninë dhe i papranueshëm për rajonin. Këto zhvillime shqetësuese shkojnë në të kundërt të aspiratës dhe vlerave të integrimit europian.

Bashkëjetesa etnike dhe toleranca është rruga të cilën rajoni duhet të ndjekë dhe jo e kundërta. Kjo e vërtetë është jetike në mënyrë të veçantë për Maqedoninë. Integrimi euroatlantik dhe bashkëjetesa etnike janë simbiozë e pashmangshme për ekzistencën dhe të ardhmen e këtij shteti. PD u bën thirrje forcave të sigurisë maqedonase, të vetëpërmbahen në kufijtë e zbatimit të ligjit”, thuhet në deklaratën për median.