e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Misioni 10, Reali fluturon me CR7

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Misioni 10, Reali fluturon me CR7
Reali i Madridit thuajse e hipotekon kalimin në gjysmëfinale, pasi shkatërroi 3-0 Gallatasarain në ndeshjen e parë në Bernabeu. Murinjo vazhdon rrugën e tij për “la Decima”-n e klubit madrilen.

Pritej me shumë interes kjo sfidë, e cila shikonte nga njëra anë madrilenët e Zhoze Murinjos, që kanë mbështetur të gjitha forcat në Champions League, ngaqë distanca në La Liga mes tyre dhe Barcelonës është shumë e madhe, dhe, në anën tjetër, turqit e Fatih Terim me Shnajder e Drogba, që rigjejnë përballë ish-teknikun e tyre portugez. Po ashtu, ishte dueli mes dy golashënuesve më të mirë të Champions League, Kristiano Ronaldos dhe Burak Ilmaz, të cilët kishin realizuar nga 8 gola në po aq ndeshje të luajtura.

Ndërsa trajneri turk kishte përfshirë në formacionin e parë tre yjet e tij, në anën tjetër Murinjo konfirmon edhe një herë lënien jashtë të portierit Kasiljas, edhe pse ky i fundit është rikthyer në formë. Ndërsa në portë ishte sërish Diego Lopez. Po ashtu, tekniku portugez zgjedh Benzemanë dhe jo Higuain si sulmues qendre. Fillimi i ndeshjes flet për Realin e Madridit, i cili menjëherë vë në vështirësi kundërshtarin dhe kërcënon me aksione të shpejta. Dhe fraksioni i parë 45 minutësh ka njohur dominimin e skuadrës së Zhoze Murinjos, që mundi të gjejë dy herë rrugën e rrjetës me Ronaldon dhe Benzema.

Pas vetëm 9 minutash lojë, spanjollët kanë zhbllokuar rezultatin me anë të yllit portugez, i cili pasi ka marrë një asist të zgjuar nga Ëzil, nuk e ka pasur shumë të vështirë të mposhtë portierin Fernando Muslera me një palonetë kirurgjikale. Pak para se të plotësohej një gjysmë ore, arrin edhe goli i dytë, kur Benzema, në limitet e zonës së portierit, arrin të ndalë mirë një kros të Esien dhe e çon topin në rrjetë ngjitur me shtyllën e parë të portierit uruguaian të turqve. Në këtë pjesë të parë, turqit nuk kanë qëndruar duarkryq, por kanë sulmuar kundërshtarin, duke iu afruar golit në disa raste me Drogba, Altin Top dhe Ebue. Pjesa e parë mbyllet me fitoren 2-0 të vendasve.

Edhe e dyta nis nën ritmin e madrilenëve, të cilët qarkullojmë topin dhe tentojnë t’i afrohen portës kundërshtare. Por rastet më të mira i ka Gallatasarai, i cili nuk ka asgjë për të humbur dhe sulmon hapur madrilenët, duke rrezikuar me Drogba. Por në momentin më të mirë të turqve, vjen ndëshkimi i tyre: Higuain, i futur në fushë në vend të Benzema, në minutën e 73 me kokë, e çon topin në rrjetë për herë të tretë për madrilenët, pas ekzekutimit të një goditjeje dënimi nga Ksabi Alonso.

Në minutat e fundit, turqit provojnë gjithçka për të shënuar të paktën një gol, por është e pamundur të çahet mbrojtja e Realit, i cili me fitoren 3-0 hedh një hap të sigurt drejt kualifikimit, edhe pse janë për t’u luajtur dhe 90 minutat në Stamboll. Emocione dhe spektakël në Malaga-Borusia Dortmund, ku mungoi vetëm goli. Në Rosaleda është luajtur një ndeshje shumë luftarake, por që në 45 minutat e para nuk ka prodhuar asnjë gol. Rasti i parë i kësaj sfide ka qenë ai i Saviolës, por topi i goditur prej tij nga një pozicion i mirë përfundoi në rrjetën e jashtme.

Gjermanët përgjigjen me Gëtcen, i cili në fillim humbet dy raste të favorshme për të shënuar dhe më pas shpëton skuadrën e tij nga pësimi i golit, kur largoi topin mbi vijën fatale pas një goditjeje me kokë të Toulanan. Në fushë është luajtur një pjesë e parë e bukur. Edhe pjesa e dytë mes këtyre dy skuadrave është shumë e ekuilibruar. Gëtce humbet një tjetër rast të madh për të zhbllokuar rezultatin, ndërsa për vendasit është talenti Isko që rrezikon, por portieri gjerman arrin ta ndalë falë reflekseve. Me gjithë përpjekjet e të dyja skuadrave për të parë një gol, do të duhet të presim ndeshjen e kthimit, pasi ky takim i parë u mbyll me rezultatin 0-0.

Champions League

Çerekfinale

DJE

Malaga-B. Dortmund        0-0

R. Madrid-Gallatasarai     3-0

Ronaldo 9’, Benzema 29’, Higuain 73’

TË MARTËN

Bajern Mynih-Juventus 2-0

Alaba 1’, Myler 63’

Paris S.G.-Barcelona 2-2

Ibrahimoviç 80’, Matuidi 90’+4’ / Mesi 38’, Ksavi 88’ (11-m)