Milani, Baka: Refuzova miliona
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Karlos Baka është simboli i Milanit këtë sezon. Sulmuesi kolumbian, i paguar 30 milionë euro në merkaton e verës, deri më tani numëron 15 gola me kuqezinjtë në kampionat dhe Kupë, duke ndezur shpresën e "Djallit" për një vend në Ligën e Kampioneve.
Së fundmi, për lojtarin janë interesuar shumë skuadra, midis tyre edhe gjermanët e Bajernit të Mynihut, të cilët janë gati që ta "mbulojnë me ar" sulmuesin kuqezi, mirëpo, për Bakën, paratë nuk janë prioritet.
Numri 70, gjatë një interviste për "Premium Sport", ka rrëfyer se është i lumtur në Milano, teksa shpreson që të fitojë trofe me ekipin e Mihajloviçit. "Jam i qetë dhe i lumtur te Milani. Dashuria e tifozëve karshi meje tregon se po bëj një sezon të mirë.
Siç e kam thënë gjithmonë, jam shumë i lumtur këtu dhe kam një kontratë 5- vjeçare me klubin, të cilën dua ta respektoj. Tifozët nuk duhet që të frikësohen nga largimi im, pasi refuzova miliona për Milanin". Ishbomberi i Sevijes foli edhe për 30-vjetorin e presidencës së Silvio Berluskonit, duke zbuluar se kërkon që t'i bëjë një dhuratë "Kavalierit":
"Të mbretërosh 30 vite në një klub të madh si Milani është diçka e jashtëzakonshme. Sivjet duam që t'i dhurojmë të paktën një trofe (Kupën e Italisë) dhe të kualifikohemi për në kompeticionet europiane. Presidenti ka investuar shumë në këtë sezon dhe meriton që përkushtimi i tij të nderohet. Të gjithë jemi të mobilizuar për të bërë maksimumin".
Kundër Napolit - Sulmuesi u ndal edhe te sfida e radhës në kampionat kundër Napolit, të cilën e analizoi në këtë mënyrë: "Të luash kundër një ekipi të madh si Napoli, i cili renditet i dyti në tabelën e klasifikimit, nuk do të jetë e thjeshtë.
Sidoqoftë, i kemi të qarta detyrat tona: do të shkojmë në Napoli për t'u dhënë ecuri rezultateve të fundit pozitive dhe shpresojmë që të rikthehemi në Milano me tri pikët në kasafortë". Në fund të intervistës, Baka u foli sërish për tifozët:
"Ndihem shumë krenar për mbështetjen që më japin çdo ditë. Për mua, ky është një stimul më shumë për të dhënë gjithmonë më të mirën time në fushë. Tifozët e Milanit janë të mrekullueshëm, mirëpo do të isha më i lumtur nëse 'San Siro' do të mbushej çdo ndeshje me kapacitetin e tij maksimal. Kjo do të na ndihmonte shumë".