Migjen Basha: Respekt Kosoves, por do qendroj kuqezi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Migjen Bashën e ka gëzuar tej mase lajmi për lejimin e zhvillimit të miqësoreve të përfaqësueses së Kosovës. Futbollisti kosovar thotë se ky është një hap i madh drejt pranimit me të drejta të plota në FIFA dhe UEFA. Por, ai është i vetëdijshëm se për të ndodhur kjo, nevojitet një kohë goxha e gjatë.
Lojtari i Torinos thotë se tani duhet punuar brenda për brenda futbollit kosovar, për të qenë gati, kur shtëpia e futbollit ndërkombëtar ta japë “dritën e gjelbër” për pranim të FFK-së në ombrellën e saj. “Lajmin që e morëm nga FIFA normalisht që më ka gëzuar, jo vetëm mua, por edhe të gjithë shqiptarët. Është një lajm i madh dhe një hap i mirë, pasi nuk mund të kërkojmë shumë gjëra përnjëherë.
Kosovës i mbetet tani të punojë për rregullimin e infrastrukturës”, – deklaroi fillimisht Basha për “Sport Plus”. Atë megjithatë e ka nervozuar fakti që Kosova, në njëfarë mënyre, duhet t’i tregojë tërthorazi Serbisë para se të planifikojë të zhvillojë miqësore. S’i ndahet Shqipërisë Dihet që Kosova duhet të ndërtojë një skuadër cilësore, për t’u përballur me përfaqësueset tjera. Kohëve të fundit është përfolur shumë se në të ardhmen e afërt mund të ftohen edhe futbollistët që i përfaqësojnë vendet e tjera, ndër ta edhe Basha, i cili është pjesë e Kombëtares shqiptare.
Por, futbollisti therandas nuk po mendon për momentin për këtë punë. Ai thotë se, derisa Kosova të pranohet në FIFA, do të kalojnë disa vite dhe ndoshta kjo gjeneratë mund të jetë “plakur” në atë periudhë. “Momentalisht jemi larg nga pranimi. Unë kam folur vetëm një herë me Albert Bunjakin, pas një ndeshjeje që e patëm zhvilluar me Shqipërinë. Nuk besoj se ai do të na ftojë një herë për një herë ne futbollistëve që jemi në përfaqësueset e tjera. Mendimi im është se për Kosovën duhet të luajnë futbollistët që kanë luajtur edhe në të kaluarën, por edhe ata që luajnë në ligën vendore”, – u shpreh futbollisti kosovar. “Derisa të na pranojë FIFA, do të shkojë një kohë shumë e gjatë, nuk e di se sa vite do të kalojnë. Në atë periudhë, Kosova nuk e di se a do të më ftojë, pasi unë momentalisht jam 27 vjeç. Po mendoj se më mirë është të vazhdoj të luaj për Shqipërinë, pasi me këtë rast i përfaqësoj të gjithë shqiptarët”, – thotë ndër të tjera Basha.