e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Mesazhi per Konventen e LSI , Agolli apel per bashkimin e se majtes: Mblidhuni koke me koke

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Mesazhi per Konventen e LSI , Agolli apel per bashkimin e se majtes: Mblidhuni koke me koke
I njohur si patriarku i socialistëve, shkrimtari i njohur Dritëro Agolli ka përshëndetur dje Konventën Kombëtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku ka përcjellë mesazhin e bashkimit. Në pamundësi për të qenë i pranishëm fizikisht, ai ka zgjedhur që t’u drejtohet anëtarëve të kësaj konvente dhe nëpërmjet saj edhe gjithë anëtarësisë së kësaj force, me anë të një video-mesazhi që është transmetuar në ditën e dytë të punimeve të organit më të lartë vendimmarrës të LSI-së. Që në nisje të mesazhit Agolli bëri kujdes që t’u drejtohet anëtarëve të konventës me fjalën miq dhe jo shokë, siç i drejtohen rëndom të majtët njëri-tjetrit, për të shmangur siç edhe shprehet ai, kuptimin klasor dhe politik që i është dhënë asaj kohët e fundit.

“Të dashur miq dhe delegatë të Konventës së LSI-së, i dashur Ilir, kryetar i LSI. Në këtë ngjarje të rëndësishme, jo vetëm për partinë tuaj por dhe për vendin e shqiponjave, unë mund t’ju isha drejtuar edhe me fjalën, të dashur shokë. Por meqë fjala shokë, e përdorur nga rilindasit dhe parademokratikasit, ka marrë kuptim klasor, përdora, të dashur miq”, shkruan Agolli në hyrje të fjalës së tij. Megjithatë lë të kuptohet se përdorimi i fjalës shok nuk do të kishte asgjë të keqe, pasi ajo do të përcillte më mirë mesazhin e bashkimit të shqiptarëve. “Duke shkruar këto radhë të kësaj përshëndetjeje m’u kujtua një poezi e Naim Frashërit, me të cilën shpreh për herë të parë, një zemërim apo revoltë ndaj shqiptarëve të ndarë nga njëri-tjetri. Dhe në mënyrë metaforike ai shkruan duke përdorur fjalën shokë: Ejani këtu o shokë, mblidhuni kokë më kokë, te unë, ja si te kjo Konventa juaj, kokë më kokë.

A ka ndonjë kuptim klasor fjala shokë? Pse kujtojmë ne, që Naimi nuk mund t’i vinte fjalën Zotëri në vend të shokë? Dhe ne të shprehemi, ejani këtu zotërinj”, – shprehet më tej Agolli në mesazhin e vet. Ai gjithashtu nuk ka ngurruar të kritikojë politikën shqiptare si mbartëse të arrogancës dhe mendjemadhësisë, ndërkohë që i bën thirrje anëtarësisë dhe drejtuesve të kësaj force që të tregohen të matur për të mos u bërë pjesë e politikës së sharjes dhe të shpifjes, pasi një gjë e tillë paralajmëron ai, rrezikon të përçajë shoqërinë. “Unë bëra një hyrje të gjatë, por mendoj se mikrobi i shumëfjalësisë më ka infektuar nga ata që kanë një çerek shekulli që në fjalimet e tyre bëjnë të njëjtën hyrje, ose arrogante, ose mendjemadhe.

Francezët thonë: ekstremet puqen. Domethënë, arroganca të shpie në mendjemadhësi dhe mendjemadhësia në arrogancë. Ju, të dashur delegatë, mbrohuni nga këto dy vese që gjymtojnë kulturën e demokracisë. Sharjet, thashethemet, shpifjet, ndërhyrjet në jetën intime, kërcënimet për burgosje madje edhe për vrasje që bëhen në parlament dhe që duartrokiten ose dhëmbëzbardhësohen, janë pisha të ndezura që i vënë flakën shoqërisë”, – u shpreh Agolli në këtë mesazh, duke theksuar në të njëjtën kohë bindjen se Konventa e LSI-së do të dilte me vendime që i shkonin për shtat kësaj mesazhi. Ai nuk ka lënë pa prekur në këtë përshëndetje edhe çështjen e shumëdebatuar ditët e fundit, atë të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, duke hyrë në debat direkt me ata që kërkojnë të ngrenë lart rolin që luajti Ahmet Zogu në historinë e Shqipërisë dhe që nga ana tjetër, sipas tij, kërkojnë të eklipsojnë rolin që ka luajtur Ismail Qemali në ngritjen e flamurit në Vlorë dhe shpalljen e Pavarësisë.

“Flamurin në Vlorë nuk e ngriti asnjë parti. Në atë kohë, në botë ishin partitë demokratike dhe komuniste. Sot festimet i kanë marrë përsipër vetëm disa njerëz dhe meqë kanë mall për Mbretin, mendojnë se Ahmet Zogu është ai që bëri shtetin dhe bëri sakrificën që iku nga Shqipëria më 1939-ën me pushtimin fashist. Në këtë 100-vjetor të ngritjes së flamurit në Vlorë, i bëhen lavde Ahmet Zogut sikur ai ka ngritur flamurin në Vlorë dhe Ismail Qemali ishte një vjedhës emrash”, – theksonte më tej Agolli në fjalën e vet. Sipas tij, të gjithë ata që kërkojnë të luajnë këtë rol nuk janë gjë veçse çmitizues dhe antiheronj. “Do të kthehem te Naim Frashëri: Ejani këtu o shokë, mblidhuni kokë më kokë. Dhe unë do të ju them: Rrofshi, nuk do të ju them ju bekoftë Zoti. Pasi Zotin ne e kemi bërë nëpunës me rrogë”, – përfundonte shkrimtari Dritëro Agolli mesazhin e tij drejtuar Konventës së LSI-së