e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Holtkemper: 'Shqiperia pa siguri ligjore dhe e korruptuar'

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Holtkemper: 'Shqiperia pa siguri ligjore dhe e korruptuar'
Kompanitë gjermane i mungojnë tregut shqiptar për shkak të pasigurisë ligjore që ekziston në vendin tonë. Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Carol Mueller-Holtkemper shprehet se sipërmarrjet gjermane përballen me një paradoks kur vjen puna me Shqipërinë. Sipas saj nga njëra anë interesi i tyre për të investuar në vendin tonë është shumë i madh, por kuadri i përgjithshëm dhe klima krijon efektin frenues. Holtkemper ka komentuar edhe problemet e krijuara me linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë, ku qeveria gjermane është donatori kryesor. Sipas saj një ide e mirë do të ishte krijimi i një grupi pune në nivel teknik.

Në çfarë niveli janë aktualisht marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë?

Aktualisht në kontekstin e bashkimit të dhomave të tregtisë dhe industrisë Gjermani-Shqipëri, janë të regjistruara në këtë shoqatë 60 kompani nga Gjermania, të cilat janë aktive në tregun shqiptar. Sigurisht që në një ekonomi dinamike është krejtësisht normale që të vijnë kompani të reja, ndërsa kompani të vjetra të mbyllin aktivitetin e tyre dhe të largohen nga vendi. Megjithatë ne mund t’i japim edhe një shifër ose ta specifikojmë numrin e sipërmarrjeve dhe kënaqësinë e tyre në lidhje me aktivitetin që ato zhvillojnë në Shqipëri. Në fillim të vitit është bërë një anketim nga shoqata, sipas të cilit rreth 90% e sipërmarrjeve shprehen të kënaqura me aktivitetin e tyre në Shqipëri dhe do të kishin dëshirë të rivinin në vendin tuaj për t’u ribërë sërish aktive. Ndër pikat kryesore pozitive që ato nënvizojnë, është pikërisht motivimi pozitiv i njerëzve, gatishmëria dhe angazhimi i bashkëpunëtorëve të tyre shqiptar. Por sigurisht ka edhe sfida apo probleme që duhen zgjidhur dhe këto kanë të bëjnë më tepër me mungesën e sigurisë ligjore në vend, me korrupsionin, si dhe një problem i veçantë mbetet ai i rimbursimit të TVSh-së.

Kur i referohemi problemeve kemi parasysh bllokimin e linjës së Interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë. Si do të veprohet nga ana e qeverisë gjermane për këtë projekt? Cili do të jetë reagimi juaj dhe si do të zgjidhet çështja me qeverinë shqiptare?

Është fakt që nga njëra anë ekziston një marrëveshje e vlefshme mes qeverisë gjermane dhe asaj shqiptare për realizimin e projektit lidhur me linjën e interkonjeksionit Shqipëri- Kosovë. Gjithashtu, janë zhvilluar edhe procedurat përkatëse të tenderit lidhur me këtë projekt, ku sipërmarrje të ndryshme ishin të angazhuara në këtë tender, por prej disa kohësh janë vënë re disa diferenca të cilat vijojnë të ekzistojnë ende midis palëve. Deri tani nuk ka asnjë zhvillim të mëtejshëm lidhur me këto diferenca, megjithatë gjatë bisedimeve qeveritare të shtatorit, të dyja palët konfirmuan edhe një herë vullnetin e tyre që të punojnë në mënyrë konstruktive dhe të orientuara për nga rezultatet konkrete pikërisht për të zgjedhur një zgjidhje sa më të mirë të mundshme.

Pse nuk është treguar pak më e vendosur qeveria gjermane, duke qenë edhe donatori kryesor i këtij projekti, për ta zgjidhur çështjen me qeverinë shqiptare?

Jemi munduar të negociojmë me Shqipërinë, po përdor një shprehje gjermane, “në lartësinë e syrit”, pra si të barabartë me njëri-tjetrin. Shqipëria për ne është një partnere me të cilën ne bashkëpunojmë në mënyrë të barabartë, ndaj edhe unë mendoj që edhe pse ajo që është arritur deri tani nuk është 100% e kënaqshme për ne, them se vetëm fakti që ne kemi arritur një marrëveshje të përbashkët dhe vazhdojmë që të negociojmë rreth saj, është një bazë e mirë, një pikënisje e mirë. Ju keni të drejtë në atë që thoni, por mendoj se zgjidhja kërkon një farë kohe, do kohën e saj. Do të ishte sigurisht e dëshirueshme nga ana jonë që të krijohej një grup pune i autorizuar në nivel teknik, ekonomik dhe ligjor, së bashku me ekspertët e të dyja palëve që të punonin pastaj për gjetjen e një zgjidhjeje.

Në Shqipëri kohët e fundit janë bërë privatizime të mëdha publike dhe kanë marrë pjesë kompani të huaja me oferta të majme. Kompanitë gjermane i shikojmë pak të tërhequra nga këto procese. Cila është arsyeja? Mos nuk u intereson tregu shqiptar, apo janë më tepër probleme politike mes jush dhe qeverisë shqiptare?

Kompanitë dhe sipërmarrjet gjermane kanë një interes mjaft të madh për tregun shqiptar. Në konferencën e fundit të ekonomisë që u zhvillua në qershor, ishin rreth 300 kompani pjesëmarrëse në këtë konferencë dhe vizituan tregun shqiptar. Fakti që nga njëra anë kemi një interes të madh, por nga ana tjetër angazhimi konkret është në një nivel jo proporcional, sigurisht që ka të bëjë me problemet që kanë lidhje me mungesën e sigurisë ligjore dhe me luftën kundër korrupsionit. Sipërmarrjet gjermane i konsiderojnë kushtet e përgjithshme si tejet të rëndësishme për një angazhim të tyre eventual në Shqipëri. Ato sjellin teknologji solide, sjellin përvojën dhe eksperiencën e tyre, sjellin kapitalet, por presin edhe që të ketë një klimë ekonomike që të konsiderohet si miqësore me bizneset.

Vitin e ardhshëm do të jenë zgjedhjet parlamentare ndërkohë që këtë vit Shqipëria ka përpara sfidën e marrjes së statusit kandidat për në BE. Cili është apeli i Gjermanisë në lidhje me bashkëpunimin mes forcave politike, pozitës dhe opozitës?

Klasa politike në Shqipëri, qoftë kjo qeveria apo opozita shqiptare sigurisht që duhet të përpiqen në të mirë të vendit, që të gjejnë konsensusin dhe fjalën e përbashkët midis tyre. Këtu nënkuptoj një marrëdhënie pune dhe bashkëpunimi të vazhdueshme dhe konstruktive, në mënyrë që të mundësohet realizimi i atyre projektligjeve, të cilat kanë mbetur ende pa u miratuar, si dhe ajo që është më e rëndësishme realizimi konkret  konkret i tyre në praktikë. Nuk ka rëndësi se cili do të jetë vendimi që do të merret lidhur me statusin e vendit kandidat, por e rëndësishme është që Shqipëria në zhvillimin e saj të mëtejshëm, të ndërmarrë ato hapa që janë mjaft të rëndësishme për integrimin evropian. Këto janë mjaftë të njohura nëpërmjet 12 prioriteteve të përmendura në raportin e Komisionit Europian. Mua më duket se plotësimi i 12 rekomandimeve shikohet më tepër si një detyrë e bezdisshme, e cila pasi shkruhet në letër dorëzohet dhe më pas harrohet për t’u realizuar. Unë mendoj se nuk duhet të jetë kështu. Ato duhen parë si objektiva konkret qofshin këto të klasës politike apo dhe të shoqërisë shqiptare.

A mendoni se këto objektiva do të jenë të arritshme nga klasa politike shqiptare, duke pasur parasysh ashpërsimin e klimës politike mes forcave kryesore?

Është një situatë që nuk varet nga ne diplomatët pasi ne jemi thjesht vëzhgues në këtë proces. Këto objektiva të vendosura lidhur p.sh. me projektligjet që duhet të miratohen në Kuvend, gjykoj se janë tërësisht të realizueshme. Për sa i përket problemeve që kanë të bëjnë me ndërtimin e shtetit ligjor, me luftën kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, për këto pika sigurisht që kërkohet një angazhim i vazhdueshëm nga ana e klasës politike. Këto janë gjëra që nuk mund të realizohen as sot as nesër. Megjithatë edhe në këta sektorë është mjaftë e rëndësishme që të merren masa konkrete për realizimin e qëllimeve të vendosura. 

Për zgjedhjet

Do të monitorojmë edhe numërimin e fletëve të votimit

Cili do të jetë roli i Ambasadës gjermane dhe i zj. ambasadore në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2013? A do të bëheni ju një nga garantuesit e këtij procesi?

Gjatë këtij procesi zgjedhor ne do të procedojmë njësoj si në proceset e shkuara, ku do të kemi vëzhguesit tanë të integruar në grupin e vëzhguesve të ODIHR-it. Deri tani unë nuk kam të dhëna të sakta rreth numrit të këtyre vëzhguesve, por mendoj se do të procedohet njësoj si në procesin e fundit të zgjedhjeve lokale ku ne dërguam vëzhgues afatgjatë, të cilët monitoruan edhe procesin e “luftës” së fushatës elektorale, si dhe vëzhgues afatshkurtër të cilët monitoruan procesin e zgjedhjeve si dhe atë të procesit të numërimit të fletëve të votimit. Mendoj se edhe këtë herë ne do të veprojmë njësoj.