e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Meha me i mire se braziliani Diego, per De Biazin nuk vlen!

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Meha me i mire se braziliani Diego, per De Biazin nuk vlen!

Kanali televiziv, që transmeton kampionatin turk të futbollit, “LigTV”, ka bërë sot një krahasim mes Diego Ribas, mesfushorit me numër 10 të Fenerbahçes, dhe Alban Mehës, mesfushorit shqiptar të Konyasporit. Përmes statistikave, duke i konsideruar si “trurin” e dy skuadrave në fjalë, krahasimi me një yll të futbollit botëror, që ka luajtur 33 ndeshje me kombëtaren braziliane, ia rrit më tej vlerat mesfushorit kuqezi, i cili, çuditërisht, nuk figuron në listën e De Biazit për dy miqësoret e nëntorit.

Mjafton të kujtojmë skuadrat me të cilat ka luajtur në karrierë 30-vjeçari Diego Ribas da Cunha: Santos, Porto, Werder Bremen, Juventus, VfL Wolfsburg, Atlético Madrid dhe tani Fenerbahçe, për të kuptuar “sillojin” e vet në kampionatin turk, sipas televizionit në fjalë. Një nga specialitetet e të dyve janë goditjet e dënimit, në të cilat braziliani dhe shqiptari janë “vdekjeprurës”. Jo më kot janë cilësuar si “snajperat” e Superligës Turke. Si periudhë kohore e këtij krahasimi merret sezoni 2015-2016, në të cilin Diego ka luajtur 8 ndeshje, ndërsa Meha 10 të tilla. Minutazhi i aktivizimit është 522 minuta për brazilianin dhe 898 minuta për Mehën.

Më tej vijohet me golat e shënuar, ku Diego ka vetëm një të tillë, ndërsa “snajperi” kuqezi 3 gola. Sa u përket asisteve, Meha qëndron më lart se ish-lojtari i kombëtares braziliane, sepse ka 2 të tillë, karshi vetëm 1 asisti të Diegos. Te “pasime të rëndësishme”, braziliani i Fenerbahçes është diçka më lart. Ai ka 17 pasime të tilla, karshi 15 pasimeve të Mehës. Përqindja e pasimeve të sakta është thuajse e njëjtë, 84.5 % për Diegon dhe 84.4 % për Mehën. Te “krosimet e sakta” dominon sërish mesfushori shqiptar i Konyasporit, me 329 të tilla, përkundrejt 268 krosimeve të Diegos.