Mediat nderkombetare: UEFA legjitimoi dhunen dhe racizmin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Vendimi skandaloz i UEFA-së për ndeshjen e ndërprerë Serbi – Shqipëri, nuk i ka shpëtuar vëmendjes dhe kritikave të medieve ndërkombëtare. Vendimin e dyshimtë të UEFA-s për dhunën e ushtruar ndaj Kombëtares shqiptare më 14 tetor në stadiumin e Beogradit, mediat ndërkombëtare e kanë argumentuar si legjitimim të dhunës dhe racizmit në futboll.
“UEFA legjitimoi dhunën dhe racizmin”, është titulli më kuptimplotë që vjen nga një media italiane, si “Toscana News”.
“Vlen të theksohet se me një vendim të tillë UFEA, legjitimon dhe justifikon përdorimin e dhunës dhe racizmit në stadiume, duke krijuar një precedent të rrezikshëm”, shkruan gazeta italiane.
Televizioni britanik “ITV” e hap shkrimin e saj në me titullin “Serbia shpërblehet me fitore”. Në raportin e saj theksohet se UEFA vendosi t’i japë fitoren në tavolinë Serbisë përkundër pritshmërive.
Mediat kroate e kanë cilësuar si antisportiv vendimin e UEFA-s, ndërsa kanë theksuar se ashtu siç pritej Serbia do t’ia hidhte lehtë për shkak të mbështetjes që gëzon nga qeveria evropiane e futbollit. Gazeta italiane “La Gazzetta Dello Sport”, e hap lajmin e saj me titullin “Vendimi i UEFA-së, të gjithë humbës”.