e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Mediat boterore ne kor: Serbia, turpi i Evropes!

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Mediat boterore ne kor: Serbia, turpi i Evropes!
Një nga gazetat më të mëdha italiane, “La Repubblica”, ka shkruar gjatë mbi ngjarjen e dhunshme të ndodhur të martën në mbrëmje në stadiumin “Luigi Feraris” të Xhenovas, duke thënë se pas këtyre akteve të pa precedentë fshihen të ashtuquajturit “Tigrat e Arkanit”. Gjithashtu kjo gazetë citon edhe disa njërën të medias serbe, të cilët këto akte i lidhin me dëshirën e tyre dhe disa njerëzve që kanë synime për të shkaktuar destabilitet në vend, dhe për ta çuar vendin në zgjidhje të parakohshme.

“Tigrat e Arkanit”

Kanë qenë “tigrat” e etur për gjak të famëkeqit Arkan ata që shkaktuan trazirat e dhunshme ditën e djeshme (të martën) në Xhenova të Italisë. Kështu shkruan e përditshmja italiane “La Repubblica”, në versionin e saj online. Sipas gazetës, ish-njësitë paraushtarake serbe që kanë kryer masakra në Ballkan, u mblodhën dje në Itali për të shkaktuar trazira. Sipas burimit, të ashtuquajturit “tifozë”, vinin nga disa lokale periferike të Beogradit, të njohur ndryshe si strofulla të dhunës serbe. Por cili ka qenë objektivi i vërtetë i tyre? Sipas Milan Petroviç, redaktor i së përditshmes “Blic”, qëllimi i tifozëve “ultras” ka qenë politik. “Të shkaktojnë sa më shumë probleme për presidentin Tadiç dhe qeverisë së tij. Sidomos, të krijojnë një klime destabiliteti për ta çuar vendin sa më shpejt në zgjedhje të parakohshme”, shprehet Petroviç. Bojan Pajtiç, kryetar i qeverisë së provincës autonome të Vojvodinës është edhe më i drejtpërdrejtë. “Kjo turmë nuk vepron në mënyrë spontane. Ajo është në shërbim të atij që kërkon të na ndalojë me çdo mjet kthimin në një vend normal”, thotë Pajtiç. Në të njëjtën linjë shprehet edhe kryetari i Federatës Serbe të Futbollit, Tomislav Karaxhiç. “Ai që organizoi këto protesta ndodhet në Beograd. Ky është një sulm që i bëhet drejtpërdrejt shtetit”, deklaron Karaxhiç.

I kërkohet ndjesë Italisë, por jo Shqipërisë

Një ditë pas incidenteve dhe shfaqjeve të shëmtuara nga nacionalistët serbë, ka reaguar ambasada e tyre në Itali, duke kërkuar ndjesë për atë që ndodhi. Ambasadorja e Serbisë në Romë i kërkon ndjesë Italisë, duke u shprehur se asaj dhe shtetit që përfaqëson i vjen turp për këto që kanë ndodhur, dhe se ata që e bënë një gjë të tillë janë banditë. “Na vjen turp. Këta banditë nuk përfaqësojnë ndjenjat dhe sjelljen e popullit serb. Na vjen turp dhe ju kërkojmë ndjesë”. Kjo është ajo çfarë ka ka deklaruar ambasadorja serbe në Romë, Sanda Raskoçviç-Iviç duke folur për gazetarët në prag të një konference në Beograd. Ajo komentoi trazirat e ndodhura në Xhenova te cilat çuan në pezullimin e ndeshjes Itali-Serbi. Serbia i ka kërkuar zyrtarisht falje Italisë për incidentin e shkaktuar dje nga tifozët serbë në stadiumin e Xhenovas. Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, në një bisedë telefonike me homologun Franko Fratinin ka dhënë garancinë e tij se drejtësia serbe do t’i ndëshkojë huliganët. “Autoritetet e Beogradit do të shtojnë kërkimet për përgjegjësit e dhunës dhe do të arrestojnë të gjithë kriminelët, të cilët do të marrin dënimin e merituar”, ka pohuar Jeremiç. Ndërkohë që ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç ka kritikuar policinë italiane për menaxhimin e gabuar të situatës.

“Ndërhyrja e policisë italiane mund të kishte qenë shumë më e mirë. Ata nuk duhet t’i kishin lejuar tifozët të hynin në stadium me sende të forta”, ka pohuar Daçiç. Por asnjëri nga këto autoritete nuk kanë kërkuar falje për incidentin e shëmtuar ku u përdhos dhe u dogj flamuri shqiptar. Kombëtarja serbe e futbollit ka mbërritur mbrëmjen e kaluar në Beograd pas pezullimit të takimit Itali-Serbi. Futbollistët kanë shprehur hidhërim për atë çfarë ndodhi, por nuk dhanë komente mbi sjelljen e tifozëve ekstremistë. Ndërkohë presidenti i Federatës Serbe të Futbollit, siç e thamë edhe më lart, thotë se tifozët nuk kishin ardhur vetëm në Xhenova, por sipas tij bëhet fjalë për një plan paraprak për të krijuar incidente për të dëmtuar takimin.

Mediat evropiane të gjitha me një fjalor: Turp për Serbinë

Të gjitha mediat i kanë konsideruar si një turp këto ngjarje dhe akte dhune nga serbët në stadiumin e Xhenovas, por jo vetëm botërore, por edhe ata vendase, këtë herë kanë qenë në një mendim me ata evropiane. “Turp i ri, tifozët ndërpresin Itali-Serbi”, titullohet artikulli kryesor në të përditshmen e Beogradit “Blic”. Në brendësi të tij theksohet se me këtë incident, vijon pikiata e futbollit serb. “Mund të imagjinojmë se si janë ndjerë kapiteni dhe futbollistët tanë. Me siguri, janë turpëruar”. “Skandal në Xhenova”, titullohet versioni online i “Vesti”. Ndërsa “Vreme” hapet me një fotografi ku tifozët serbë dogjën flamurin shqiptar. Gazetat britanike gjithashtu shkruajnë se ky është një turp i vërtetë, ku në përgjithësi të gjitha përdorin shprehjen ndërpreje për shkak të huliganëve, por dhe duke përdorur fotot nga djegia e famurit shqiptar. Ndërsa “Daily Telegraph” shkruan “Turp për Serbinë”, në të njëjtën linjë është edhe “Daily Mail”.

Edhe shtypi sportiv spanjoll i ka kushtuar një vëmendje të veçantë incidenteve në Xhenvoa, që solli dhe pezullimin e ndeshjes Itali-Serbi, e ku ultras serbë dogjën para kamerave edhe flamurin shqiptar. “Turp serbë!”, ishte titulli i prestigjiozes “Marca”. “Dje (të martën) në Europë ndodhi një tjetër ndeshje turpi”, - shkruante e përditshmja sportive. “Vetëvrasje serbe në Xhenova”, - shkruante “Sport”, që nga ana e saj flet për “një natë çmendurie”. “El Mundo” e titullon shkrimin e saj: “Terror dhe turp në Xhenova”, duke e shoqëruar edhe me fotot e huliganëve serbë. “Ultrasit karikojnë futbollin”, ishte titulli i “El Pais”. E njëjta paraqitje, pothuajse ka mbizotëruar edhe në shtypin francez, të cilët e konsiderojnë turp për Serbinë dhe për shtetasit e saj këto akte të pa precedenta.