e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Me syte nga Elbasani per endrren europiane!

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Me syte nga Elbasani per endrren europiane!

Të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit do të kthejnë sytë nga Elbasani të paktën për një javë. Kjo, pasi shqiponjat kuqezi vijojnë fluturimin e tyre drejt Europianit “Francë 2016” pikërisht në “Elbasan Arena”, ku do të përballen me Danimarkën, kundërshtarin e radhës në grupin I. Ndeshja që do të marrë jetë nën dritën e prozhektorëve ditën e shtunë në teatrin e ri të futbollit shqiptar, pritet të dhurojë mjaft emocione për sportdashësit kuqezi. Fitorja në Portugali e ushtrisë së Giani de Biazit, falë golit të Bekim Balës, i ka dhënë dritë një ëndrre prej së cilës shqiptarët nuk kanë dëshirë të heqin lehtësisht dorë edhe pse grupi paraqet rivalë të vështirë. Në tatëpjetat që na ofron grupi, kundërshtari i radhës do të jetë Danimarka, e cila debutoi me fitore në shtëpinë e saj përballë Armenisë me rezultatin 2-1, duke ndarë kryesimin e grupit me kuqezinjtë.

Atmosfera në vendin tonë po fillon të marrë ngjyra festive. Të gjithë presin me padurim të shohin në skenë kuqezinjtë në arenën e re të futbollit shqiptar. Tekniku italian i kuqezinjve ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar, ku bie në sy angazhimi apo rikthimi i mesfushorit Valdet Rama, i lënë jashtë nga timonieri italian gjatë takimit me Portugalinë. Ndër risitë e listës prej 27 lojtarësh të përzgjedhur nga tekniku De Biazi është dhe grumbullimi i portierit të Partizanit, Alban Hoxha. Ky i fundit së bashku me dyshen Ertrit Berisha dhe Orges Shehi do të jenë treshja e gardianëve të portës në dispozicion të De Biazit. “Jam krenar për këtë mundësi që më është dhënë, – kanë qenë fjalët e para të Hoxhës. – Do të jap maksimumin tim për të ndihmuar ngjyrat kuqezi. Është emocion i veçantë të jesh pjesë e përfaqësueses së vendit tënd dhe aq më tepër kur debutimi mund të ndodhë pikërisht në vendin tim, në një moment kaq të rëndësishëm për kombëtaren tonë”, – ka thënë për mediat vizive portieri i Partizanit. Sakaq, vetë Giani de Biazi në konferencën tradicionale për shtyp ka bërë të ditur se lojtarët janë udhëzuar të përqendrohen vetëm për ndeshjen e së shtunës ndaj Danimarkës.

“Për ne është e rëndësishme të hedhim hapat një e nga një. E kuptoj që për mediat ka një rëndësi të veçantë përballja e Beogradit, por sot për sot u kam kërkuar djemve të përqendrohen për takimin e radhës ndaj Danimarkës”, – ka thënë italiani. Sa i takon kundërshtarit të radhës, De Biazi e ka vlerësuar të vështirë përballjen me Danimarkën. “Janë një kundërshtar, që sidomos në transfertë është i gatshëm të të godasë. Luan shpejt dhe është shumë i përgatitur fizikisht. Do të na duhet shumë përqendrim dhe luftë e fortë për t’i mbajtur ata sa më larg zonës sonë. Nuk ka ndeshje që të mos hyjmë për fitore, pavarësisht nga rrjedha e lojës”, – tha De Biazi. Deklarata e teknikut italian të përfaqësueses sonë na mbush me shpresë se ushtria kuqezi ka marrë të gjitha masat për të vijuar me çdo kusht udhëtimin e shqiptarëve në ëndrrën europiane. Duke u kthyer tek ndeshja dhe atmosfera, problemi i vetëm që po debatohet këto ditë është çmimi i biletave. Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se ditën e mërkurë do të hidhen në treg biletat për takimin e radhës ndaj Danimarkës. FSHF bënë të ditur se pikat e shitjes së biletave do të jenë pranë stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” si dhe në Elbasan, pranë teatrit “Skampa”.

Çmimi i biletave, ka njoftuar më herët FSHF, varion nga 1000 lekë të reja për tribunat anësore deri në 10 000 lekë të reja tribuna kryesore, çmime këto të konsideruara të larta nga ana e sportdashësve dhe tifogrupeve të ndryshme. Në veçanti ankesat më të shumta kanë ardhur prej sportdashësve nga  Kosova dhe Maqedonia, të cilët veç shpenzimeve të udhëtimit do t’u duhet të përballojnë edhe çmimet e kripura të biletave të ofruara nga FSHF. Mbetet për t’u parë nëse angazhimi i tyre do të jetë i ngjashëm si në sfidat e mëparshme. Gjithsesi, ajo që është e sigurt është fakti se ditën e shtunë në orën 20:45 të gjithë shqiptarët në të gjitha trevat kuqezi dhe vendndodhjet e tyre do të fokusojnë vëmendjen mbi “Elbasan Arena”, ku gjenerali De Biazi dhe ushtria e tij kuqezi do të sulmojnë në folenë e shqiponjave ‘gjahun’ e radhës.



Programi përgatitor i përfaqësueses kuqezi



Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar mbrëmjen e djeshme programin e kuqezinjve në kuadër të përgatitjeve për takimin e radhës ndaj Danimarkës, që do të luhet në “Elbasan Arena” ditën e shtunë në orën 20:45. Sipas programit që kanë përpiluar De Biazi dhe stafi i tij, mësohet se gjatë ditës sotme skuadra do të zhvillojë një seancë stërvitore të gjatë. Fillimisht 27 të grumbulluarit do të paraqiten në fushën stërvitore të “Tropikal Resort” në Durrës, në orën 09:30, për të kryer stërvitjen e radhës. Të mërkurën stërvitja do të zhvillohet në orën 10:00, ndërsa në 18:30 të mbrëmjes do të realizohet një ndeshje stërvitore në “Elbasan Arena” me rastin e inaugurimit të stadiumit. Gjatë dy ditëve të fundit të përgatitjeve, të enjte dhe të premte do të ketë një seancë stërvitore në mëngjes, orari ende i papërcaktuar. Të shtunën do të luhet takimi me Danimarkën në Elbasan.