e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Mberrijne ndeshjet e treta, priten cerekfinalistet e pare

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mberrijne ndeshjet e treta, priten cerekfinalistet e pare
Finalet e “Euro 2012” futen tashmë në “zonën e nxehtë”, kur nuk ka më vend për rikuperime e korrigjime të gabimeve të bëra. Ndeshjet e treta startojnë sot me Grupin A, pas së cilave do të mësohen edhe dy të kualifikuarat e para për në çerekfinale të këtij kompeticioni. Rusia, që mban vendin e parë në këtë grup pas dy ndeshjeve të para, me katër pikë, duket se ka ballafaqimin më të lehtë në këtë “stacion” të garës, sepse do të përballet me grekët e fundit, me vetëm një pikë. Duke iu referuar performancës së helenëve deri më tani, në këto finale, mund të thuhet se të besuarit e Dik Advokatit i kanë të gjitha shanset për ta prerë pa asnjë problem “biletën” e raundit tjetër.

Ndryshe qëndron puna në përballjen e fortë dhe të hapur mes Polonisë, njërit nga vendet organizatore të turneut të kësaj vere, me Republikën Çeke. Duke ndarë vendin e dytë dhe të tretë në Grupin A, pas dy ndeshjeve të para, këto dy skuadra janë të dënuara të japin maksimumin sonte.

Kuptohet, më në hall në këtë drejtim janë polakët, sepse kanë vetëm dy pikë në renditje, ndërsa çekët një më shumë, tri pikë. Kjo do të thotë se barazimi nuk u bën punë vendësve, por mund t’i dërgojë në çerekfinale të Europianit të besuarit e trajnerit Bilek. Nisur nga ky fakt, Roziçki me shokë janë disi më të qetë, sepse luajnë për dy rezultate, ndërsa polakët kanë vetëm një rrugë, të fitojnë për t’u kualifikuar ata në grup. Kujtojmë se ndeshjet e treta në grupe do të luhen të gjitha në të njëjtën orë, në 20:45.