Luftëtari i frikësohet gjykimit, kërkon arbitër të FIFA-s
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Teksa Luftëtari është duke vijuar përgatitjet anti-Apoloni me dy seanca stërvitore në ditë, drejtuesit, nisur nga rëndësia që paraqet transferta fierake, u kanë kërkuar instancave të FSHF-së gjykimin e ndeshjes nga arbitra me stemën e FIFA-s.
Gazeta "Panorama Sport" ka mësuar se një ditë më parë drejtuesit e Luftëtarit kanë nisur zyrtarisht kërkesën në Federatë për gjykimin e përballjes nga arbitra të rëndësishëm për elitën e futbollit shqiptar.
Gara mes dy ekipeve në kuadër të javës së 18-të, Luftëtarit dhe Apolonisë, për t'u bërë pjesë e Superiores në fund të sezonit aktual, ka imponuar gjirokastritët për një kërkesë të tillë. Gjithsesi, mbetet për t'u parë nëse kërkesa e drejtuesve të Luftëtarit do të miratohet ose jo.
Atmosfera
Pasi kanë hedhur pas krahëve ndeshjen e fundit, futbollistët e Luftëtarit shprehen optimist për rezultatin që do të rezervojë 90-minutëshi i së shtunës.
"Ne luajmë për të mbajtur lart identitetin tonë, pasi jemi profesionistë. Luajmë për të merituar fanellën e Luftëtarit dhe mbi të gjitha për të treguar se të gjithë meritojmë të jemi pjesë e Superiores. Do të mjaftonin të gjitha këto arsye që në Fier të hyjmë në fushën e lojës vetëm për rezultat pozitiv, edhe pse nuk do ta kemi aspak të lehtë", shprehen disa prej futbollistëve bluzi për "Panorama Sport". Ndërkaq, mësohet se drejtuesit me në krye donatorin Grigor Tavo do të vendosin një premio të majme në rast rezultati pozitiv në këtë transfertë.
Përgatiti: Tomor Shehu