Lorik Cana, mungesa e mundshme ne derbin mes Lacios dhe Romes
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Paraqitja jo e mirë në dy ndeshjet e para, në kampionat ndaj Palermos dhe në Europa League ndaj Sportingut në Lisbonë, në kryeqytetin portugez, duket se kanë ndikuar uljen e besimit që trajneri Edi Reja ka krijuar rreth Lorik Canës. Në fundjavë, më 16 tetor, Lacio do të zbresë në “Olimpiko” për të luajtur derbin e parë sezonal ndaj Romës. Në momentin e parë që Cana zbarkoi në Itali u prezantua para mediave vendase si njeriu anti-Toti, simbolit të kundërshtarëve të urryer të lacialëve. Por gjasat që ai të aktivizohet në këtë supersfidë janë zbehur shumë. Madje, sipas mediave italiane ato nuk ekzistojnë. “Lorik Cana vështirë se do të mundet të shikojë fushën, shkruante dje gazeta ‘Il Tempo’. Në mesfushë do të luajnë me shumë mundësi Ledesma, Broki e Matuzalem, të cilët janë edhe të besuarit e trajnerit Edi Reja”. Derbi i parë është një ndeshje që nuk harrohet kurrë, por Cana duket se do të duhet të presë atë të kthimit për të bërë realitet dëshirën e tij.