e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Londer 2012, Shqiperia rrezikon perjashtimin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Londer 2012, Shqiperia rrezikon perjashtimin
Shqipëria rrezikon pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Londër 2012. Kërcënimi ka ardhur nga Agjencia Botërore e Antidopingut (WADA), e cila ka bërë të ditur se sportistët shqiptarë rrezikojnë të mos lejohen të përfaqësohen në aktivitete të rëndësishme si olimpiada apo kampionate europiane dhe botërore, për shkak të mosfunksionimit të Komitetit Antidoping. Paralajmërimi i WADA-s ka mbërritur në zyrat e Ministrisë së Sporteve prej nëntë ditësh (më saktësisht më datë 10 nëntor) dhe u mbajt i fshehur. Tashmë, problematika u bë publike në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, nga anëtarët e opozitës.

Deputeti i Partisë Socialiste, Fidel Ylli, ka zbuluar se ministri Aldo Bumçi ka marrë paralajmërimin për përjashtimin e Shqipërisë, prej faktit se nuk zhvillohen teste për doping në radhët e sportistëve. “Nëse nuk arrihet që të bëhen kontrollet antidoping, atëherë Shqipëria rrezikon përjashtimin. Shteti ende nuk ka planifikuar se si do të bëhen këto kontrolle, pasi ekziston komiteti për kontrollet rreth përdorimit të substancave të ndaluara, por nuk ekziston asnjë buxhet për zhvillimin e tyre”, deklaroi Ylli. “Ndryshe nga vendet e tjera të botës, ku Komiteti Antidoping është një institucion i pavarur dhe që drejtohet nga ekspertë, në Shqipëri ai drejtohet nga zv.ministri. Nëse përjashtohemi, atëherë nuk do të mund të marrim pjesë në asnjë aktivitet madhor”.

I gjendur ngushtë përpara këtij konstatimi dhe prej publikimit të faksimiles së letrës që ka mbërritur në MTKRS, ministri Bumçi pranoi: “Është e vërtetë dhe ne kemi marrë masa për këtë, testet do të zhvillohen nga agjencia aktuale e sporteve”. Në letër, WADA ka kërkuar nga institucionet sportive në Shqipëri që të shpjegojnë përse nuk funksionon institucioni që lufton përdorimin e substancave të ndaluara. Ky problem do të diskutohet më 20 nëntor në mbledhjen e bordit drejtues dhe mund t’i rekomandohet Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Komitetit Paraolimpik Ndërkombëtar (IPC), Federatave Ndërkombëtare dhe organizatorëve të aktiviteteve madhore që të mos lejojnë pjesëmarrjen e Shqipërisë. Fidel Ylli shtoi: “Me ligj është ngritur Komiteti Kombëtar i Antidopingut, por deri më tani ai nuk ka bërë asnjë kontroll.

Që mos të prishim imazhin e Shqipërisë dhe sportit shqiptar, sportistët duhet të kontrollohen përpara pjesëmarrjeve në aktivitetet madhore, siç ishte rasti i Botërorit 2011 të Peshëngritjes. Ne rrezikojmë të përjashtohemi. Kjo është shkruar në letrën që WADA i ka drejtuar MTKRS-së”. Rreziku i përjashtimit është real deri në momentin që nuk do të krijohen qendra të vërteta të Antidopingut. Sipas WADA-s, sportistët kuqezi mund të mos lejohen të marrin pjesë në Olimpiada dhe kampionate botërore, pasi Shqipëria nuk garanton një sport të pastër dhe larg substancave që rrisin performancat.

Një tjetër çështje shqetësuese, sipas deputetit Ylli, ka qenë shkurtimi drastik i buxhetit për sportin nga MTKRS. “Nga 630 milionë lekë në vitin 2011 ulja është drastike, pasi buxheti mbetet vetëm 424 milionë lekë, 200 milionë prej të cilave janë për stadiumin e ri. Ky është buxheti më i ulët në prag të një olimpiade, po flasim për një shifër mjerane dhe nuk e kuptoj si pretendojmë të përfaqësohemi në Londër 2012”, shtoi deputeti socialist. Ministri Bumçi u mbrojt duke thënë: “Buxheti do u përgjigjet nevojave të KOKSH-it, dhe federatave pjesëmarrëse në olimpiadë, në mënyrë që të përfaqësohemi sa më dinjitozë në Londër 2012”.