e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

'Lista C' e privatizimit, bashke me 'Albpetrolin' do te shitet edhe deti

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
'Lista C' e privatizimit, bashke me 'Albpetrolin' do te shitet edhe deti
Të dhënat zyrtare tregojnë se kompanisë “Albpetrol” nuk i ka mbetur asgjë për të menaxhuar, por vetëm kontratat me shoqëritë koncesionare, të cilat aktualisht shfrytëzojnë 95 për qind të puseve të naftës. Pjesa e mbetur është sasi nafte imagjinare, e vlerësuar nga kompani të ndryshme, por asnjëherë nuk janë paraqitur të dhëna konkrete, kurse tokat dhe ndërtesat nuk vlejnë për asgjë, si për skrap, ashtu dhe për shkak të ndotjes.

Në këto kushte, qeveria është e detyruar të gjejë mundësi të tjera për të tërhequr vëmendjen e investitorit. Plani kryesor nga ku bazohet çmimi i lartë i shitjes janë të drejtat e kontratave, që aktualisht “Albpetroli” ka me koncesionarët dhe ofrimi i disa zonave të lira, që deri dje menaxhoheshin nga Agjencia e Burimeve Natyrore, ndryshe lista B, por që i merr blerësi (privatizuesi).

“Asi nën mëngë”, nga ku priten zhvillime interesante, është ofrimi i një pjese tjetër të territorit, atë të detit Adriatik, ku kompani të ndryshme kanë shprehur interes për të kërkuar naftë. E konsideruar ndryshe si lista C, paraqet zona të lira dhe blloqe nafte në zonën e detit pranë Durrësit dhe Kavajës, madje në kufi me Jonin.

Në zonën bregdetare pranë Durrësit është dikur punuar aktualisht një kompani, me seli në Dublin. E listuar në bursën e Londrës, kompania e njohur “San Leon Energy”, ka lidhur marrëveshje me qeverinë shqiptare në shkurt të vitit 2011, nga ku ka marrë licencën e kërkimit. Kompania, në faqen zyrtare deklaron se në detin Adriatik, pikërisht në zonën ku ka marrë licencën e kërkimit, me sipërfaqe 4200 kilometra katrorë, ka mundur të zbulojë një sasi nafte, me gati 1 miliard fuçi.

Gazeta “Shqip” disponon hartën e plotë të zonave me naftë dhe ku ndërmarrja “Albpetrol” menaxhon bashkë me koncesionarët puset, e cila u është prezantuar investitorëve francezë nga Ministria e Ekonomisë gjatë një takimi të zhvilluar dy javë më parë, ku e pranishme ishte edhe këshilltarja e Kryeministrit.

Ofrimi i këtyre zonave, plus të tjerat në privatizimin e “Albpetrolit”, shikohet si mjet marketingu për qeverinë, e frikësuar nga fakti se mund të dështojë me shitjen e kompanisë së vetme shtetërore të prodhimit të naftës në vend.

Për vite me radhë, kompania ka lidhur marrëveshje me koncesionarë të ndryshëm, me synim rritjen e të ardhurave për buxhetin e shtetit përmes investimeve, por në fakt ka ndodhur e kundërta. Shteti nuk mori gjë, ndërsa të ardhurat nga renta në masën 90 milionë dollarë shkuan për pagat e 3 mijë punonjësve të ndërmarrjes. Tashmë edhe vetë qeveria pranon se kompania, e infektuar nga korrupsioni masiv, me pasoja të rënda për shtetin, e ka të pamundur të menaxhojë kontratat koncesionare disa miliardëshe, dhe për këtë fakt shikohet si mundësi ardhja e një investitori serioz që t’i bëjë ballë furisë dhe përvojës së kompanive private që menaxhojnë për vite të tëra puset tona.

Tjetër diskutim mbi kalimin e së drejtës nga shteti te privati pas privatizimit lidhet me të ardhurat, të cilat në një vit arrijnë afro 50 milionë dollarë. Këto të ardhura që i merr buxheti i shtetit, tashmë i përfiton shoqëria që blen “Albpetrolin” dhe ndoshta për këtë arsye, qeveria shprehet me eufori se kompaninë mund ta shesë deri në 500 milionë dollarë dhe nga ku Kryeministri var shpresat për menaxhimin e krizës financiare. Megjithatë, së fundmi ekspertët dyshojnë se mund të arrijnë në këto vlera. Eksportet e naftës kanë arritur aktualisht deri në 900 mijë tonë në vit ose mbi 450 milionë dollarë, por shteti ynë nuk merr asgjë.