Lena: E respektoj Flamurtarin, por Teuta është mbretëresha
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Teuta e Maganit ka mbyllur përgatitjet për ndeshjen me Flamurtarin. Ekipi durrsak ka zhvilluar seancën stërvitore rreth orës 18:00 duke qenë se edhe ndeshja do të luhet në mbrëmje.
Magani u ka kërkuar lojtarëve të tij të jenë të kujdesshëm dhe të zbatojnë skemat dhe udhëzimet që u janë dhënë gjatë gjithë kësaj kohe.
Për mesfushorin e Teutës Nijaz Lena ndeshja kundër ekipit të Flamurtarit do të jetë një përballje e vështirë mes dy skuadrave që kanë objektiva të ndryshme, ku të dyja synojnë të marrin pikët e plota. Për Lenën fiton Teuta edhe pse dashuria për Flamurtarin është e madhe.
"Do të jetë faza më e vështirë, kjo është e qartë, - thotë ai për "Panorama Sport".
- Por ne do të vazhdojmë punën tonë dhe them se kemi bërë një punë të mirë deri tani. Kemi shumë ndeshje të vështira përpara, por besoj shumë që do t'i kalojmë një e nga një me sukses. Ndeshja me Flamurtarin vjen në një moment kritik për të dyja skuadrat, ne duam pikë për Kupat e Europës ndërsa Flamurtari lufton për mbijetesë.
Nuk e dëshiroja këtë përballje në këto kushte, sepse Flamurtarin e dua shumë, por fiton Teuta. Është një ndeshje e vështirë për ne, sepse duhet ta fitojmë patjetër. E dimë shumë mirë që Flamurtari do të vijë të kërkojë pikë dhe do të bëjë të pamundurën për të realizuar objektivin që ka, por mendoj se do ta zgjidhim që në pjesën e parë, në mënyrë që më pas të na bëhet më i lehtë trepikëshi.
Kalova shumë vite me vlonjatët, por tani jam pjesë e "mbretëreshës Teuta" dhe do jap më të mirën për këtë skuadër. Në çdo ndeshje që luaj, mundohem të jap maksimumin. Këtë kam bërë edhe do të bëj në të gjitha ndeshjet që do të aktivizohem. Deri diku jam i kënaqur me paraqitjen time, edhe pse ka gjithmonë vend për përmirësim.
Nëse do të shënoj, nuk do të festoj për respekt të asaj fanelle që kam veshur, por edhe për tifozët vlonjatë. Uroj që në këtë ndeshje të ketë shumë tifozë në stadium, por edhe vlonjatë të vijnë në Durrës që të ketë një lojë të bukur dhe të kënaqen tifozët e të dyja skuadrave. Kampionati është i gjatë dhe ka shumë ndeshje për t'u luajtur, ndaj kam besim për pjesëmarrjen në Kupat e Europës.
Kemi në favorin tonë sfidat me Tiranën dhe Kukësin, sepse ata janë rivalët direkt për Kupat e Europës dhe ndeshjet do të luhen në Durrës. Por deri atëherë duhet t'i marrim ndeshjet një e nga një që të arrijmë në objektivin tonë final", ka përfunduar Lena.
Përgatiti: Jeton Rexhmati