e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Lajcak: Situata ne Shqiperi mund te sjelle nje fillim te ri

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Lajcak: Situata ne Shqiperi mund te sjelle nje fillim te ri
Drejtori i Shërbimit të Jashtëm të Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak, zhvilloi dje turin e dytë të takimeve me krerët më të lartë në vend, duke shprehur shqetësimin, por njëkohësisht dhe optimizëm se kjo “situatë mund të sillte një fillim të ri për vendin tonë”. Në një konferencë për shtyp, pas takimeve të ngjeshura që zhvilloi pasditen e djeshme, Lajçak deklaroi se u kishte dhënë palëve mesazhe të BE-së për mënyrën se si duhet dalë nga kjo krizë, ku më i rëndësishmi duket se është ai që të shikohen të ndara çështjet e hetimit të ngjarjeve të 21 janarit dhe kompromisi politik që duhet bërë mes palëve. Në këtë kuadër, Lajçak bëri të qartë se duhet të jenë organet kompetente, duke nënkuptuar prokurorinë dhe gjykatat, ato që duhet të bënin këtë hetim dhe po kështu komisioni hetimor parlamentar, duhet të shërbente si komplementar dhe jo si zëvendësues.

“Duhet të jenë institucionet shtetërore të Shqipërisë që të bëjnë hetimet për ngjarjet e 21 janarit. Hetimi parlamentar mund të plotësojë, por nuk mund të zëvendësojë hetimet që duhen bërë. Ne kemi besim të plotë tek institucionet shqiptare që do të zbulojnë të vërtetën e plotë për 21 janarin. Me fjalë të tjera politikanët nuk duhet të shërbejnë si zëvendësues të institucioneve”, deklaroi i dërguari i BE-së në Shqipëri për këto çështje, Miroslav Lajçak. Nga ana tjetër, diplomati i lartë i BE-së deklaroi se dialogu politik mes palëve duhet të niste pa humbur kohë në mënyrë që në vend zgjedhjet e ardhshme lokale të zhvilloheshin brenda standardeve më të mira. Po kështu, komunikimin dhe bashkëveprimin Lajçak e konsideroi si të rëndësishëm edhe përsa i përket aspiratave të Shqipërisë për të qenë pjesë e BE-së.

“Zgjedhjet vendore të 8 majit janë përgjegjësi e partive politike. Ato duhet të jenë gati që të bëhen zgjedhje të standardeve ndërkombëtare. Udhëheqësit tuaj politikë kanë përgjegjësi për ta çuar vendin tuaj drejt afrimit me BE-në”, deklaroi Lajçak gjatë komunikimit me median në lidhje me këtë çështje. Nga ana tjetër, misionari i BE-së bëri të qartë edhe disa direktiva për klasën politike shqiptare mes të cilave të eliminohej çdo lloj dhune ndaj institucioneve dhe t’i jepej fund retorikës nxitëse të përdorur nga politikanët. Po kështu, Lajçak bëri thirrje që palët të mos cenonin lirinë e mediave dhe për këtë arsye i duhet lënë hapësira e duhur për të zhvilluar profesionin e tyre. Pasditen e djeshme dy takime të rëndësishme të Lajçak u zhvilluan me Kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës, Edi Rama. Në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë në lidhje me këtë takim theksohet se Lajçák i rikonfirmoi Kryeministrit Berisha se BE është totalisht e angazhuar për të ndihmuar Shqipërinë për të kapërcyer këtë situatë të vështirë dhe për të vijuar procesin e integrimit europian dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. Më tej, sipas njoftimit për shtyp të Kryeministrisë, Lajçak theksoi se është koha tashmë që Shqipëria të fokusohet në hapat e mëtejshëm përpara me axhendën europiane.

Po kështu, sipas Kryeministrisë, Lajçak u shpreh se për ngjarjet e 21 janarit  kërkohet hetim dhe zbardhje e plotë dhe e paanshme. “I dërguari Lajçak theksoi se Bashkimi Europian është kundër betejave politike jashtë kuadrit institucional, kundër çdo aktiviteti që mund të provokojë akte dhune të mëtejshme, asnjë mbështetje për bojkotim dhe bllokim të procesit zgjedhor, cilido që loz me këto tri karta humbet çdo kredibilitet në sytë e ndërkombëtarëve”, theksohet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë të bërë publik pas takimit Lajçak-Berisha. Nga ana tjetër, një takim përpara konferencës për shtyp, Lajçak e zhvilloi me kreun e opozitës, Edi Rama. Burimet bëjnë të ditur se në takim është diskutuar në lidhje me rrugëdaljet e mundshme nga kjo situatë e vështirë në të cilën ndodhet vendi. Po kështu ashtu siç bëri të qartë dhe në konferencë, Lajçak mësohet t’i ketë kërkuar PS-së të mbajë në kontroll qytetarët që do të jenë pjesë e demonstratave dhe protestave që do të zhvillohen ditët e ardhshme në vend.