e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Kompanite nuk japin tabulatet per komisionin

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Kompanite nuk japin tabulatet per komisionin
Komisionit hetimor parlamentar i refuzohen tabulatet e 31 zyrtarëve të lartë. Ka skaduar dje afati që komisioni hetimor parlamentar u ka vendosur në dispozicion kompanive telefonike për skedarët e tabulateve të zyrtarëve të lartë dhe ende nuk janë vendosur në dispozicion skedarët me përmbajtjen e tabulateve telefonike të 31 zyrtarëve. Neni 123 i ligjit për komunikimet elektronike i cili flet konkretisht për konfidencialitetin e komunikimit pengon në mënyrë të qartë dhënien e tabulateve pa lejen e prokurorisë.

Pas ‘gafës’ së komisionit hetimor me drejtorin e SHISH, Bahri Shaqiri, figurës së shëmtuar që bëri mazhoranca në rastin e ‘dëshmisë’ së kryeprokurores, Ina Rama dhe skandalit ligjor dhe kushtetues në rastin e përplasjes me institucionin e Presidentit, komisioni hetimor parlamentar vazhdon të përplaset me vështirësitë e radhës për ndërtimin e raportit final të cilin do t’ia vendosë në dispozicion Parlamentit. Burime pranë Kuvendit, bëjnë me dije se afati zyrtar për disponimin e tabulateve telefonike përfundon ditën e hënë, ndërkohë që po kështu pohojnë se kompanitë telefonike do të refuzojnë dhënien e skedarëve të tabulatëve për 31 zyrtarët e lartë.

Neni 123

“Janë të ndaluara të gjitha format e mbikëqyrjes, përgjimit, ndërprerjes, regjistrimit, ruajtjes, transferimit dhe devijimit të komunikimeve, si dhe të dhënat, referuar pikës 1 të këtij neni, përveç rasteve kur kjo është e nevojshme për përcjelljen e mesazheve, të faksit, të postës elektronike, të sekretarisë telefonike, mesazheve zanore, mesazheve të shkurtra apo për rastet e parashikuara me ligj”. Ky është fragmenti i shkëputur nga neni 123 i ligjit për komunikimin elektronik. Pika 1 e konfidencialitetit të komunikimit përfshin “a) përmbajtjen e komunikimit; b) të dhënat e trafikut dhe të vendndodhjes në lidhje me komunikimet; c) të dhëna për përpjekjet e pasuksesshme për vendosjen e lidhjes”. Sekuestrimi i të dhënave nga persona të paautorizuar ndalohet edhe nga neni 121 për ruajtjen e fshehtësisë. Pra në rastin konkret, Komisioni Hetimor mund t’i marrë tabulatet vetëm me lejen e Prokurores së Përgjithshme.

Tabulatet

Telefonatat e 31 zyrtarëve të bëra gjatë muajit janar, ishin kërkuar nga komisioni hetimor parlamentar në adresë të kompanive telefonike. Kërkesa është bërë me dije pasditen e të shtunës së kaluar, ndërkohë që është protokolluar ditën e hënë. Anëtarët e komisionit kanë bërë me dije se kompanitë telefonike do të kenë afat deri në pesë ditë, ndërkohë që në bazë të këtij njoftimi, dita e premte, ishte afati i fundit. Por burime nga Kuvendi, por edhe nga komisioni hetimor parlamentar bëjnë me dije se ky afat përfundon ditën e hënë. Deri tani asnjë kompani telefonike nuk i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së komisionit hetimor parlamentar.

31 zyrtarët

Në listën e zyrtarëve janë Presidenti Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha dhe Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Nga institucionet e pavarura nën “përgjim” ishin përfshirë kryeprokurorja Ina Rama, drejtori i SHISH-it, Bahri Shaqiri, zv/drejtori i SHISH-it, Ylli Alushi, komandanti i Gardës, Ndrea Prendi. Lista me emrat e personave që u është kërkuar sekuestrimi i tabulateve telefonike përmban kreun e PS-së, Edi Rama, dhe deputetë të Partisë Socialiste. Mes tyre janë: Tom Doshi, Paulin Sterkaj, Fidel Ylli, Fatmir Xhafaj, Besnik Bare, Sajmir Tahiri, Erion Braçe, Bashkim Fino, Namik Dokle, Gramoz Ruçi, Taulant Balla, Ilir Gjoni, Ilir Beqja, Dashamir Peza, Arben Çuko, Asllan Dogjani, Ndue Kola, Armando Prenga, Gjok Jaku dhe Pjerin Ndreu.