e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Laçi, ankohet Bardhi: Disiplina e ekzagjeroi

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Laçi, ankohet Bardhi: Disiplina e ekzagjeroi

Dënimi me pesë ndeshje pezullim nga Komisioni i Disiplinës nuk është pritur mirë nga mesfushori me tipare sulmuese i Laçit, Kejvi Bardhi.laci Në ndeshjen e fundit ndaj Teutës i riu i talentuar u ndëshkua me karton të kuq, pas një përplasjeje që pati në mesfushë me një nga kundërshtarët.

"Më duket një dënim totalisht i ekzagjeruar. Do të bisedoj me drejtuesit e klubit dhe do të vendos për ta apeluar", ka thënë fillimisht Bardhi për "Panorama Sport". Mesfushori flet edhe për momentin jo të mirë që po kalon skuadra në kampionat.

"Këto rezultate që kemi marrë javët e fundit, nuk na shkojnë për shtat. Edhe pse skuadra ka pasur probleme me kontingjentin, teksa disa lojtarë kanë qenë të dëmtuar dhe të tjerë të pezulluar, sërish duhet të përshtateshim më mirë me rezultatet.

Profesori na e ka bërë të qartë se për të pasur më shumë minuta në lojë, duhet ta meritojmë. Dhe është më se normale. Së bashku me Vuthajn, Gjonin, Lushkjen, Muçmatën dhe disa lojtarë të tjerë po bëjmë gjithçka për të justifikuar besimin. Personalisht po punoj intensivisht për të fituar parametrat e duhur tekniko-fizikë", ka përfunduar Bardhi.

Ndërkohë, përballja me Tërbunin konsiderohet një betejë që duhet kaluar me sukses. Në testin e djeshëm brenda familjes u pa qartë se lufta për një vend titullari është e madhe. Pritet që sot Nica të vendosë për titullarët. Isuf Myrta