e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Ky eshte poshterim per vendin tim…

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Ky eshte poshterim per vendin tim…
Tonet mes Athinës dhe Berlinit bëhen gjithmonë e më të ashpra. Presidenti Karolos Papulias është treguar i ashpër me Ministrin e Financave të Gjermanisë, Wolfgang Schaeuble. “Nuk mund të pranoj që ai të ofendojë vendin tim,” tha Papulias, dukshëm i mërzitur. “Kush je ti zoti Schaeuble që lëndon vendin tim? Kush janë holandezët, kush janë finlandezët,” tha 82 vjeçari gjatë një darke me Ministrin e Mbrojtjes dhe të tjerë përfaqësues të ushtrisë. “Ne kemi qenë gjithmonë krenarë se kemi mbrojtur lirinë tonë, por edhe atë të Europës,” tha Papulias, i cili në rininë e tij ka luftuar kundër pushtimit nazist. Më pas studioi drejtësi në Mynih dhe tani flet rrjedhshëm gjermanisht. Sipas Spiegel, Papulias ka vendosur të heqë dorë edhe nga paga e tij për shkak të krizës. Ai merr në vit rreth 85 mijë euro. Por zemërimi i grekëve të thjeshtë po ashtu është në rritje. Ata kanë djegur flamurin gjerman, ndërkohë që në gazeta shfaqet foto-montazhi i Angela Merkel me një uniformë naziste.

Por pse i ka tërbuar kaq shumë Schaeuble grekët?

Ai ka shprehur mosbesim nëse politikanët grekë janë të gjithë në një mendje për masat e kursimit. Ai ka shkuar edhe më tej kur ka deklaruar se ndoshta do ishte mirë që zgjedhjet e planifikuara për në prill të shtyhen. “Greqia është si një gropë që nuk i del kurrë fundi,” tha Schaeuble. Kurse Holanda e Finlanda propozojnë që paketa e ndihmës të jepet pas zgjedhjeve. Dyshimet janë se Antonis Samaras i Demokracisë së Re, që pritet të fitojë zgjedhjet, nuk do jetë kaq i angazhuar për masat e kursimit.

E ndërsa debati politik vazhdon, këto foto më poshtë tregojnë momentet dramatike kur një grua greke kërcënon se do hidhet nga një godinë për shkak se ka humbur punën. Lambrusi Harikleia thotë se do bëjë vetëvrasje pasi zyra ku punonte do mbyllej. Forcat e sigurisë arritën ta shpëtojnë atë. Edhe i shoqi i saj kishte tentuar vetvrasjen.