e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Kushta: Korçarët kampionë, Vlora të gjejë gënjeshtarin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kushta: Korçarët kampionë, Vlora të gjejë gënjeshtarin

Sokol Kushta mendon se situata te Flamur tari nuk ka për të ndryshuar, derisa në klub vazhdojnë të punojnë prej vitesh në nivel drejtuesish persona që, sipas tij, përcjellin vetëm frymë negative. Kushta ne BeogradNë një intervistë ekskluzive për "Panorama Sport", legjenda e futbollit vlonjat flet për rrezikun që i kanoset klubit, por nuk lë pas as komentin për duelin mes Partizanit dhe Skënderbeut. Gjithashtu, ish-trajneri flet edhe për dekorimin që i bëri FSHF pak ditë më parë.

Sokol, Flamurtari vazhdon të jetë në zonën e ftohtë. Si e shikoni situatën në klub?

Situata te Flamurtari asnjë ditë nuk ka qenë e mirë, me përjashtim vetëm kur janë bërë blerjet. Unë s'e kuptoj çfarë do një ekip më shumë që të ketë qetësi ose psikologji të mirë. Te Flamurtari, derisa të vazhdojnë të qëndrojnë njerëz të vjetër, që nuk kanë dhënë asgjë pozitive për ekipin dhe vazhdojnë të japin akoma frymë negative, kështu do të jetë situata. Ndërsa për administratorin që përfaqëson kompanitë turke, mendoj se duhet të jetë më bashkëpunues me njerëz që e duan ekipin pa interes dhe në Vlorë ai ka plot të tillë. Mirëpo, thjesht ai duhet t'i zgjedhë.

Drejtuesit ua kanë faturuar arbitrave rezultatet e fundit, madje shohin një tendencë të FSHF-së kundër Flamurtarit. Cili është komenti juaj?

Për arbitrimin ka një komision që vendos nëse ishte apo nuk ishte penallti. Flamurtari ka bërë superblerje dhe nuk fitoi në Vlorë as me Bylisin dhe as me Tërbunin. Besoj se fjalët e tepërta janë fukarallëk dhe tifozët e kuptojë mesazhin tim dhe atë se çfarë dua të them.

Kalendari u rezervon një transfertë "bombë" në Korçë...

Ju më pyesni për ndeshjen me Skënderbeun në Korçë?! Ne po barazojmë me Tërbunin e vendit të fundit në Vlorë...

Në të njëjtën kohë klubi po kërcënohet me heqje pikësh prej borxheve.A është ky një problem madhor që nuk po zgjidhet mes palëve?

Sa u përket borxheve, unë nuk jam në dijeni si i ka bërë procedurat pala turke me bashkinë. Dokumentet aty janë dhe t'i shikojnë juridikisht. Kryetari i bashkisë aty e ka administratorin që ishte dhe me bashkinë e vjetër dhe është edhe me këtë aktuale. Ta pyesë si qëndron puna dhe ne të tjerët të dëgjojmë. Nuk dimë kë të besojmë, kush gënjen dhe kush jo! Unë di një gjë, që tifozllëku i shquar dhe dashamirës vlonjat nuk po reagon. Ai është inekzistent dhe më vjen keq që Flamurtari po paguan keqmenaxhimin e klubit ndër vite. Keni bërë shumë kritika ndaj klubit ndër vite.

Si mund ta bëjë ky Flamurtar krenar Vlorën dhe tifozët?

Unë i kam bërë kritikat shpejt për situatën te Flamurtari dhe asnjë nuk më ka dëgjuar. Megjithatë, këtë sezon ata kanë mundësi që të na bëjnë të paktën krenarë me fitimin e Kupës së Shqipërisë.

Keni thënë se bëni tifo për Partizanin. Çfarë përshtypje ju la barazimi ndaj Skënderbeut?

E ndoqa me kujdes ndeshjen dhe vlerësoj shumë forcën që tregoi Partizani, falë edhe lojtarit kryesor, që për mua janë tifozët e kuq. Por, dua të theksoj se Skënderbeu me finesë dhe me fatin e fituesit, arriti të mbante largësinë nga Partizani. Natyrisht, dëshira ime është që ta fitojë titullin Partizani, por mendoj se sërish do të shpallet kampion Skënderbeu.

Pak ditë më parë, FSHF iu dha titullin "Nder i Futbollit Shqiptar". Si u ndiet?

Kjo ishte një surprizë e bukur për mua, pasi erdhi papritur. Falënderoj presidentin dhe FSHF-në për titullin e lartë që më dhanë, për kujtesën e punës sime 35-vjeçare në këtë fushë ku u rrita, u shkollova dhe u bëra me famë falë këtij futbolli. I falënderoj të gjithë trajnerët pa përjashtim që punuan me mua për të sjellë gjithë këto rezultate të larta. Nuk lë pa falënderuar tre tifozët më të mëdhenj që kemi. E para tifozët e Kombëtares kudo që kanë qenë dhe më kanë ndjekur, tifozët e shkëlqyer vlonjatë dhe tifozët e panumërt të Partizanit, që nuk kanë lënë vend pa ardhur. Po lë në fund ndihmën dhe sakrificën e familjes për mua. Më vjen keq që në Vlorë e mësojnë këtë lajm pas disa ditësh.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Jam lojtar i dalë nga Vlora dhe kam dhënë gjithçka për Flamurtarin. Por, këta me një cinizëm dhe xhelozi primitive, e kanë injoruar si lajm. Si respekt unë i falënderoj zotërinjtë në Tiranë për kujtesën, pasi në Vlorë të gjithë shokët e mi janë dekoruar me hipokrizi pas vdekjes.

Përgatiti: ERMAL SIKA