Kur shpëtimi i kryesuesve vjen nga 11 metrat
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Java e 17-të e Kategorisë së Parë dhe e parafundit e fazës së dytë ka prodhuar një koincidencë të rrallë.
Të dyja ekipet kryesuese të grupeve, Korabi në A dhe Luftëtari në B, i siguruan fitoret që i mbajnë sërish në vend të parë falë 11-metërshave. Sigurisht, edhe penalltitë janë pjesë e lojës, por në shumë raste ekipeve pretendente u jepet "një dorë" për t'i ndihmuar. Në Peshkopi akordohet një 11-metërsh i dyshimtë ku arbitri kryesor dhe anësori nuk merren vesh mes tyre.
Ndaj Mamurrasit të vendit të fundit që braktis ndeshjen edhe për shtatë minuta në shenjë proteste, dibranët hasën jo pak vështirësi. Iu desh një penallti e shndërruar në gol për të siguruar fitoren. Përtej kontestimeve, tifozët meritojnë notën 10.
Rreth 4 mijë të pranishëm në stadium. Duhet thënë se është ndoshta e vetmja skuadër në Kategorinë e Parë që ka një mbështetje të tillë në ndeshjet brenda fushe. Luftëtarit nuk i bëjnë më përshtypje penalltitë. Madje, në Gjirokastër ka nisur të qarkullojë edhe barsoleta më e fundit. "Një penallti e kemi të sigurt, sido që të shkojnë gjërat".
Është kjo shprehja që tifozët ngushëllojnë veten përpara çdo ndeshje në listë. Ashtu si në dy takimet e fundit, ndaj Butrintit dhe Elbasanit (2 penallti), edhe të shtunën gjirokastritët iu falën një 11-metërshi për të siguruar fitoren ndaj Sopotit.
Nga pika e bardhë është Dhrami ai që shënon. Në ndeshjet e tjera të Grupit A, Kastrioti ka fituar në Burrel duke ruajtur ritmin e ekipeve të tjera pretendente. Një sfidë ku vendësit kanë kontestime. Besëlidhja shfryn të gjithë dufin e rezultateve negative në javët e fundit duke shënuar katër gola ndaj Adës.
Serbi Bajiç është në ditën e tij më të mirë duke shënuar dopietë. Trajneri Ilir Gjyla e nis në mënyrën më të mirë aventurën me Besën.
Kavajasit fitojnë 4-3 ndaj Erzenit që ishte thuajse me ekipin e dytë. Në Fushë-Krujë e kanë përjetuar si dramë humbjen me Kamzën 3-2. Tashmë, vështirësohen shumë gjërat për ekipin që kërkon mbijetesën. Kamzalinjtë realizojnë një fitore spektakolare ku për tri minuta përmbysin gjithçka.
Në Grupin B, Apolonia vazhdon ndjekjen e Luftëtarit. Në sfidën e zhvilluar në Pezë ndaj Dinamos, fierakët i nderon kapiteni Amarildo Dimo që shënon golin e vetëm dhe të fitores. Pogradeci e kthen në një stërvitore sfidën ndaj Elbasanit në transfertë.
Tre gola të shpejtë për liqenorët mbyllin pa histori përballjen me verdheblutë që vazhdojnë të jenë të fundit. Lushnja duket se e ka kaluar krizën e pesë humbjeve radhazi. Verdhejeshilët siguruan të shtunën fitoren e dytë në po kaq takime që zhvilluan në fushën e tyre së fundmi. Shkumbini siguroi një 3-pikësh shumë të rëndësishëm në një përballje për mbijetesë ndaj Butrintit. Me këtë fitore, peqinasit nisin ngjitjen në tabelë duke iu larguar zonës së ftohtë. Besar Bozgo