Kukesi, ne turin e trete te Europa League!
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Askush të mos çuditet, Kukësi është tashmë në elitën e skuadrave shqiptare për sa i përket pjesëmarrjes në Kupat e Europës. Skuadra veriore ka plotësuar ciklin e saj të jashtëzakonshëm, duke arritur të kualifikohet me sukses në turin e tretë paraeliminator të Europa League, një arritje që askush nuk mund ta imagjinonte vetëm tre vite më parë kur ky ekip merrte pjesë në futbollin joprofesionist shqiptar (Kategorinë e Dytë). Për të shkruar emrin në historinë e futbollit shqiptar, Kukësit i është dashur një tjetër ndeshje heroike, si ato tri të zhvilluara më parë në këtë turne ku janë debutues, për të marrë një barazim 0-0 ndaj Sarajevos dhe për të festuar në fushën e skuadrës boshnjake kalimin e turit.
Në fillimin e ndeshjes Cungu çuditi të gjithë duke ndryshuar formacionin titullar që kishte funksionuar aq mirë në javën e kaluar, për të aktivizuar Malotën në mesfushë e Malindin në sulm në vend të Alikajt e Popoviç. Ndonëse Kukësi rreshtohet me një 4-3-3 të mirëfilltë, skuadra duket qartësisht se nuk ka ndër mend që të bëjë aventura në sulm, ndërsa mendon më shumë të mbrojë rezultatin ndaj sulmeve të vendasve, të cilët hidhen në kërkim të golit që nga minuta e parë. Për shumë minuta me radhë, loja zhvillohet në gjysmëfushën e nënkampionëve të Shqipërisë, por vendasit e Sarajevos e kanë të vështirë të gjejnë hapësirat e duhura për të rrezikuar seriozisht portën e Halilit. Megjithatë, në minutat e fundit të pjesës së parë, vendasit bëhen më insistues dhe portieri i Kukësit detyrohet disa herë të shfaqet i vëmendshëm për të evituar rreziqet në katërkëndorin e tij.
Në pjesën e dytë, Sarajevo krijon raste shumë më të rrezikshme, ku i pari është ai i regjistruar 10 minuta pas fillimit të pjesës së dytë, kur një gjuajtje e sulmuesve boshnjakë devijohet nga Peqini në shtyllë, e më pas topi largohet nga mbrojtja e Kukësit. Pak minuta më vonë, Sarajevo ka një tjetër rast të artë, këtë radhë falë penalltisë që Brahja shkaktoi ndaj Shunjevariç. Por Halili bën mrekullinë duke hipnotizuar Melunoviç dhe duke pritur gjuajtjen e sulmuesit nga pika e bardhë, për të mbajtur të paprekur rrjetën e portës së tij.
Musemiç e sheh që tashmë duhet të ndryshojë diçka në lojën e skuadrës së tij dhe bën rotacion të plotë me tre sulmues të rinj në fushë, por Cungu kundërpërgjigjet me një lëvizje të guximshme, pasi në vend që të përforcojë prapavijën, ndërron kokë për kokë Malindin me Popoviç, duke u munduar që të mbajë sa më larg kundërshtarët nga katërkëndori i ekipit shqiptar. Por të flasësh për sulm në këtë ndeshje nga ana e Kukësit është paksa e ekzagjeruar, ndaj nënkampionët e Shqipërisë i kthehen mbrojtjes së hekurt.
Pavarësisht një vuajtjeje që zgjat edhe në 5 minutat shtesë të akorduara nga gjyqtari, kuksianët përmbushin me sukses misionin historik duke mbyllur ndeshjen në barazim 0-0, që i kombinuar me suksesin 3-2 të ndeshjes së parë në kryeqytet, mjafton për t’u kualifikuar në turin e tretë të Europa League, ashtu siç ka bërë më parë në histori vetëm Flamurtari i lavdishëm në vitin 1987.
Tani skuadrën e drejtuar nga Armando Cungu e pret një sfidë shumë e vështirë, ndaj ukrainasve të Metalurg Donetsk, por duke luajtur pa asnjë lloj preokupimi dhe me një mbështetje të fuqishme financiare nga drejtuesit e klubit, kuksianët mund të tentojnë mrekullinë e radhës. Por që tani, askush nuk mund të thotë më se ky vit nuk ishte një sukses.
Sarajevo-Kukësi 0-0
Sarajevo: Bandoviç, Tatomiroviç, Tadejeviç, Dupovac, Haurdiç, Todoroviç, Shunjevariç (74’ Osmanagiç), Xhakmiç, Cimirot, Suljiç (75’ Huseinbashiç), Melunoviç (69’ Kariç).
Trajner: H. Musemic
Kukësi: Halili, Brahja, Hallaçi, Malakarne, Peqini, Malota, Progni (90’+2’ Alikaj), Allmuça, Karabeci, Malindi (Popoviç 70′), Hoxha (84’ Manuka).
Trajner: A. Cungu
Gjyqtarë: M. Vilkov, A. Vorontsov, V. Dançenko (Rusi)
KV: Peqini, Malindi, Karabeci
Europa League
Turi i tretë paraeliminator
Milsami Orhei-S. Soligorsk 1-1
Trençin-IFK Goteborg 2-1
Rubin Kazan-Jagodina 1-0
Minsk-Valeta 2-0
Piast-Karabag 2-2
Rudar-Slask 2-2
Zhilina-Olimpija 2-0
Turnovo-Hajduk 1-1
K. Lankaran-Makabi Haifa 0-8
Inter Baku-Tromso 1-0
Çikhura-Thun 1-3
Zhënes D’Esh-Ventspils 1-4
Pyunik-Zhalgiris 1-1
Shturm Grac-Breidablik 0-1
Aktobe-Hod 2-0
Slovan-Skonto 1-0
Haken-Sparta Praga 1-0
Gefle-Anorthosis 4-0
Omonia-Astra Giurgiu 1-2
Hapoel Tel Aviv-Beroe 2-2
Panduri-Levadia 4-0
Daçia-Çornomorets Odesa 2-1
Senica-Mladost 0-1
Utreht-Diferdanzh 3-3
Botev-Zrinjski 2-0
Vikingur-Petrolul 0-4
Prestatin-Rijeka 0-3
Lokomotiva-Dinamo Minsk 2-3
AaB-Dila 0-0
Debreçen-Stromsgodset 0-3
IBV-Crvena Zvezda 0-0
Honved-Vojvodina 1-3
Shiroki Brijeg-Irtish 2-0
Standard Liezh-KR 3-1
Leç Poznan-Honka 2-1
St. Xhonston-Rosenborg 1-1
Hibernian-Malmo 0-7
Derri Siti-Trabzonspor 0-3
Linfild-Ksanthi 1-2
Sarajevo-Kukësi 0-0