Kukesi 'europian' deshton perseri ne Superiore, mundet edhe ne shtepi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kukësi ka bërë të ëndërrojnë të gjithë tifozët shqiptarë gjatë verës së këtij viti me paraqitjet e jashtëzakonshme në Kupat e Europës. Por duket se energjitë e shpenzuara kur skuadrat e tjera shqiptare ishin pushim, apo edhe mungesa e një faze përgatitore të mirëfilltë, ka penalizuar nisjen e sezonit në Kategorinë Superiore. Skuadra e Armando Cungut ka regjistruar dje humbjen e dytë radhazi në po aq javë të luajtura në kampionat, duke treguar se ndoshta rrëshqitja e javës së kaluar ndaj Lushnjës nuk ishte krejtësisht një rastësi.
Në ndeshjen e luajtur dje në “Zeqir Ymeri” të Kukësit, ku skuadra kishte qenë e pathyeshme në sezonin e kaluar dhe ku tifozët vendas pritnin një fitore të madhe, pjesa e parë dukej se po përgatiste triumfin e verilindorëve. Vendasit dominuan dhe krijuan më shumë raste, por pa arritur të gjenin rrugën e rrjetës. Megjithatë, në fillimin e pjesës së dytë është Vllaznia që feston pas golit të shpejtë të Bushiç, që shfrytëzoi një pavëmendje të mbrojtjes së kuksianëve. Nënkampionët e Shqipërisë u hodhën në sulm dhe pa kaluar 10 minuta arritën të barazonin rezultatin me Prognin. Por Canaj gjen lëvizjen e duhur duke aktivuar të riun Arsid Kruja, i cili shfrytëzon dy kundërzbritje të shpejta për të çuar në 3-1 rezultatin për Vllazninë, e cila u largua me tri pikë shumë të vlefshme nga kjo transfertë e vështirë. Ndërkohë, Kukësi tashmë duhet të fillojë të mendojë seriozisht si të kthejë sa më shpejt situatën në favorin e vet, pasi për momentin nuk duket aspak në pozitat e një skuadre që pretendon për titullin kampion. Dy ndeshjet e radhës, ndaj Skënderbeut dhe Teutës, janë të duhurat për të treguar se sa janë pretendimet reale të kësaj skuadre.
Një tjetër skuadër që e nisi me pretendime serioze sezonin, Partizani, është kthyer me këmbë në tokë pas humbjes 1-0 në transfertën në Laç. Vendasit kanë dominuar në pjesën e parë të takimit, ndërsa për të gjetur rrugën e rrjetës, edhe Nica ka lëvizur Tanushin nga stoli, me sulmuesin 30-vjeçar që shënoi golin vendimtar të ndeshjes, i cili njëkohësisht bëri që Laçi të marrë përkohësisht vendin e parë në renditjen e Superiores. Tentativat e mëpasshme të Partizanit për të barazuar rezultatin nuk ishin të mjaftueshme dhe kësisoj, të kuqtë u kthyen në kryeqytet të ridimensionuar në pretendimet e tyre, të ndërgjegjshëm se fitoret në Superiore janë shumë më të vështira se ato të sezonit të kaluar në Kategorinë e Parë.
Ndeshja e tretë e kësaj të shtune në Superiore, mes Bylisit dhe Kastriotit, ka përfunduar me suksesin 1-0 të ballshiotëve, falë golit të Izuçukuka në pjesën e dytë të ndeshjes. Suksesi eviton një krizë të mundshme të Bylisit, ndërsa bashkon Kastriotin me Kukësin në vendin e fundit në renditjen e Superiores, me 2 humbje në po aq takime të luajtura.
Vëmendja e gjithë tifozerisë sot është te ndeshja mes Flamurtarit dhe Skënderbeut në Vlorë, në një sfidë që kthen rivalitetin e sezoneve të kaluara, ndonëse vlonjatët i kanë ulur disi pretendimet pasi larguan shumë prej “yjeve” gjatë verës.
Kategoria Superiore
Java 2 / Rezultatet
Laçi-Partizani 1-0
73’ Tanushi
Bylis-Kastrioti 1-0
67’ Izuçukuka
Kukësi-Vllaznia 1-3
55’ Progni / 47’ Bushiç, 74’, 85’ Kruja
Sot
Besa-Teuta 14:00
Tirana-Lushnja 14:00
Flamurtari-Skënderbeu 17:00
Renditja
Laçi 4 pikë, Vllaznia 3, Teuta 3, Partizani 3, Flamurtari 3, Lushnja 3, Skënderbeu 3, Bylisi 3, Tirana 1, Besa 0, Kukësi 0, Kastrioti 0.