Kukesi e Partizani sigurojne Europen Apolonia zbret nga kategoria

Kukesi e Partizani sigurojne Europen, Apolonia zbret nga kategoria

Verdiktet e sezonit janë dhënë dhe vetëm ndonjë surprizë javën e fundit, mund të përmbysë vetëm çështjen Europë, ndonëse është pothuajse e pamundur. Kështu Kukësi është matematikisht në Europë, Partizanit i duhet vetëm një pikë, Teuta qëndron në Superligë, ndërsa Apolonia i thotë mirupafshim Kategorisë Superiore.Në fund Tirana e milionave, nuk ia del dhe paçka se ka edhe një javë për t’u luajtur, çështja Europë është në dorë të Kupës së Shqipërisë.

Bardheblutë shpresojnë që të jetë Kukësi fituesi i trofeut, për të marrë biletën e verës. Në të kundërt sezoni është i dështuar. Këto kanë qenë verdiktet 90 minuta nga fundi i sezonit në Shqipëri. Teuta i falet një goli në minutat shtesë për të siguruar qëndrimin në Kategorinë Superiore në dëm të Apolonisë që u dorëzua pa kushte pas golit të shënuar nga Ardit Peposhi. 1-0 dhe “Djemtë e Detit” janë plus katër nga Apolonia që së bashku me Elbasanin pret biletën për në Kategorinë e Parë.

Peposhi korrigjoi në minutën e tretë shtesë, duke shtyrë në rrjetë topin që siguron matematikisht qëndrimin e Teutës në Kategorinë Superiore. Në krahun tjetër, Apolonia u dorëzua pas një 90 minutëshi ku tentoi gjithçka në “Niko Dovana”, por nuk arriti të realizonte mrekullinë. Tërmet katër “ballësh” në Kukës. Vendësit eliminojnë pa asnjë shpresë Tiranën që dështon përfundimisht në qëllimet e saj për në Europë, në një ndeshje të cilën duhet ta fitonte me çdo kusht. Vilfor Hysaj që ndezi festën e tifozëve që në minutën e 5-të.

Por Tirana nuk ishte në ditën e vet. Pejiç, avancon në të djathtë në minutën e 22, mashtron edhe Frashërin në një dalje jo edhe aq të zgjuar në kufijtë e zonës dhe çon topin drejt e në rrjetë. 2-0. Në minutën e 35 sërish Pejiç çon rezultatin në 3-0. Ankthi, gjithsesi, nuk ka mbaruar dhe Curri prek topin me dorë në zonë. Për arbitrin është penallti. Nga pika e bardhë është sërish Pero Pejiç dh e4-0 për Kukësin. Dhe nuk ka mbaruar ende pjesa e parë. Në pjesën e dytë, Pashaj bën një ndërhyrje brutale nga pas dhe merr kartonin e dytë të verdhë dhe lë skuadrën me 10 vetë.

Goli i nderit vjen nga Selemandi Ndikumana i futur në lojë nga stoli, në minutën e 84 me një goditje nga kufijtë e zonës, i jep tifozëve bardheblu mundësinë që të duartrokasin të paktën një herë. Mbyllet 4-1 me një Tiranë të shkatërruar që në tre javët e fundit të Superiores humbet gjithçka. Partizani bëni detyrën fiton 1-0 ndaj Vllaznisë në “Qemal Stafa” dhe është drejt kualifikimit në Europa League sezonin e ardhshëm. Gjithçka erdhi falë një goli të Mentor Mazrekaj nga pika e bardhë e penalltisë që i mjaftoi Partizanit për të kaluar me sukses Vllazninë e Luan Zmijanit.

Në fund, pikërisht në takimin me më pak histori Laçi nuk mishëron Elbasanin. Në minutën e 18-të, Agim Meto shfaqet përballë Myftaragos, duke mos e pasur të vështirë për të kaluar në avantazh Laçin ndaj një Elbasani me të rinj. Kur kishin mbetur edhe katër minuta nga koha e rregullt, një kombinim me kokë, midis Stipe Buljan dhe Emiljano Çelës, dhe ky i fundit realizoi po me kokë golin e dytë të kurbinasve ndaj Elbasanit. Kjo ishte java e 35-të. Janë edhe 90 minutat e fundit për t’u luajtur dhe Kupa në sezonin aktual të Kategorisë Superiore, por verdiktet janë dhënë dhe zor se ndryshohen.

Magani: Më vjen turp, gabuam në merkato

Pas humbjes trajneri Gugash Magani, është shprehur se i vjen turp nga ajo që ndodhi në Kukës. “Largohem. Më vjen keq dhe turp për këtë humbje! Nuk mundet Tirana të paraqitet kështu! Marr pergjegjësitë e mia, por skuadra nuk me bind taktiksht! Eshtë e papranueshme që të varemi nga të tjerët për pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Largohem definitivisht. Nuk kam asnjë kontakt me Flamurtarin. Mund të jetë dëshira e tyre për të më pasur trajner, por nuk kam pasur asnjë kontakt. Kam qenë gjithnjë i fokusuar te Tirana. Kemi gabuar shumë në merkato. Kemi marrë gjeneralë, por ne ekip duhen edhe gjeneralë. Kukësi kishte sot ushtarë dhe jo gjeneralë në fushë”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama