Kukan: Rama eshte karizmatik, Meta, i zoti dhe dinamik
Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Kryeministri i ri Edi Rama mund të jetë mbresëlënës në negociata, kështu shprehet kryesuesi i delegacionit të Parlamentit Europian, Eduard Kukan, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shekulli” të dhënë në Bruksel gjatë një takimi me gazetarë nga vendet që aspirojnë të anëtarësohen në BE. Europarlamentari thotë se lideri socialist ka qenë gjithnjë tepër kritik rreth kësaj qeverie, ndërsa tani ka mundësi të tregojë se si do të punojë si kryeministër. Kukan shpreson nga kryeministri Rama që të realizojë ato çka premtoi: klimë politike të re e pozitive. “Është i aftë, por vetëm realiteti do ta vërë në provë”, thekson Kukan .
Mendoni se Shqipëria i ka plotësuar standardet e zgjedhjeve?
Deri tani po. Ne ishim aty në ditën e votimit dhe mund të them se në tërë-si ishte një proces normal, përveç incidentit tragjik në Laç dhe disa parregullsive të karakterit teknik. Edhe vëzhguesit ndërkombëtarë e vlerësuan ditën e zgjedhjeve si normale. Pati disa vonesa në procesin e numërimit, por deklaratat e përfaqësuesve politikë ishin pozitive. Kryeministri Berisha e pranoi humbjen, ndërsa kryeministri i ardhshëm Edi Rama dha një mesazh shumë të rëndësishëm për popullin e tij, se njerëzit duhet të jenë të qetë se kushdo që është i kualifikuar për një post të caktuar në administratën shtetërore do të mbetet aty. Kështu që ne këtu në Parlamentin Evropian besojmë se kjo është rruga e duhur dhe shpresojmë që kalimi i pushteteve do të bëhet normalisht, e po ashtu edhe formimi i Parlamentit dhe Qeverisë së re në shtator. Nëse e gjitha kjo vazhdon të shkojë sikurse deri tani, ne kemi besim se Shqipëria do të lëvizë më shpejt në rrugën e integrimit evropian.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve veproi me katër anëtarë nga shtatë...
Kjo është diçka negative, e cila është përfshirë në raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë, sikurse edhe fakti që fatkeqësisht fondet publike u përdorën për partitë politike. Kjo nuk duhet të ndodhte. Këto ndodhën që para zgjedhjeve, por falë Zotit procesi ishte i qetë dhe tani i kemi të gjitha shpresat se Shqipëria do ecë më tej drejt integrimit evropian.
A mendoni se qeveria e re e z. Rama dhe z. Meta do jetë e suksesshme, duke qenë se të dy ata janë udhëheqës të fortë?
Hapi i radhës është gjithnjë më i vështirë, por një udhëheqës i madh duhet të vendosë përparësi. Është një partner i madh dhe një i vogël dhe ne shpresojmë që ata të punojnë së bashku për të mirën e vendit. Na mbetet thjesht të shpresojmë që ata të sil-len në mënyrë të përgjegjshme, nevojitet përgjegjësi politike nga të dy.
Si e shikoni dorëheqjen e z. Sali Berisha nga Partia Demokratike?
Mendoj se është një hap logjik dhe i arsyeshëm, sepse një udhëheqës politik që e drejton partinë dhe ajo humbet me një diferencë kaq të madhe, duhet të mbajë përgjegjësi për këtë. Mendoj se akti i tij i dorëheqjes duhet vlerësuar, e tillë duhet të jetë kultura politike.
Sa mundësi ka Shqipëria që ta marrë Statusin e vendit kandidat në dhjetor?
Nëse gjërat shkojnë siç kanë shkuar deri tani, mundësitë janë reale. Por, duhet të presim e të shohim si do vijojë më tej.
Personalisht, si e vlerësoni z. Rama?
E njoh z. Rama, jemi takuar shumë herë. Është shumë karizmatik dhe mund të jetë mbresëlënës në negociata. Ka qe-në gjithnjë tepër kritik rreth kësaj qeverie, përherë ka qenë i pakënaqur për punën e saj. Tani ka mundësi të tregojë se si ai do punojë si kryeministër. Unë thjesht shpresoj që ai të realizojë ato çka premtoi: klimë politike të re e pozitive. Është i aftë, por vetëm realiteti do ta vërë në provë.
Z. Meta?
Z.Meta është gjithashtu një politikan i ri e shumë dinamik. Personalisht mendoj se është shumë i zoti në menaxhimin e partisë së tij. Besoj se ai do ta përdorë pozitën e tij për ta çuar përpara zhvillimin evropian të Shqipërisë.
Po z. Berisha, 21 vjet në politikë e katër të tjera si deputet...?
Ai është një politikan me përvojë të madhe, ishte kryeministër për tetë vjet, një kohë e gjatë. Është dinamik e me eksperiencë, sikurse duhet të jenë politikanët, por zgjedhjet treguan që njerëzit nuk kishin më besim tek ai. Mund të ishte sjellë ndryshe, mund të kishte krijuar probleme pas humbjes, por nuk e bëri. Dha dorëheqje, çka ishte një lëvizje politike e mirë nga ana e tij. Partitë akuzojnë njëra-tjetrën për korrupsion, por askush nuk dënohet... Kjo është gjë e keqe, sepse rastet e korrupsionit duhet të hetohen objektivisht dhe drejt, dhe kushdo qoftë duhet të përballet me ligjin në mënyrë të barabartë.