e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Ku do t’i gjeje qeveria 400 mesues per gjuhen kineze?!

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Ku do t’i gjeje qeveria 400 mesues per gjuhen kineze?!
Nevojiten minimumi 400 mësues për të dhënë mësim në gjuhën kineze
Berisha: Kinezçja gjuhë e dytë. Rama: Kryeministri bën shpikje, kur shteti digjet nën dëborë

Projektligji i ri për arsimin parauniversitar e bën të detyrueshme mësimin e dy gjuhëve të huaja në shkollat e mesme. Në mbledhjen e djeshme Qeveria miratoi projektligjin e ri, i cili krahas risisë së gjuhëve të huaja, vendos edhe rregull në marrëdhëniet mes nxënësve, mësuesve dhe prindërve. Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij propozoi që gjuha kineze të vendoset si gjuhë e dytë e detyruar në shkolla, por nëse ky propozim do të kthehej në një vendim është e pamundur të sigurohen mësues që zotërojnë gjuhën kineze. Sipas statistikave nga MASH janë 1 mijë e 749 shkolla 9-vjeçare dhe 376 gjimnaze publike. Kjo do të thotë se do të duheshin rreth 400 mësues për të dhënë mësim në gjuhën kineze, minimumi nga një për në çdo shkollë të mesme.

Projektligji

Drafti kërkon që në të gjithë sistemin e arsimit parauniversitar, të jetë i detyrueshëm mësimi i dy gjuhëve të huaja, ndërsa ligji aktual nuk e ka të detyrueshme gjuhën e dytë. Sipas burimeve nga MASH ligji nuk përcakton se cilat do të jenë dy gjuhët e detyrueshme, pasi ky është vendim që merret në mënyrë të pavarur nga secila shkollë në Shqipëri. “Lidhur me gjuhët e huaja, ku projektligj përcakton që në arsimin parauniversitar në shkollën e mesme të zhvillohen dy gjuhë, njëra si gjuhë e parë dhe tjetra si gjuhë e dytë. Grupi i parë i gjuhëve që mund të zgjidhet si gjuhë e parë ose e dytë, përcaktohet nga aktet nënligjore. Gjuha e parë përcaktohet nga shkolla dhe e dyta nga nxënësi,” saktësojnë burime zyrtare nga Ministria e Arsimit.

Berisha

Kryeministri Berisha, i cili flet 4 gjuhë të huaja, e përgëzoi këtë risi në projektligj, duke sugjeruar edhe mësimin e gjuhës kineze, si gjuhë e dytë, edhe pse vetë pranoi se nuk di më shumë se 2-3 fjalë në këtë gjuhë të huaj. Por sipas tij, realiteti i ri botëror dhe ndikimi global kinez do të ndihmojnë shqiptarët në komunikimin me popujt e tjerë. “Shqiptarët për definicion janë poliglot të lindur. Askush nuk ka aparatin e të folurës më të përshtatshme për të folur me shpejtësi çdo gjuhë se sa shqiptarët. Qoftë kjo për grupin anglo-sakson, neolatin, e grupit kinez, sllav, etj. dhe pikërisht në këtë buron edhe fakti i pasionit të tyre për gjuhët e huaja. Nuk duhet harruar se shqiptarët janë frankofonë, janë fluentë në italisht, duhet të hapen më shumë ndaj spanjishtes, ndaj gjermanishtes, por edhe ndaj gjuhës kineze, si gjuhë e dytë”, tha Berisha. Sipas kryeministrit Berisha projektligji vendos në themel të arsimit parauniversitar standardet më të mira të shkollimit dhe e bazon këtë arsim në 3 disiplina kryesore gjuhën shqipe, leximin dhe matematikën.

Reagimi i Ramës

Por pasditen e djeshme fill pas këtij diskutimi për draftin e ri dhe gjuhën kineze, ka reaguar edhe kreu i opozitës Edi Rama, i cili ka shprehur pikëpamjen e tij në lidhje me deklarimet e kryeministrit Berisha për mësimin e gjuhës kineze. Nëpërmjet një komenti në Twitter Rama thotë se: “Të mësojmë kinezçe për të shpëtuar! Shpikja e sotme e Kryeministrit gjatë krehjes para televizioneve teksa Shqipëria digjet nën dëborë.

Autonomia e shkollave

Por krahas gjuhëve të huaja ligji i ri për arsimin parauniversitar rrit edhe autonominë e shkollave, duke i dhënë më shumë kompetenca prindërve dhe nxënësve. “Ligji rrit në mënyrë të ndjeshme autonominë e shkollave tona. Jep një pozicion të ri për rolin e prindërve dhe nxënësve për sistemin tonë arsimor. Ligji merr parasysh gjithashtu zhvillime të rëndësishme në drejtim të arsimit profesional. Me vështirësi, por fatmirësisht po ecet dhe ky vit ka shënuar rritje të ndjeshme me 11 % të numrit të nxënësve të shkollave profesionale,” tha dje kryeministri, ndërsa theksoi më tej se ligji i ri vendos në themel të arsimit parauniversitar standardet më të mira të shkollimit. “Ai do ta bazojë këtë arsimim në dy disiplinat më kryesore: Gjuhën amtare dhe matematikën. Ligji krijon prerogativa për një zgjerim më të shpejtë të arsimit parashkollor. Shumë vite më vonë do faktohen sa të dobishme janë këto ligje”, shtoi Berisha. Kreu i qeverisë vuri në dukje se gjatë këtyre viteve janë bërë shumë përpjekje për të konsoliduar arsimin parauniversitar, ndërsa theksoi se rrogat e mësuesve kanë shënuar rritje mbi 120%.

Broka: Berisha do na mësojë kinezçen, ne do i mësojmë demokracinë

Kryetari i Kuvendit Civil, Dritan Broka, në një takim të zhvilluar ditën e djeshme me anëtarët, diskutoi për propozimin për futjen e gjuhës kineze, si gjuhë të dytë në shkollat tona. Broka tha ndër të tjera se: “Zoti kryeministër, përveç të gjitha “arritjeve” që na ka dhuruar, tashmë do që popullin tonë ta bëjë të flasë kinezçe. Madje vetë Berisha theksoi se nuk ka asnjë popull që mund të flasë kinezçen më mirë se shqiptarët”. Drejtuesja e zyrës së Mbrojtjes së Qytetarit, Anila Muçaj, foli për problemet e komunitetit dhe i ofroi ndihmën e kësaj zyre dhe të Kuvendit Civil për çdo problem që ne të gjithë së bashku mund ta zgjidhim. Nga ana e tij, Taulant Capa, Kryetari i Patrioteve Civil, foli për “Nëntorin e Tretë”, dhe theksoi se “Shqipëria ka nevojë për një Pavarësi të Re dhe për një Demokraci Reale”. Në fund të këtij takimi, kryetari Dritan Broka i ftoi të gjithë pjesëtarët në datën 20 Shkurt 2012, për të realizuar një tubim për demokraci, sepse: ”Në të vërtetë,- theksoi ai-, ne nuk jemi në një sistem demokratik, por në një demokraci hibride. Të bashkohemi dhe të ndryshojmë Shqipërinë”, apeloi Broka. Të gjithë të rinjtë e Kuvendit Civil iu bashkuan një zëri thirrjes për revolucion të Kuvendit Civil.