e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Kristiano Ronaldo eshte 'Topi i Arte 2013'!

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kristiano Ronaldo eshte 'Topi i Arte 2013'!

Kristiano Ronaldo ka fituar “Topin e Artë 2013”, duke marrë për herë të dytë në karrierën e tij këtë çmim prestigjioz individual. Futbollisti portugez ka mundur Lionel Mesin dhe Frank Riberi në këtë votim, në një mbrëmje ku rolin kryesor e ka marrë futbolli gjerman, nga i cili doli emri i trajnerit më të mirë për meshkuj e femra, si dhe i “Topit të Artë” për femra.

Ceremonia e djeshme ka filluar me publikimin e “Skuadrës së vitit”, të përzgjedhur nga futbollistët profesionistë të FIFPro. Më pas, ceremonia vijoi me “Çmimin Presidencial”, i cili në këtë vit i ka shkuar presidentit të nderit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Zhak Rozhe. Vëmendja u kthye nga trajnerët, ku si në futbollin e meshkujve, ashtu edhe atë të femrave, dominues ishte futbolli gjerman. Në futbollin e meshkujve, ashtu siç pritej, fitues u shpall Jup Heinkes, trajneri që drejtoi Bajern Mynih në fitoren e Bundesligës, Kupës së Gjermanisë dhe Ligës së Kampioneve gjatë vitit 2013. Ndërkohë, në futbollin e femrave, çmimi i shkoi Silvia Naid, trajneres të kombëtares gjermane. Kjo e fundit fitoi Kampionatin Europian me këtë përfaqësuese, ndërsa arriti që të ngrinte për herë të dytë trofeun, të cilin e kishte siguruar për herë të parë në vitin 2010.

FIFA dhe “France Football” vendosën të nderonin Federatën e Futbollit të Afganistanit me “Çmimin Fair Play”, para se në këtë natë me “Çmimin Pushkash” për golin më të bukur të vitit të nderohej Zlatan Ibrahimoviç, me roveshatën e tij në ndeshjen Suedi-Angli. Një moment mjaft emocionues ka qenë edhe caktimi për herë të parë i “Topit të Artë të Nderit”, i cili iu dha legjendës braziliane, Pele. Ky i fundit, ndonëse për shumë vite është cilësuar futbollisti më i mirë në botë, nuk mund ta fitonte trofeun gjatë karrierës së tij, pasi çmimi asokohe u jepej vetëm futbollistëve që luanin në Europë.

Në fund, radha i kaloi çmimit kryesor, “Topit të Artë” për femra e pastaj për meshkuj. Nadin Angerer, portierja dhe njëkohësisht kapitenia e kombëtares gjermane, siguroi një tjetër trofe për këtë vend. Ndërsa në orën 19:57, bota e futbollit për meshkuj njohu fituesin e këtij viti, Kristiano Ronaldon, i cili u ngjit në skenë i përlotur për të marrë këtë çmim, i shoqëruar nga djali i tij. Portugezi, autor i 69 golave në vitin kalendarik 2013, mori 27.99% të votave, me Lionel Mesin që mori 24.72% dhe Frank Riberi që mori 23.36% të votave.

“Fillimisht më duhet t’i bëj një falënderim të madh të gjithë shokëve të skuadrës te Real Madrid dhe kombëtarja portugeze. Pa përpjekjet e tyre, e gjithë kjo nuk do të kishte qenë e mundur. Jam shumë i lumtur, pasi është shumë e vështirë të fitosh këtë çmim”, ishin fjalët e portugezit, i cili me zor mbante lotët. “Më duhet të falënderoj këdo që ka qenë i përfshirë në aspektin personal me mua. Gruan time, miqtë e mi, djalin tim. Është një moment tmerrësisht emocionues. E gjitha që mund të them është faleminderit për këdo që u përfshi”, deklaroi Ronaldo pasi mori çmimin që kishte fituar për herë të parë në vitin 2008 dhe që atëherë e kishte parë të përfundonte gjithmonë në duart e rivalit të tij, Lionel Mesi.

“Skuadra e Vitit FIFPro”

Formacioni u dekonspirua gjatë provave

Nëse sekreti për “Topin e Artë 2013” u ruajt deri në momentin kur u hap zarfi në skenë, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për “Skuadrën e Vitit FIFPro”, e cila u dekonspirua që në orët e para të mëngjesit, falë një fotoje që u publikua në rrjetet sociale. Fotoja ishte shkrepur gjatë provave të ceremonisë dhe në ekranin e madh të sallës lexoheshin emrat e 11 të përzgjedhurve që më pas u konfirmuan gjatë mbrëmjes gala. Manuel Nojer, Dani Alvesh, Tiago Silva, Serxhio Ramos, Filip Lahm, Çavi, Andres Iniesta, Frank Riberi, Kristiano Ronaldo, Lionel Mesi dhe Zlatan Ibrahimoviç ishin emrat e përzgjedhur nga futbollistët profesionistë të FIFPro në “Skuadrën e vitit 2013”.

 

Fituesi

Jup Heinkes

Trajneri i vitit (meshkuj)

“Jam shumë i lumtur që jam këtu për të marrë këtë çmim. Për mua do të thotë shumë që marr këtë çmim pas mbylljes të karrierës time. Ndoshta 10 vite më parë as nuk do ta kisha ëndërruar një gjë të tillë, jam shumë i lumtur që jam këtu dhe falënderoj të gjithë te Bajern që e bënë të mundur”.

 

Silvia Naid

Trajneri i vitit (femra)

“Është ndjesi e jashtëzakonshme të fitosh këtë çmim, por ka pasur shumë njerëz që kanë punuar me mua. Skuadra ka qenë e jashtëzakonshme, lojtarët, stafi. Pa kontributin e tyre, unë nuk do të kisha qenë sot këtu. Është një çmim i madh për mua dhe futbollin e femrave në Gjermani”.

 

Zlatan Ibrahimoviç

Çmimi Pushkash

“Jam shumë krenar që jam këtu dhe do të doja të përgëzoja të gjithë të nominuarit e tjerë. Dua t’u uroj fat edhe djemve të formacionit të FIFPro dhe atyre që garojnë për çmimin e madh. Fitoftë më i miri! Tani thjesht dua të falënderoj të gjithë njerëzit që votuan për mua”.

 

Nadin Angerer

Topi i Artë (Femra)

“Jam pak e çuditur, por shumë e lumtur. Dua të falënderoj ata që më votuan, por edhe të përshëndes Marta dhe Ebi Uambak që kanë kaluar një vit të shkëlqyer. Një fitore e tillë nuk arrihet kurrë vetëm, ndaj dua të përshëndes skuadrën dhe trajnerin tim që më ka ngjitur në këto nivele”.

 

Pele

Ish-sulmuesi brazilian është nderuar me “Topin e Artë të Nderit” nga FIFA dhe “France Football”, pasi trofeu nuk jepej për futbollistë që nuk aktivizoheshin në Europë në periudhën kur luante ai

Shkëmbim batutash

Klop-Ibrahimoviç



Para ceremonisë, kamerat e televizioneve filmuan një seri batutash mes Zlatan Ibrahimoviç dhe Jurgen Klop. “Atëherë, kur do të më marrësh te Dortmundi?”, ishin fjalët e sulmuesit drejtuar trajnerit të ekipit gjerman. “Ti te Borusia? Do të më pëlqente, por do të më kushtojë sa e gjithë skuadra që stërvit”, ishte përgjigjja e shpejtë e teknikut gjerman ndaj suedezit të PSG.

 

Zgjatja e votimit nuk ndryshoi rezultatin



FIFA ka konfirmuar dje se ndryshimi i datës së përfundimit të votimeve për “Topin e Artë” nga 15 nëntori me 29 nëntor, nuk ka ndryshuar renditjen përfundimtare për finalistët e “Topit të Artë”. Shumëkush mendonte se ky ndryshim date ishte bërë për të ndihmuar Kristiano Ronaldon që të fitonte trofeun i cili deri në atë periudhë shihte si favorit francezin Frank Riberi.

 

Votat shqiptare nuk ishin për fituesin



Duket e çuditshme, por këtë vit, asnjë prej votuesve për “Topin e Artë” nga Shqipëria nuk ka vënë Kristiano Ronaldon si preferencë të parë. Trajneri De Biazi votoi Ibrahimoviç në vendin e parë, Ronaldon të dytin dhe Mesin të tretin. Kapiteni Cana votoi për Riberi të parin, Ronaldon të dytin dhe Mesin të tretin, ndërsa gazetari Dizdari votoi Riberi, Mesi dhe Neimar.