e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Kosove, forcat speciale sulmohen nga serbet ne veri

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Kosove, forcat speciale sulmohen nga serbet ne veri
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi në një konferencë urgjente për mediat pohoi se pikat doganore 1 dhe 31 në veri të Kosovës janë nën kontrollin e Policisë së Kosovës. Qarkullimi i lirë i qytetarëve tashmë vazhdon normalisht përjashto këtu kamionët serbë.

Rexhepi bëri të ditur se gjatë aksionit, një polic është plagosur nga një lëndë plasëse. Ai foli edhe për disa lëndime të tjera më të vogla të policëve të shkaktuara nga hedhja e xhamave dhe gurëve prej anës së serbëve lokalë. Rexhepi tha se duke marrë parasysh peshën e aksionit, dëmi është minimal.

Njësitë speciale të policisë janë penguar nga banorët serb që të marrin nën kontroll vendkalimin kufitar 1 në Jarinje. Ministri Rexhepi tha se edhe kjo pikë është vënë nën kontroll të policisë së Kosovës, ndërkaq, për ruajtjen e rendit dhe qetësisë në këtë pjesë të vendit, pas reagimeve të serbëve lokal, po ndihmojnë edhe forcat e KFOR it.

Ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi paralajmëroi se prania e njësive speciale të policisë së Kosovës në veri të vendit do të vazhdojë për aq kohë sa do të jetë e nevojshme dhe derisa të vendosen doganierët.

Situata u tensionua gjatë paradites në Rudare, ku serbët  bllokuan rrugën që të çon në pikën kufitare 1. Ata kanë shtënë me armë zjarri ndaj Policisë së Kosovës, duke dëmtuar një automjet të policisë, ndërsa nuk ka informacione për të lënduar.

Aksioni policor për marrjen nën kontroll të pikave kufitare në veri të vendit, ka filluar mbrëmë rreth orës 22. Policia e Kosovës mbrëmë ishte vendosur në pikën 31, ndërkohë që serbët kishin bllokuar rrugët që çonin në pikën 1, duke e penguar gjatë tërë natës policinë që të vendoset edhe në këtë pikë. Por policia ka arritur të vendoset në këtë pikë kufitare sot rreth orës 8 të mëngjesit.

Njësitet e Policisë Speciale të Kosovës ndërhynë të hënën në mbrëmje në pjesën veriore të Kosovës, për të vendosur kontrollin në dy pikat kufitare me Serbinë, me urdhër të kryeministrit Thaçi. Përfaqësues të shteteve të perëndimore kanë mbështetur vendimin e Qeverisë, që në dy pikat kufitare të policia e Kosovës të zbatojë ndalesën për hyrjen e mallrave serbe. Policia ka realizuar 70 për qind të aksionit. Deri të martën në mëngjes është parashikuar zbatimi i plotë i planit.

BE nuk mbështet veprimin e Kosovës

Bashkimi Evropian ka kundërshtuar veprimet e Kosovës në veri të territorit të saj duke kërkuar që këto çështje të zgjidhen me anë të dialogut. Maja Kocijanciç, zëdhënësja e përfaqësues më të lartë e politikës së jashtme Katherinë Ashton është shprehur se BE nuk pajtohet me vendimin e autoriteteve të Kosovës për të ndërmarrë aksionin në veri.

Ajo është shprehur se “është thelbësore tani që të qetësojmë situatën dhe të kthehemi aty ku ishim” duke shtuar se EULEX-i është i gatshëm të ndihmojë autoritetet në Kosovë për ta bërë një gjë të këtillë. Gjithashtu BE ka kundërshtuar dhe vendimin për embargon nga Serbisë.

Gentilini: Veprimet e njëanshme nuk zgjidhin problemin

Fernando Gentilini, Përfaqësuesit Special i BE-së për Kosovën në lidhje me situatën në veri është shprehur se operacioni i policisë së Kosovës ishte i panevojshëm. Ai ka theksuar se veprimet e njëanshme nuk mund ta zgjidhin problemin mes Kosovës dhe Serbisë.

“Operacioni i kryer mbrëmë nga autoritetet e Kosovës nuk ishte i dobishëm. Ai nuk është bërë në konsultim me bashkësinë ndërkombëtare dhe BE-ja nuk e ka miratuar atë”, ka reaguar Gentilini.

Ai ka bërë thirrje që situata të qetësohet  duke shtuar se “dialogu është e vetmja mënyrë që të zgjidhet çështja e vulave të doganave dhe të rivendosë tregti të lirë në të dy drejtimet”.

Merret  pika 1, Rexhepi: Shtrimë sovranitetin

Forcat policore kanë marrë kontrollin edhe në pikën 1 në Jarinje, ka konfirmuar ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. “Kemi pritur se mund të ketë vështirësi. Por, situata është qetë. Tani është shtrirë sovraniteti, dhe ky është një hap shumë i rëndësishëm”, ka thënë Rexhepi, transmeton REL.

Policia e Kosovës ka ndërmarrë mbrëmë aksionin për futjen nën kontroll të pikës kufitare 1 dhe 31 që gjenden në pjesën veriore të Kosovës, duke dërguar atje njësitë speciale të policisë.  Ndërsa, kontrolli është marrë menjëherë në pikën 31, në Bërnjka, njësitë speciale ishin bllokuar që të merrnin kontrollin dhe në Jarinje, nga bllokada e serbëve lokalë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se futja nën kontroll e pikës 31 është bërë nën të ashtuquajturin Planin B. Ai njoftoi, se gjatë aksionit, një polic është lënduar me një mjet shpërthyes, dhe dy-tre të tjerë janë lënduar nga hedhja e xhmave dhe gurëve, nga ana e serbëve lokalë.

Rexhepi ka thënë se me këtë veprim, po mundësohet që të zbatohet plotësisht vendimi i Qeverisë për masën e reciprocitetit ndaj Serbisë. Pikat kufitare 1 dhe 31, në të cilat nuk është vendosur dogana që nga viti 2008, janë parë si pengesa kryesore e zbatimit të reciprocitetit, meqenëse kamionët serbë kanë hyrë në Kosovë në mënyrë të pakontrolluar.

Rexhepi ka thënë se njësitë speciale të policisë, do të qëndrojnë në veri deri sa të jetë e nevojshme dhe derisa të vendosen doganierët.

Rexhepi: Aksioni ynë, pa ndihmën e EULEX-it

Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, ka deklaruar se aksioni i policisë është  zhvilluar pa ndihmën e EULEX-it, sepse Misioni i BE-së nuk ka pranuar të bëhet pjesë e një grupi të përbashkët koordinues.  “Nuk ka pasur fare koordinim me EULEX-in. Kemi kërkuar të krijohet një trupë e përbashkët me EULEX-in, por kjo nuk ka ndodhur. EULEX nuk ka pranuar të bashkëpunojë”, ka thënë Rexhepi.  Ai ka konfirmuar se situata në pikën 31 është e qetë. Ndërkaq, forcat policore deri në mesnatë nuk kishin mundur të arrijnë në pikën tjetër kufitare, për shkak se serbët lokalë kanë bllokuar rrugën me kamionë në në afërsi të Leposaviqit dhe në fshatin Rudare të Zveçanit.  Mirëpo, Ministri Rexhepi ka theksuar se policia nuk do të zmbrapset pa e realizuar aksionin. “Nuk ka tërheqje prapa. Ne jemi të vendosur të qëndrojmë. Situata është e tensionuar, por ne jemi maksimalisht të kujdesshëm që situata të mos përshkallëzohet”, ka thënë ai.

Pikat 1 dhe 31 ka një kohë të gjatë që gjenden jashtë kontrollit të autoriteteve kosovare. Këto dy pika janë vlerësuar si vendkalim kryesor i kontrabandës dhe krimit të organizuar. Kjo ka qenë brenga kryesore e autoriteteve kosovare, por edhe e gjithë spektrit politik në vend. Me ardhjen e EULEX-it në Kosovë qenë shtuar shpresat se këto dy pika do të futen nën kontrollin e autoriteteve kosovare.  Sipas gazetës Express, është realizuar 70 për qind e planit të Policisë, ndërkaq ishte parashikuar që të martën në mëngjes, ai të realizohet në tërësi.

Ivanoviç: Situata mund të përshkallëzohet

Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Oliver Ivanoviç, ka tërhequr vërejtjen se situata në veri mund të përshkallëzohet.  “Situata është mjaft e tensionuar, ky është një veprim i pamenduar, për të cilin nuk ka asnjë shpjegim“, citon B92 Ivanoviçin.  Ai ka thënë se ka biseduar me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare dhe pret reagimin e EULEX-it dhe KFOR-it. Sipas Ivanoviçit, tensionet më të mëdha priten mëngjesin e të martës.  “Kur ky veprim ndërlidhet me vendimin për ndalimin e mallrave, shihet se kemi të bëjmë me një plan mjaft koherent“, ka thënë ai.

Bogdanoviç: Dyshime se EULEX ka bashkëpunuar në aksion

Ndërsa, ministri serb Goran Bogdanoviç ka thënë se aksioni i Qeverisë së Kosovës “është një akt i pakuptimtë, për të cilin dyshoj se ndoshta është i sinkronizuar me EULEX-in”.  Ai bëri të ditur se kreu shtetëror i Serbisë menjëherë ka alarmuar bashkësinë ndërkombëtare për eskalim të situatës.  Sipas tij, presidenti Boris Tadiç dhe kryeministri Mirko Cvetkoviç kanë kontaktuar me Komisionin Europian, OKB-në, Krahun Jugor të NATO-s dhe struktura të tjera ndërkombëtare. Sipas RTK-së, pas mesnatës në Leposaviq është dhënë “alarmi për rrezik luftarak dhe qytetarët kanë dalë në rrugë”.