Kosova sfidon Shqipërinë për talentin, Milot Rashica
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kosova sfidon shqipërinë për një tjetër futbollist. Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Albert Bunjaki vazhdon të mbajë qëndrime jo fort të mira karshi Përfaqësueses kuqezi.
Ai ka deklaruar gjatë një interviste për 'Klan Kosova" se pas pranimit në UEFA e FIFA do ta ftojë në ekip talentin e Viteses Milot Rashicën. Sipas tij, Rashica është një lojtar që është zhvilluar në Kosovë dhe ky vend ka investuar shumë për të.
Do të ishte jo e drejtë dhe jo profesionale po të mos mendonim për Milotin. Shteti i Kosovës ka investuar te ai lojtar dhe natyrisht që pas pranimit në FIFA unë do ta ftoj atë në Përfaqësuese", ka deklaruar Bunjaki.
Milot Rashica është pjesë e ekipit shqiptar U-21 dhe në ndeshjen me Luksemburgun ka qenë edhe pjesë e Kombëtares shqiptare ku ka luajtur për 20 minuta duke bërë një paraqitje mjaft të mirë.
Rashica është gjithashtu një kandidat mjaft i fortë për të qenë pjesë e listës së De Biazit në Europianin e Francës. Megjithatë duket se Kosova nuk do të heqë dorë prej tij, duke mos dashur që ta humbë një talent si Milot Rashica. Mbetet për t'u parë cila do jetë zgjedhja e 20 vjeçarit nga Vushtria.