e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Kontroll INSTAT-it mbi performancen e Census 2011

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Kontroll INSTAT-it mbi performancen e Census 2011

Pas një viti bashkëpunimi dhe konsulence me institucionet e huaja, ekspertë ndërkombëtarë të fushës, tashmë Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), është gati të publikojë anën tjetër të auditimit. Sikurse jemi mësuar me kontrollet mbi abuzimet e administratës sa i takon buxhetit, KLSH-ja ka futur një risi në aspektin e auditimeve, duke mos u fokusuar te shkeljet, por te performanca. E thënë ndryshe, është parë nga afër sesa eficiente janë projektet, si punohet në shoqëri të caktuara publike, çfarë duhet bërë më shumë, duke dhënë rekomandimet përkatëse.

Në këtë kuadër, KLSH-ja ka tashmë gati auditin e performancës së projektit Census 2011, realizuar nga INSTAT-i, i shumëdiskutueshëm, jo vetëm nga politika, por edhe nga ekspertët e fushës. Gjetjet e këtij auditi do të prezantohen sot nga specialistët e KLSH-së, që janë marrë me këtë “lloj” kontrolli të “ri”.

Ekspertët e huaj ngrenë shqetësimin se kontrolli nuk duhet bazuar vetëm në aspektin e shpenzimeve, por çfarë sjellin në të vërtetë, pra çfarë rezultati apo efekti kanë dhënë në sektor, ose në ekonomi. Duke marrë si shembull raportin e BB-së mbi arsimin, ku sipas anketës, rreth 57 për qind e 15-vjeçarëve janë analfabetë aktivë, KLSH-ja do t’i kushtojë rëndësi edhe këtij sektori, se ku shkuan rreth 2 miliardë euro në vitet e fundit.

Bashkë me Censusin 2011, do të prezantohen kontrollet e performancës së Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave, Drejtorinë e Ujësjellës-Kanalizime të Pogradecit, projektin e “trajtimit të mbetjeve të ngurta” nga Bashkia Fier, si dhe “ndarja administrative”. Kontrollit të performancës nuk i ka shpëtuar as “shërbimi i ushqimit në spitale”, nga ku do të mësohet, ndoshta për herë të parë, renditja e spitaleve në rang vendi me kushtet më të mira.