Brace: Berisha po than liqenet, ne shtator nuk do te kete energji
Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Deputeti i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Erion Braçe, ka kërkuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, që të bëjnë menjëherë transparencën e gjendjes, duke akuzuar se drejtuesit aktualë po lënë “tokën e djegur”. Në statusin e tij në rrjetet sociale, Braçe thekson se “Shumë njerëz më shkruajnë se nuk kemi drita!!!
Shikoni, e kam të vështirë ta verifikoj se ku ka dhe ku nuk ka
por, Ministria e Ekonomisë, Korporata Elektroenergjitë Shqiptare, Kompania e Shpërndarjes CEZ, Operatori i Sistemit të Transmetimit, duhet të bëjnë publik menjëherë bilancin energjetik të sistemit deri në fund të qershorit. Unë dyshoj se po bëhet një krim i qëllimshëm!!! Burime të mia brenda CEZ me thonë se: CEZ nuk po përmbush kontratën, pra nuk po importon energji për të mbuluar humbjet në rrjet. Kjo po bën që KESH të shfrytëzojë në maksimum liqenet e kaskadës së Drinit, për më tepër në kushtet kur kaluam muajin e parë të thatë dhe janë edhe tre të tjerë që na presin. Në të tilla kushte: Liqenet po zbrazen dhe shtatori do të jetë i vështirë!! I kërkoj Berishës të mos e bëjë këtë krim! Gjithkush që po e ndjek pas në sistem, nëse kjo verifikohet do të ndiqet penalisht!! Dy ditë më parë dy eksponentë kryesorë të mazhorancës së re, bënë thirrje për një transparencë të plotë të gjendjes ekonomike. Dy deputetët e rinj,
Anastas Angjeli dhe Ilir Beqja deklaruan se hapi i parë është futja në skaner e ekonomisë, për të evidentuar gjendjen reale të saj. “Duhet filluar padyshim me një kuptim, apo lexim të plotë të realitetit. Ne jemi të vetëdijshëm se nuk e dimë se sa keq është Shqipëria në detaje, në thellësi. Besoj se është e domosdoshme që ta zbardhim këtë të vërtetë, ta ndajmë në mënyrë të përgjegjshme dhe transparente me shqiptarët”, deklaroi Ilir Beqja. “Do t’i takojë qeverisë shqiptare që të bëjë një transparencë të plotë mbi gjendjen reale ekonomiko-financiare dhe sociale bazuar në shifrat reale të saj, me një transparencë të plotë përpara opinionit publik, me qëllim që të tregojmë se çfarë magazine ekonomiko-financiare dhe sociale PS dhe koalicioni merr në dorëzim”, u shpreh Anastas Angjeli.