e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Klubi i futbollit: sport apo biznes?

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Klubi i futbollit: sport apo biznes?
Vështirë se ka njeri të mos ketë pyetur veten ose të mos ketë dëgjuar pyetjen nëse një klub futbolli sot apo futbolli ose më mirë sporti në tërësi, ka në qendër të tij anën sportive apo anën ekonomike. Është sporti mbi biznesin apo biznesi mbi sportin?

Futbolli, në fakt, lind si lojë, zhvillohet e struktrurohet si sport e më tej kapërcen kufijtë, duke u zgjeruar në biznes. Ky realitet është tashmë një fenomen social e kulturor masiv, që përfshin komunitete gjithmonë e më të gjera dhe mbetet një faktor ekonomik gjithmonë në rritje.

Në fakt, sot të dyja aspektet e këtij fenomeni, sporti dhe biznesi, janë të lidhura në mënyrë të pandashme me njëri-tjetrin. Në futboll, por nëse shohim edhe më gjerë, mund të themi se nuk ka asnjë aktivitet sportiv sot në botë që të mos jetë i shoqëruar me sponsorizime, reklama, produkt placement, etj., shitblerje lojtarësh, investime në kultivimin e talenteve, merchandising zyrtar, të drejta televizive, etj. Për të marrë Cristiano Ronaldon nga Machester United, Real Madrid shpenzoi 94 milionë euro, përfitimet e merchandising nga skuadrat e Premier League tejkalojnë 170 milionë euro në vit, vlera e paketës televizive të Premier League shkon rreth 1.4 miliardë euro në vit, e kështu me radhë.

Nga Europiani i fundit, Poloni-Ukrainë, të gjithë mbajmë mend madhështinë e këtij eventi mbareuropian me jehonë edhe më të gjerë, stadiumet ose tempujt e këtij evenimenti, shifrat marramendëse të biletave të shitura, të shikueshmërisë televizive, si dhe lajme nga më të ndryshmet. Të gjithë ama i kemi ende të freskët në mendje edhe sponsorët e shumtë të këtij kampionati, i cili për më tepër u cilësua si më i suksesshmi nga ana e fitimeve në bazë të formulës multisponsor që u aplikua. Kompanitë gjithmonë e më shumë i afrohen botës së sportit, në mënyrë që të zënë një vend sa më të privilegjuar në sytë dhe mendjet e audiencave sportive, gjithmonë e më të gjera.

Si në një kalim nga një pamje me ngjyra në bardhezi, ky festival masiv, shumëngjyrësh për nga numri dhe llojet e kompanive sponsorizuese, gjen një korrespondencë mjaft të varfër nëse i hedhim një sy panoramës futbollistike në vend. Kampionati shqiptar i futbollit, i cili është duke u zhvilluar prej më shumë se 80 vjetësh radhazi në Shqipëri, ofron stadiume me pak reklama, me kompani sponsorizuese që ikin e vijnë, me menaxhim kalimtar e me objektiva afatshkurtër. Nga e drejta televizive dhe reklamat në stadium, një klub i kategorisë superiore në Shqipëri nuk mund të nxjerrë më shumë se 60–70.000 euro në vit. Nga reklamat në stadiume mund të dalin edhe 10–15.000 euro të tjera. Sponsorizimet, shumë të pakta edhe këto, mund të japin 15–60.000 euro në vit në varësi të klubit. Me shumë vështirësi dhe optimizëm mund të shtojmë 5–10.000 euro nga shitjet e biletave. Këtu jemi në nivelin 150.000 euro në vit në shifrën maksimale, e cila mund të arrihet nga një ose dy klube, me disa të tjera në nivele të përafërta dhe pjesa më e madhe e klubeve dergjet diku poshtë, shumë larg këtyre shifrave. Natyrisht nuk kemi harruar këtu edhe kontributet e vlefshme nga UEFA për pjesëmarrjet në kompeticionet Champions League (340.000 euro) dhe Europa League (140.000 euro), si dhe çmimin e dhënë nga FSHF për fituesin e Kampionatit Shqiptar, por nëse do të fillonim të llogarisnim shpenzimet, këtu do të fillonte dhembja e kokës. Duhen rreth 25-30.000 euro në vit, si shpenzime administrative për stafin, të paktën 50.000 euro në vit në bazë materiale, rreth 25.000 euro në vit transferta për ndeshjet jashtë qytetit (pa llogaritur këtu ndeshjet jashtë shtetit) dhe të paktën 150.000 euro të tjera në vit për pagat e lojtarëve. Jemi që tani në kuotën 250.000 euro në vit, pa llogaritur këtu kontrata të majme për trajnerët cilësorë apo “blerje” ambicioze të lojtareve të mirë në rajon, Europë a gjetiu, pa të cilat nuk mund të pretendosh të arrish rezultate të larta e të kualifikohesh në kompeticionet europiane.

Po cilat janë shkaqet e një ndryshimi kaq të madh midis dy realiteteve?

Për të kuptuar më shumë në këtë çështje do të na duhet të shqyrtonim fillimet e futbollit dhe marrëdhëniet e tij me biznesin, duke filluar me një pyetje të thjeshtë: cila ose cilat janë arsyet që e bëjnë futbollin një biznes tërheqës? Çfarë e shtyn një biznesmen të investojë në një klub futbolli?

Në fillimet e tyre, klubet e futbollit ishin shumë larg natyrës juridike e sidomos financiare të klubeve të sotme. Gianni Agnelli i është afruar Juventusit në fillimet e viteve ‘20. E pamundur të mendoje të nxirrje fitime në ato vite nga futbolli. Nuk kishte ende televizion.

Edhe konteksti sportiv dhe social ishte rrënjësisht i ndryshëm. Biznesmenët e parë që i afroheshin futbollit ishin njerëz të suksesshëm që i afroheshin sportit për të dhënë kontributin e tyre ekonomik, si shenjë mbështetjeje për hir të një pasioni që kishin pasur në rini, për konsensus popullor apo ndonjë lidhje familjare në njerëz të përfshirë në vetën e parë në futboll. Normalisht kjo bëhej nën gjurmët e një mecenatizmi ose filantropie dhe si këmbim për këtë “vepër të mirë”, skuadra mbante emrin e kompanisë në bluzat e lojës. Në këtë mënyrë, të gjithë do të merrnin vesh për këtë lidhje midis skuadrës dhe biznesit dhe natyrisht ky akt ishte në vetvete një formë respekti dhe falënderimi.

Më tej, me fillimet e një ekonomie kapitaliste në botë, kur trekëndëshi futboll – media – biznes nisi të formohej, ana mediatike e çdo eventi filloi të ishte një element me rëndësi në rritje të vazhdueshme. Me zhvillimin e masmediave, TV në veçanti, vlera e një logoje në bluzat e lojtarëve filloi të rritej deri në pikën që të tërhiqte vëmendjen e një numri të madh kompanish, të cilat do të fitonin tashmë në “ankand”, se cila do ta gëzonte këtë të drejtë. Asistojmë në këtë pikë në një përmbysje të situatës fillestare: cilado kompani që donte të vendoste logon e saj në bluzat e lojtarëve, duhet tashmë të paguajë më shumë se të gjitha të tjerat për këtë të drejtë. Transaksioni financiar zë vendin e mecenatizmit dhe klubet sportive, tashmë të ndërgjegjësuara për peshën e tyre financiare dhe potencialin e madh tregtar, menaxhohen, përveç figurave historike të trajnerit dhe stafit teknik, nga ekspertë të shkolluar, të cilët janë të aftë në negociata, në të drejta televizive, në çështje marketingu, imazhi dhe marrëdhëniesh publike.

Edhe marrëdhëniet midis drejtimit ekonomik dhe sportiv të kompanisë janë në simbiozë të përhershme: stafi i ekspertëve ka për detyrë të grumbullojë sa më shumë burime financiare për Klubin në forma nga më të ndryshmet. Këto burime do të përdoren nga stafi teknik për të marrë në radhët e skuadrës lojtarë gjithmonë e më të mirë, për të fituar sa më shumë tituj, dukë bërë kështu që vlera e tregut të skuadrës të rritet. Më tej, sërish grupi i menaxhimit financiar të skuadrës duhet të rinovojë strategjitë ekonomike, të rrisë të ardhurat për klubin e kështu me radhë. Por cili është prioriteti? Sërish nuk i largohemi dot pyetjes: në qendër të vëmendjes së kompanisë, qëndron biznesi apo futbolli? Me dyshimin se përgjigjja e pyetjes sonë mund të ketë ndonjë dobi, duket qartë tashmë se sa më shumë përpiqemi të gjejmë një përgjigje, aq më e vështirë duket ajo.

Agim Zeqo, biznesmeni shqiptar (për të qëndruar në kontekstin shqiptar), kur mori drejtimin e Klubit të Futbollit Skënderbeu, me siguri nuk u tërhoq nga mundësitë e mëdha që kishte për të bërë pasuri nga një klub në një gjendje që linte për të dëshiruar. Me siguri ishte një veprim filantropik dhe që duhet të themi me rezultate të shkëlqyera. Por të gjithë e dimë se me një lule s’vjen pranvera. Që futbolli në Shqipëri të përmirësohet, ka nevojë për më shumë filantropi, për më shumë njerëz që i afrohen atij me dëshirën e mirë për të investuar, por edhe me aftësi të mira menaxhimi dhe vizion për të ardhmen. Vetëm kështu do të kishim përmirësim të futbollit, ndeshje gjithmonë e më cilësore dhe emocionuese, tifozë gjithmonë e më të shumtë në stadiume e në ekrane dhe mekanizma ekonomike të gjallëruar e bashkëkohorë.

E vërteta është (dhe këtë e dëshmon mjaft mirë edhe futbolli shqiptar) se futbolli sot është një sport i cili nuk mund të ekzistojë më pa komponentin e tij ekonomik. Ekuilibri midis këtyre dy elementëve është çështje përvoje, tradite, kulturë, etike, morale dhe ligjore në të njëjtën kohë. Ky ekuilibër do kohë që të arrihet. Njerëzit e futbollit sot duhet të ecin patjetër në gjurmët e futbollit bashkëkohor europian, duhet të kërkojnë përmirësimin vazhdimisht, të paguajnë kostot e larta që nevojiten për një menaxhim cilësor e mbi të gjitha, të paktën në fillim, të kënaqen me rezultatet sportive; ato ekonomike do të vijnë herët a vonë, nëse bëhen në mënyrë diligjente “detyrat e shtëpisë”.