e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Kisha e Permetit, puci i Berishes per qeverine e re

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Kisha e Permetit, puci i Berishes per qeverine e re

Në hapësirën kohore midis qeverisë në ikje dhe asaj në pritje, ndjesia e hapësirës bosh po zëvendësohet nga përpjekja për zgjerim e thellim të boshllëkut ekzistues, që, sido që të jetë, është i madh e shumëdimesional. Mund të dallohen dy kategori problemesh: së pari vihet re përpjekja e opozitës për të maksimalizuar opozicionin me qëllimin e vetëm për të fituar statusin e paprekshmërisë, përballë këmbënguljes së qeverisë në pritje për reforma të thella. Kategoria e dytë ka të bëjë me nxitjen dhe agravimin e problematikave qeverisëse, nëpërmjet abuzimit me statusin kalimtar qeverisës. Kemi parasysh rendin (ka nxitje të përplasjes se strukturave të rendit me vatra të tensionuara, të njohura shumë mirë deri dje, por të lëna në heshtje, siç është rasti i Lazaratit), prishjen e ekuilibrave ekonomikë, sidomos të atyre që lidhen me arkën e shtetit, riciklimin e problematikës që ngërthen kohezionin shoqëror, religjoz etj. Kreun e këtyre përpjekjeve e zuri së fundmi ngjarja e Përmetit e datës 16 gusht 2013.

Struktura zyrtare Perëndimore, të informuara rishtazi, e konsiderojnë ngjarjen shumë të rendë dhe me ndikim shumë negativ e të drejtpërdrejtë mbi rrethin e aspiratave për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Dëmi iu bë Shqipërisë, por me synimin e mbrapshtë që t’i faturohet qeverisë në mbërritje...Ngjarja në Përmet, ku një “përmbarim” privat me ndihmën e një policie private (dhe jo të shtetit) “zbatoi një vendim gjyqësor” për të zhbërë një kishë në emër të bërjes së një “shtëpie kulture” (në paralelen e kundërt të Tiranës ku kemi zhbërjen e një shtëpie kulture për të bërë një zyrë partie), risolli në vëmendje një problematikë marrëdhëniesh të ndërlikuara, mprehtësia e të cilave është vërtet shqetësuese. Pretendimi për “zbatimin e ligjit” në antinominë e një padrejtësie totale në vend, nuk mund të justifikojë cenimin e asaj simbolike, që konsiston në të drejtat fondamentale të një shoqërie civile, siç është respektimi i institucioneve të besimit fetar, aq më tepër, që për vendin tonë lidhet me cenimin e bashkëjetesës fetare, vlerë për të cilën krenohemi se përbëjmë shembull botëror. Incidenti në dëm të komunitetit ortodoks në Përmet tregoi se fondamenti komunist (ateizmi shtetëror 40-vjeçar), mund të përdoret si instrument për cenimin e fondamentit bazal shoqëror, e një besimi të caktuar, atij ortodoks. Në historinë e “konfliktit”, vihet re se sistemi komunist prishi më 1962 kishën e vjetër të Shën Mërisë së Përmetit dhe mbi të, si dhe në një pjesë të truallit të kishës, ndërtoi një shtëpi kulture që i dha emrin e poetit rilindës Naim Frashëri.

Kisha ortodokse, sipas konceptit komunist, i bënte karshillëk mjedisit të kongresit të parë politik me vlerë shtetformuese të komunistëve shqiptarë, atij të 24 majit 1944. Që do të thotë se “simboli” politik komunist duhet të bëhej absolut dhe i pakonkurrueshëm nga një objekt kulti, pavarësisht se ai përfaqëson një fondament shekullor identitar shoqëror. Më 1996-97, Kisha Ortodokse, në emër të së drejtës së këtij fondamenti dhe duke patur përkrahje herë legale e herë jo të politikës, e shndërroi shtëpinë e kulturës komuniste në tempull të besimit fetar. Fatkeqësisht, struktura shtetërore dhe civile jashtë komunitetit ortodoks, u kapën pas konvencionit të ”ligjit” për të mbajtur në këmbë “fondamentin” komunist, (shtëpinë e kulturës) kësaj here në emër të mbrojtjes së identitetit kombëtar. (Trajtim që përjashton de fakto edhe një herë Kishën Ortodokse nga të qenit pjesë e konstitucionit shqiptar) Pra, u vu ballë për ballë e drejta universale e besimit fetar, me të drejtën juridike të nëpërkëmbur dhe të anatemuar si hallka më e korruptuar e shtetit. Dhe “fitoi” e dyta...Veprimet që e bëjnë këtë ngjarje tepër të rendë, nuk janë aq skenat e nëpërkëmbjes së priftërinjve ortodoksë dhe besimtarëve të tjerë, që bënë xhiron e botës. As ngarkimi i sendeve të kishës në një mjet ngarkese të rëndomtë që të kujtojnë shekuj të kaluar. Në simbolikën e veprimeve që e bëjnë këtë ngjarje tepër të rëndë tërheq vëmendjen fakti që u hoq kryqi dhe u vendos flamuri kombëtar. U hoq emri i Shën Mërisë dhe u vendos emri i poetit të Rilindjes...(!!!)

Pra, janë këto veprime (të trajtuara si triumfale) që rrëzojnë me potere inflacionin e deklaratave për respektimin e të drejtave dhe tolerancës fetare nga strukturat e shtetit e të komunitetit... për të provuar se kjo tolerancë duhet kuptuar sipas raporteve të imponuara marrëdhëniesh mbi komunitetet fetare, (në rastin konkret atij ortodoks) nga “relatorë”, të cilët pretendojnë monopolin e përfaqësimit të identitetit kombëtar shqiptar. Këto lloj marrëdhëniesh bëhen më evidente po të kemi parasysh se ortodoksia në Shqipëri është venë në pozita inferiore. Inferioriteti buron prej pretendimit absurd të identifikimit të kësaj kishe me helenizmin. (E kundërta e të cilit, antihelenizmi, është rikthyer së fundmi në skenë si një dogmë efektive e vetë-përcaktimit etnik shqiptar). Flet për këtë fakti që autoritetet e larta të Kishës Or- todokse nuk guxojnë të denoncojnë në emër të autoritetit që përfaqësojnë ngjarjet të shumta denigruese të ortodoksisë, por, ashtu si në rastin e Përmetit, përdorin mënyra masovike të denoncimit anonim të tipit “klerikët e Mitropolisë”, ose komuniteti i besimtarëve. Këtë pozitë inferiore e ka diktuar origjina e tyre”, të qenit grekë... (ndodh sikundër në komunitete të tjera fetare në Shqipëri ku veprojnë klerikë nga vende të tjera të huaja, bile në ndonjë rast me precedent të rrezikshëm).

Për këto autoritete, shfaqja denoncuese publike, është e barasvlefshme me ndërsimin e mësymjeve të paskrupullta në emër të antihelenizmit. (Madje, midis të tjerash, mbi këtë bazë është arritur pakti i heshtjes zyrtare të autoriteteve të Kishës Ortodokse, të etiketuar si “shërbyese të Helenizmit”, edhe për rastin e shkatërrimit të monumenteve të kulturës së traditës së lashtë ortodokse në vend, edhe pse ato mbartin kulturën greke). Nga ana tjetër, një ushtri e tërë, deputetesh, ministrash, intelektualësh dhe kuadrosh të përkatësisë fetare ortodokse, të rangjeve dhe niveleve nga me të ndryshme, nuk kanë marrë guximin për të mbrojtur asnjëherë besimin e tyre fetar. E konsiderojnë atë problem jashtë vetes së tyre. (Përjashtim të rrallë bën qëndrimi i intelektualëve korçarë në rastin e një drame, apo edhe i para dy ditëve për Përmetin). Në të njëjtën kohë, Kishën Ortodokse e marrin “nën mbrojtje” individë të përkatësive të tjera fetare, “partenalizëm” që në fakt “e fitojnë” me deklarimin e nacionalizmit me dimension të vetëm, antihelenizmin. Theksuam se pas incidentit të Përmetit janë strukturat e shtetit, të fshehura pas veprimit të faktorit të privatësisë në zbatim të ligjit. Të njëjtin qëndrim tregoi shteti edhe kur në censusin e 2011, ortodoksët në Shqipëri u rrudhën si asnjëherë në histori, në masën rreth 6% të popullsisë, kur në konceptimin publik ortodoksët shqiptarë e kalojnë masën 20-25 %, dhe prapë askush nuk u ndie. Por rasti i kishës së Përmetit duhet parë si një tregues inskenimesh që mund të provokojnë dhe ndërveprime zinxhir.

(Deklarata e Mitropolisë së Korçës dy ditë pas incidentit, flet hapur për këtë). Synimi është që duke dëmtuar imazhin e Shqipërisë në mjedisin ndërkombëtar, në fushën e ndjeshme të respektimit të të drejtave religjioze, kërkohet t’i lihet një faturë e rendë qeverisë në ardhje, nga e cila të përfitojë në luftën e brendshme politike opozita e re. Nga ana tjetër, loja për deheroizmin e eshtrave të ushtarëve grekë të luftës italo-greke, gjatë zhvarrimeve më 2006-ën, po në Përmet, Kosinë, futi në qerthull marrëdhëniet Shqipëri Greqi për një kohë të gjatë. Kësaj here problemi është më i gjerë. Ka të bëjë me marrëdhëniet e Shqipërisë me Komunitetin Evropian në lidhje me aspiratën për të fituar statusin e vendit kandidat për në BE, por që në muajt e ardhshëm do të kalojë nëpërmjet Greqisë, pasi ajo merr drejtimin e radhës së BEsë. Dhe struktura të caktuara që fshihen pas ngjarjes së kishës së Përmetit, të cilat e njohin mirë peshën e Greqisë në BE, kërkojnë t’i rëndojnë këto marrëdhënie me probleme të reja dhe me delikate, që do t’i vuajë qeveria e re.

Historiani

Xhufi: Qeveria shqiptare të reagojë ndaj ndërhyrjeve të Greqisë

Reagimi i Ministrisë se Jashtme greke për çështjen e Kishës së Përmetit, në analizën e historianit Pëllumb Xhufi është një veprim i përsëritur dhe pjesë e një strategjie për të krijuar incidente mes dy shteteve tona. Duke mbështetur veprimin e përmbarimit për t’i rikthyer qytetit Pallatin e Kulturës, Xhufi deklaroi dje për “Vizion Plus” se qëndrimi i shtetit fqinj ngjan me politikat e ndjekura nga grekët në fund të shekullit të 19, ndërkohë që sot është një realitet tjetër dhe Shqipëria ka kishën e saj autoqefale, e cila nuk pranon ndërhyrje nga asnjë vend apo asnjë shtet. Sipas Xhufit, ndërhyrjet e Greqisë në çështje si Kisha e Përmetit, inkurajohen nga mungesa e reagimit të shtetit shqiptar. Dy ditë më parë, Ministria e Jashtme e Greqisë e cilësoi të papranueshme nxjerrjen jashtë të Kishës në Përmet, pavarësisht vendimeve gjyqësore.

Përmet, meshë në rrugë, reagojnë klerikët në Korçë dhe Berat

Dje rreth orës 8:00 ka filluar mbajtja e Liturgjisë së Shenjtë, si çdo të dielë, në kishën e Shën Marisë së Pazarit, në qytetin e Përmetit, nën drejtimin e ikonomëve Athanas Qerimi e Vasil Thomollari. Mesha, këtë radhë u mbajt në shëtitoren përballë Shtëpisë së Kulturës, e cila sot ishte rrethuar me forca të shumta policie, private dhe nga komisariatet Përmet e Gjirokastër. Në meshë merrnin pjesë pak besimtarë, jo si të dielat e zakonshme, kur pjesëmarrja ka qenë më e lartë dhe mesha zhvillohej në ambientet e brendshme të ndërtesës. Pas riteve fetare dhe ndarjes se bukës së bekuar, ikonom Athanas Qerimi mbajti një deklaratë në fund të meshës, ku bëri me dije se kisha s’do heqë dorë nga prona e saj në asnjë mënyrë. Ai iu drejtua, në emër të kishës, të gjithë atyre që vunë dorë mbi kishën, duke thënë se kanë fëmijë për të rritur dhe të shikojnë familjet e tyre, ndërsa u kërkoi besimtarëve të mblidhen çdo ditë në shëtitore, për të kryer ritet fetare, duke filluar nga dita e nesërme.

Prishja e Kishës së Shën Marisë, në qytetin e Përmetit, ka sjellë edhe reagimin e Mitropolisë së Korçës dhe komunitetit ortodoks të këtij qyteti. Përmes një deklarate, Mitropolia ka shprehur indinjatën, për atë që e ka cilësuar si të barabartë me sulmet e qeverisë komuniste mbi besimet fetare dhe vendet e shenjta, dhe apeloi që organet shtetërore të jenë të ndjeshme dhe të drejta ndaj komunitetit ortodoks. “Në emër të të gjithë komunitetit ortodoks të dioqezës sonë, shprehim indinjatën tonë të thellë ndaj këtij agresioni kundër kishës ortodokse, që në ngjarjen e kishës në Përmet mori një përshkallëzim të rrezikshëm, duke lënduar ortodoksët e Shqipërisë dhe duke dëmtuar imazhin e vendit tonë”, tha Ksenofon Ilia Kotnani. Mitropolia i është drejtuar me disa kërkesa autoriteteve shtetërore, duke thënë se do të vazhdojë të kërkojë të mbështesë kishën e Shën Mërisë në Përmet. “Këto veprime, nëse nuk ndalen, mund të kenë pasoja të rënda për harmoninë dhe kohezionin e shoqërisë sonë. Kërkojmë që ngjarja të pasqyrohet me drejtësi dhe vërtetësi. Nuk është kisha, ajo që ka zaptuar Pallatin e Kulturës, por e kundërta, sepse ai pallat u ndërtua mbi kishën dhe pronën e saj. Kërkojmë që organet shtetërore të jenë të ndjeshme dhe të drejtë ndaj komunitetit ortodoks. Nuk mund të tjetërsohen vendet e shenjta, me makinacione ligjore, duke krijuar ligje që janë në kundërshtim me të drejtat ndërkombëtare”, shtoi Ksenofon Ilia Kotnani.

Pak ditë më parë, ekzekutimi i vendimit të gjykatës, për rikthimin ndaj Bashkisë të ndërtesës së Pallatit të Kulturës, brenda së cilës ishte ndërtuar kisha, shkaktoi një përplasje mes priftërinjve dhe policisë, që mbështeti zyrën e Përmbarimit në ekzekutimin e vendimit. Një deklaratë për çështjen e kishës së Shën Mërisë në Përmet është bërë edhe nga klerikët dhe një grup besimtarësh ortodoksë në qytetin e Beratit. “Na bën përshtypje të pakëndshme fakti se, prej më shumë se 16 viteve, është bërë një ballafaqim serioz midis besimtarëve përmetarë dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor, që kjo godinë t’i kthehet kishës së ngritur prej shekujsh, me emrin “Shën Maria e Pazarit”. Deri më sot, nuk është zgjidhur plotësisht kjo kërkesë e klerikëve dhe të krishterëve përmetarë. Për më tepër, tani veprohet me dhunë për ta marrë këtë tempull të shenjtë, ku njerëzit gjejnë paqe shpirtërore. Nuk pajtohemi kategorikisht me këto veprime anti-fetare dhe kërkojmë me të drejtë, që qeveria të ndërhyjë fuqimisht për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare këtij problemi kaq delikat, duke plotësuar këtë kërkesë të ligjshme”.