e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Kater here radhazi 'Topi i Arte', eshte me i miri ne histori

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kater here radhazi 'Topi i Arte', eshte me i miri ne histori
Superheroi Kristiano Ronaldo, gjahtari i golave Lionel Mesi, apo arkitekti Andres Iniesta? Kush mund ta fitonte “Topin e Artë” për këtë vit, përvecse Lionel Mesit, njeriut që ka thyer cdolloj rekordi në botën e futbollit.  Sikurse pritej, argjentinasi i Barcelonës e fiton për herë të katërt radhazi çmimin e lojtarit më të mirë të planetit. Askush si ai nuk kishte dominuar kaq gjatë në të kaluarën. “Pleshti” ka thyer një tjetër rekord, i përzgjidhur si lojtari më i mirë në botë për të katërtën herë radhazi. Sulmuesi i Barcelonës dhe Argjentinës, që regjistroi plot 91 gola në vitin kalendarik 2012, ishte dukshëm favorit për ta fituar “Topin e Artë” të FIFA-s, teksa ka lënë pas shokun e skuadrës, Andres Iniesta, dhe rivalin e madh në La Liga, Kristiano Ronaldon e Realit të Madridit.

Trofeu i katërt prestigjioz individual e vendos Mesin mbi fituesit e trefishtë: Zidane dhe Ronaldo i Brazilit. Argjentinasi kishte marrë 41,60 % të të gjitha votave, përkundrejt portugezit Kristiano Ronaldo, me 23,68 % të votive dhe Andres Iniestës, me 10,91 % të votave. “Eshtë e pabesueshme, tepër impresionante”, – ka pohuar argjentinasi pas marrjes së cmimit, duke e ndarë atë me shokët e skuadrës së Barcelonës. – Ia dedikoj cmimin edhe mikut tim, Iniesta, familjes dhe miqve. Falenderoj Zotin për gjithcka.”

“Topi i Artë” u krijua si çmim (trofe) në vitin 1956 dhe fillimisht u jepej vetëm lojtarëve europianë. Mishel Platini, Johan Krujf dhe Marko van Basten e kanë fituar nga tri herë atë. Leo Mesi bëhet i pari i të gjithëve edhe në këtë drejtim, duke rihapur debatin nëse talenti i tij krahasohet me atë të legjendave Pele dhe Maradona, karrierat e të cilëve ishte në zenitin e tyre para se FIFA ta jepte këtë trofe në vitin 1991. Legjendat e futbollit të Amerikës së Jugut nuk mund të konkurronin për “Topin e Artë”, sepse ai jepej nga revista franceze “France Football”. Këto trofe u shkrinë në një në vitin 2010.

Për katër trofetë kryesorë kanë votuar trajnerët dhe kapitenët e të gjitha skuadrave përfaqësuese, si dhe gazetarë të ftuar. Votat janë hedhur në nëntor, para se Mesi të fitonte edhe më tepër famë për shkak të thyerjes së rekordit të madh të Gerd Mylerit, i cili kishte shënuar 85 gola në një vit kalendarik. Numri total i golave të Mesit përfshin 79 gola për Barcelonën dhe 12 për Argjentinën, duke e lënë pas tashmë rekordin e Mylerit, të arritur kur luante për Bajernin e Mynihut dhe Gjermaninë Perëndimore në vitin 1972.

Trajneri i vitit

Në Zyrih do të vlerësohej edhe trajneri më i mirë për vitin 2012. Kandidaturat kryesore për ta marrë këtë trofe ishin tri dhe direkt apo indirekt kishin lidhje me Spanjën. I pari dhe më favoriti, që ishte edhe fituesi, e ka emrin Vinsente Del Boske, njeriu që e udhëhoqi përfaqësuesen spanjolle drejt fitimit të kampionatit Europian 2012 në Poloni dhe Ukrainë. Ai e drejtoi Spanjën drejt rikonfirmimit si kampione Europe. Veterani iberik kësisoji konkurrencën e Pep Guardiolës, i tërhequr përkohësisht, prej gati një viti, nga trajningu, dhe të Hoze Mourinjos, kampion i La Liga-s në fuqi dhe drejtues aktual në stolin e Realit të Madridit.

Pep krijoi stilin e veçantë të Barcelonës dhe ku fitoi shumë trofe, por që në vitin e kaluar u mjaftua vetëm me Kupën e Mbretit. Portugezi duhet vlerësuar për faktin se me Realin e tij arriti që të shpallej kampioni i Spanjës, duke thyer kështu mbizotërimin e katalanasve në kampionat. Ndërkohë, vetë tekniku Zhoze Murinjo sikurse kishte deklaruar, nuk ishte në dhënien e këtij trofeu.

“Formacioni i Vitit”

Formacionin më të mirë e dominojnë iberikët, me 7 lojtarë të Spanjës, kampione e Europës dhe e Botës në fuqi. Portieri Iker Kasijas ka marrë më shumë vota në rolin e tij, shumë më tepër edhe se Messi. Me 79 përqind të votive mes kandidaturave portierë, kapiteni i Realit ftillon formacionin më të mirë të vitit, për t’u plotësuar pak e nga pak me mbrojtjen para tij, e përbërë nga: Ramos, Pike dhe Xhordi Alba. Të tre këta, pjesë e kombëtares spanjolle.

Edhe mesfusha ka dominim spanjoll, sepse aty nuk mund të mungonte Xabi Alonso, Iniesta dhe Ksavi, përkrah Marselos. Në sulm, zgjedhjet duken të pritshme. Mesi është futbollisti që ka marrë më shumë vota, 30 përqind të këtij reparti, i ndjekur nga Falkao me 25 përqind dhe Ronaldo, në vend të tretë, me 24 përqind. Ndjekësi më i afërt i tyre është Ibrahimovic, me 3.8 përqind të votave për sulmin.

FIFPro World XI (4-3-3): Iker Casillas; Dani Alves, Gerard Pique, Sergio Ramos, Marcelo; Xabi Alonso, Xavi, Andres Iniesta; Lionel Messi, Radamel Falcao, Cristiano Ronaldo.

Çmimet e tjera

Ndërkohë, cmimi “Ferenc Pushkash” shkoi për sllovakun e Fenerbahces, Miroslav Stok, që kishte realizuar një supergol nga goditja në gjysmëkthesë e sipër, nga distanca, në kampionatin turk. Ai u rendit në bazë të votive para Radamel Falkaos dhe Nejmarit.

Trajnerja më e mirë e vitit që shkoi në futbollin e femrave u shpall Pia Sundhage, norvegjezja e kombëtares amerikane. Futbollistja më e mirë për femra në vitin që u mbyll u shpall Abi Uambah, pjesëtare e kombëtares amerikane. Ndërkohë, Federata e Uzbekistanit fitoi cmimin e “fair-play”-it, kurse cmimi i “presidentit” i takoi Kajzerit gjerman, Franc Bekenbauer.

Kanë thënë për tre finalistët e “Topit të Artë”
Për Leo Mesin

BAZILE: “Nuk mund të krahasosh askënd me Mesin. Kristiano Ronaldo është lojtar fantastik, por Mesi është marsian. Ai mund të vrapojë më shpejt me topin sesa pa të. Duket sikur luan një tjetër sport, jo futboll. Është thuajse e pamundur t’i bësh gjërat me atë shpejtësi si ai, tamam sikur po luan “play station”.

L.F.SKOLARI: “Ka njerëz që nuk e duan Ronaldon, sepse është lojtar i madh, është i pashëm dhe shkon me femra të bukura. Njerëzit janë xhelozë për këtë gjë. E vetmja gjë e keqe në jetën e Ronaldos është Mesi. Po të mos ishte argjentinasi, Ronaldo do të kishte qenë lojtari më i mirë në botë për pesë vite radhazi.”

A.SABELA: “Akademia Mbretërore Spanjolle duhet të nxjerrë një fjalë të re për të përkufizuar atë që bën Mesi në fushën e lojës.”

S.ETO: “Mesi është një “zot”, si njeri dhe më shumë si futbollist. Shpresoj të fitojë edhe Kupën e Botës me Argjentinën, sepse kështu do të kompeltohej në çdo drejtim.”

P.GUARDIOLA: “Ashtu si Majkëll Xhordan në basketboll, edhe Mesi po dominon në sportin e tij, futboll. Janë të paktë njerëzit në histori që kanë arritur të dominojnë sportet e tyre ashtu si këta të dy. Më vjen keq për ata që duan të konkurrojnë për fronin e Mesit, sepse është e pamundur. Ky djalë është unik.”

Për Kristiano Ronaldon

K.KEIROZ: “Portugalia ka një përfaqësuese të quajtur Kristiano Ronaldo dhe një grup lojtarësh që vrapojnë pas tij.”

E.BUTRAGENJO: “Kristiano është fenomen. Stili i tij i të luajturit është unik. Ai është një lojtar që synon që çdo ditë të jetë më i mirë sesa një ditë më parë. Eshtë ambicioz, ka aftësi të jashtëzakonshme për të shënuar gola dhe shumë ndikim. Sulmuesi më i madh që ka veshur fanellën e Realit të Madridit.”

A.FERGUSON: “Ronaldo është lojtar i pabesueshëm. Ne kemi një panteon lojtarësh të mëdhenj dhe sigurisht që Ronaldo krahasohet me secilin prej tyre. Edhe pse kishte talent natyral, në shumë aspekte e ka ndërtuar vetë atë që posedon sot. Ai stërvitet dhe vetëm stërvitet. Ka pak nga Erik Kantona, për stilin e lojës, është një blerje fantastike për Realin e Madridit.”

R.GULIT: “E njëjta gjë që i ndodhi Bekhamit, po ndodh edhe me Ronaldon. Njerëzit i kritikojnë sepse janë xhelozë për hijeshinë e tyre. Por për mua, Ronaldo është lojtari ideal. Është i shpejtë, i lartë, i mirë me kokë, është teknikisht i kompletuar, shënon nga penalltitë dhe gjuajtjet e lira. Një lider i vërtetë, një fenomen.”

Për Andres Iniestën

B.BEKER: “Uroj që fitues të jetë Andres Iniesta. S’është e vështirë të luash mirë dhe të fitosh tituj me një skuadër si Barcelona, por në kombëtare mund të shohësh klasin e vërtetë të një lojtari. Kështu ka ndodhur edhe me lojtarë kalibri si Pele, Diego Maradona dhe Zinedin Zidan. Me Spanjën, Iniesta ka treguar se është ndër lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave dhe kjo është arsyeja pse e vlerësoj më shumë se Mesin dhe Ronaldon.”

D.SILVA: “Gazetarët shpesh më pyesin nëse është Mesi apo Ronaldo më i miri, por për mua gjërat janë të qarta: Andres Iniesta është numri një. Ai është i zoti të bëjë gjërat më të vështira në fushën e blertë. Magjik me topin dhe me shumë ndikim te gjithë të tjerët në fushë.”

S.RAMOS: “Iniesta është më i ndriçuari futbollist, ka fuqi magjike. Një lojtar që i bën të tjerët ta respektojnë në fushë. Jam krenar që kam luajtur me të. Bën diferencën në fushë dhe realizon gjëra që askush tjetër nuk mund t’i bëjë.”