Kastrati mbron gjyqtarët: Vrapojnë më shumë se lojtarët
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
"Gjyqtarët vrapojnë më shumë se lojtarët, po i paragjykoni". Kjo ishte deklarata pikante e shefit të gjyqtarëve në FSHF, Tahir Kastrati, i cili në raportin e komitetit të arbitrimit u ndal te problematika që ka shoqëruar "bluzat e zeza" gjatë këtij sezoni.
"Po bëjmë gjithçka për të rritur cilësinë e arbitrimit, e cila gjithmonë është pika më e nxehtë dhe më problematike kudo në botë, e aq më shumë te ne, ku çdo gjë paragjykohet. Unë dhe stafi im jemi munduar të jemi korrektë dhe të barabartë me të gjitha klubet.
Kemi përdorur të gjitha mënyrat e mundshme që nga përgatitja, dizajnimi dhe deri te vlerësimi i punës së arbitrave. E di që ju (u drejtohet klubeve) do të thoni se ka raste gabimesh që kanë penalizuar njërin apo tjetrin ekip, por mua më shqetëson fakti kur ju mendoni se gabimi është i qëllimshëm apo korruptiv. Jetojmë në një shoqëri shumë të përfolur në të gjitha fushat, kështu që edhe arbitrat nuk shpëtojnë nga kjo gangrenë.
Kërkojmë mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj, kur keni raste të dokumentuara ose të faktuara. Pra, t'i denonconi ato dhe të gjithë së bashku të jemi kërkues ndaj tyre", ka thënë fillimisht Kastrati. Pakti - Shefi i gjyqtarëve u bëri thirrje klubeve për një marrëveshje xhentëllmenësh mes tyre.
"Kjo është e domosdoshme, në mënyrë që të gjithë presidentët e klubeve të kenë të njëjtën sjellje me arbitrat. Në rast se një arbitër korruptohet, atëherë kjo ndodh me njërin prej jush, prandaj duhet domosdoshmërisht sjellje xhentëllmenësh.
Një problem tjetër është edhe emërimi i arbitrave. Sa herë që më keni shqetësuar për arbitra të veçantë, porosia jonë ka qenë që ai të jetë korrekt. Ndërsa një problem tjetër është aktivizimi i arbitrave të rinj.
Më ka ndodhur shpesh që kur një arbitër i ri bën gabime, ashtu siç kanë bërë edhe ata që mbajnë stemën e FIFA-s, presioni nga klubet dhe mediat ka qenë shumë i madh.
Prandaj kërkojmë mbështetjen tuaj në perspektivë për të aktivizuar gjyqtar të rinj, sepse kjo ndikon në rritjen e tyre dhe i vendos në pozita më të mira të vjetrit, të cilët duke arbitruar pa pushim imunizohen. Gjithsesi, ne duhet të pranojmë se gjithë ky investim që është bërë me arbitrat, rezultati që presim nuk është në nivelet e kërkuara", përfundoi Tahir Kastrati.