e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Karburantet, per cdo blerje 2000 leke vjedhja 100 leke

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Karburantet, per cdo blerje 2000 leke vjedhja 100 leke

Pikat e karburanteve mashtrojnë qytetarët duke i mbajtur për çdo blerje nga 100 lekë. Ky është një ndër detajet e hetimit të prokurorisë në lidhje me skandalin e vjedhjes dhe abuzimit të metrologjisë. Sipas hetimeve të deritanishme të organit të akuzës rezulton se qytetarëve për çdo 10 litër karburant i vidhej gjysmë litri, që e përkthyer në shifra do të thotë se për çdo blerje prej 2000 lekësh, konsumatorëve i grabitet 100 lekë.

Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se në total janë 14 pika karburantesh në mbarë vendin, të përfshirë në rrjetin e mashtrimit dhe vjedhjes, nga të cilat 4 pika në kryeqytete dhe 10 pika në rrethe. Nga ana e organit të akuzës është marrë në dorëzim gjithë dokumentacioni përkatës i Drejtorisë së Metrologjisë, ndërsa bëhet me dije se në ditët në vijim do të merren në pyetje inspektorët dhe vetë drejtuesja e këtij institucioni. Nga të dhënat e prokurorisë këto pika karburantesh rezultojnë se kanë qenë më parë të gjobitura me rreth 7 mln lekë për abuzime, por mesa duket gjoba nuk i ka penguar për të vijuar grabitjen dhe mashtrimin e qytetarëve.

Qytetet ku janë hasur probleme janë Tirana, Durrësi, Korça dhe Elbasani. Por organi i akuzës nuk bën me dije emrat e firmave të karburantit ku janë hasur shkeljet, për arsye hetimore. Momentalisht procedimi është në fazën e verifikim, ndërsa akuza paraprake është thjesht shkelje administrative. Në përfundim të verifikimit të dosjes me materialet e sekuestruara nga Prokuroria e Tiranës, pritet që javën e ardhshme organi i akuzës të vendosë për nisjen e kallëzimeve penale, pasi, sipas hetuesve, ky abuzim klasifikohet si vjedhje masive.

Hetimet Sipas burimeve nga drejtoria e Metrologjisë mësohet se janë vënë në dispozicion të proku-rorisë gjithë dokumentacioni që disponohej lidhur me pikat e karburanteve që abuzonin me sasinë që u shisnin klientëve. Mësohet se katër pika të evidentuara si të tilla ndodhen në qytetin e Tiranës, ndërsa disa të tjera në Kavajë dhe në rrugën nacionale Durrës-Lushnjë. Lidhur me këto pika prokuroria e Tiranës nuk ka kompetencën të hetojë, por konfirmohet se do të kryhen të gjitha verifikimet e nevojshme. “Nëse gjatë hetimit do të jetë e nevojshme kryerja e verifikimeve në terren, pra në pikat e karburanteve të dyshuara, hetuesit do të ushtrojnë kontrolle në bashkëpunim me inspektorët e Drejtorisë së Metrologjisë”, tha një burim pranë prokurorisë.

Mësohet se procedimi penal për këtë çështje është regjistruar për akuzën e vjedhjes, mashtrimit dhe evazionit fiskal. Gjithashtu në përgjegjësi penale do të merren edhe zyrtarët e Metrologjisë në rast se konstatohen elemente të veprës penale nga hetimi i nisur për mashtrimin me sasinë e karburanteve. Aktualisht kjo çështje duket se ka marrë zgjidhje, pasi të gjithë subjektet e kapur me shkelje janë ndëshkuar me gjobë nga Metrologjia dhe mekanizmi mbushës i pompave të karburanteve është vulosur nga inspektorët.

Megjithatë prokuroria do të kryejë verifikimet e nevojshme, pasi dyshohet se vjedhja e konsumatorëve është bërë për një kohë të gjatë dhe dëmi i shkaktuar mund të jetë shumë i madh. Hetimi fillimisht do të nis nga kryeqyteti aty ku janë evidentuar katër kompani problematike në sasinë e karburantit, ndërsa më pas do të shtrihet në të gjitha pikat dhe subjektet e tjera që dyshohet se kanë vjedhur konsumatorët nëpërmjet sasisë së tregtuar të karburantit. Kjo çështje u kthye në debat publik pasi drejtoria e Metrologjisë nuk publikoi emrat e subjekteve abuzuese me argumentin se një gjë të tillë nuk e lejon ligji për Inspektimet.