Karabeci: Fitojmë, nuk na falen më gabimet
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Erando Karabeci be son se kthesa e madhe do të nisë sot kundër Tërbunit.
Edhe pse e vlerëson kundërshtarin, kapiteni qartëson se kjo fazë nuk lejon më gabime. Gjatë intervistës së dhënë dje për mediat, mesfushori deklaron se me rikuperimet e të dëmtuarve, Tirana do të rikthehet, ndërsa evidenton se mungesa e tifozëve nuk i vjen aspak në ndihmë.
Nis faza e katërt, a është gati Tirana për "sprintin" final?
Shpresoj ta nisim me një fitore, pasi nuk na lejohen më gabime. Kam bindjen se me rikthimin e mungesave, situata do të ndryshojë. Shtatë ndeshje pa fitore.
Çfarë nuk ka shkuar siç duhet?
Nuk e them për justifikim, por shkaku kryesor janë pikërisht dëmtimet dhe skualifikimet e shumta.
Besoni te rokada me rivalët, pasi edhe kalendari ju favorizon?
Kalendari duket i favorshëm, sepse e nisim me shtëpiake radhazi. Por, kemi treguar edhe më përpara që në fushën tonë nuk i zgjidhim shumë lehtë ndeshjet, sidomos kur kemi pasur edhe mungesa. Duhet të japim maksimumin për të arritur fitoren.
Si parashikohet kjo sfidë, ndaj një rivali që pavarësisht se është në fund nuk dorëzohet?
Tërbuni po respekton kampionatin në maksimum. Këtë e ka treguar edhe në disa ndeshje, duke u marrë pikë ekipeve që janë më lart në tabelë. Pavarësisht faktit se janë me një këmbë të rënë nga kategoria, ata nuk kanë presion. Zakonisht, këto ekipe janë gjithmonë të rrezikshme dhe luajnë lirshëm duke të hapur probleme. Duhet vlerë- suar maksimalisht për të marrë trepikëshin.
Domethënë, presioni është vetëm te Tirana?
Normalisht që njëfarë presioni mund të kemi, për vetë faktin se si po ndodhin gjërat tani. Nuk po kalojmë moment të mirë, por mendoj se me një ose dy fitore do të futeshim në rrugën e duhur.
Pa tifozët, bëhet edhe më e vështirë fitorja?
Pa tifozët është e vështirë, pasi ata na duhen në shkallët e stadiumit dhe jo në protestë. Megjithatë, ne i kuptojmë zgjedhjet e tyre, pasi janë të zhgënjyer. Ne u kemi kërkuar ndjesë, por tashmë do ta bëjmë në fushën e lojës, duke marrë rezultate. Kur jemi bashkë me tifozët, jemi më të fortë. Në rast se përçahemi, edhe ekipi futet në trysni.
Çfarë përshtypjeje ju ka lënë aktivizimi i të rinjve, duke qenë se ju jeni kapiten i skuadrës?
Unë e di shumë mirë çfarë do të thotë të aktivizohesh dhe të debutosh në një moshë të re. Është shumë e vështirë, pavar- ësisht kualitetit që mund të kesh. Por Peçi, Deliaj, Halili dhe të tjerët që janë aktivizuar kanë arritur të japin shenja pozitive.
Sa shanse ka Tirana për të kapur Europën?
Nuk mund të flas me përqindje, por me rikthimin e të dëmtuarve do të jemi pretendentë për të konkretizuar objektivin final.
Kukësi apo Teuta, cili është rivali më i vështirë?
Janë të dyja ekipe shumë të mira dhe duhet t'i vlerësojmë maksimalisht për atë që po bëjnë.
Përgatiti: ADELA MERKO