Kapllanaj: Kartonët, me laps në dorë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bylisi mori një barazim me vlera ndaj Flamurtarit në transfertë, duke vijuar të qëndrojë në garë për Superioren. I ftuar në emisionin "Fair-Play" në televizionin "News 24", presidenti i Bylisit, Agron Kapllanaj, u shpreh se rezultati ishte i drejtë, por gjyqtari prishi lojën me kartonët e shumtë dhe i kuqi për skuadrën vlonjate edhe mund të kursehej.
"Gjyqtari na ka 'pushkatuar' pa gjyq dhe ka qenë i papërgjegjshëm, teksa kartonët janë vendosur me laps në dorë dhe ata që ishin me nga dy të verdha u bënë me tre. Rezultati i kësaj ndeshjeje ishte i drejtë, por kartonët e shumtë që u dhanë në këtë takim bënë që ne të luanim me frikë dhe lojtarët të mos ndërhynim nga frika e ndëshkimit.
Gjyqtari u përpoq të bënte balancim të lojës, si dhe për mendimin tim gaboi te kartoni i kuq për Flamurtarin, pasi mund të kalohej edhe me një të verdhë. Madje, nëse Flamurtari do të ishte me 11 lojtarë ne do ta kishim fituar takimin, prandaj për të tilla ndeshje duhen arbitra të një niveli tjetër, sepse fati i investimeve të Flamurtarit dhe Bylisit nuk mund të lihet në dorë të një gjyqtari që nuk di ta menaxhojë lojën", u shpreh Kapllanaj për këtë sfidë.
Më pas, i pyetur për shanset e Bylisit për të mbijetuar në Superiore, Kapllanaj theksoi se, nëse do të ketë drejtësi, skuadra ballshiote ia del mbanë. "Nëse do të ketë drejtësi, Bylisi do të shpëtojë. Mendoj se kemi ekip më të mirë dhe më të qëndrueshëm sesa Flamurtari dhe Vllaznia. Nuk ka rëndësi emri i madh, sepse edhe Dinamo është në Kategori të Parë, Partizani ka qenë dikur dhe, në qoftë se nuk luan, edhe mund të rrëzohesh.
Nuk ka skuadra të mëdha apo të vogla, ka ekipe që luajnë mirë dhe jo mirë. Edhe për sa i përket Bylisit, nëse ne e meritojmë për të rënë, le të biem, nuk është ndonjë problem.
Megjithatë, them se kemi një kalendar të mirë këto javë, ku fillimisht presim Vllazninë, ku edhe pse me 7 mungesa, kemi një stol të mirë dhe do bëjmë maksimumin për fitore", përfundoi kreu i klubit ballshiot, i cili beson se, nëse do të ketë drejtësi në këtë kampionat, Bylisi që financon do të qëndrojë mes më të mirëve. Aktualisht skuadra mallakastriote është në vendin e parafundit në kuotën e 21 pikëve.